E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në Kushtetutë, Ruçi: Janë të pabazuara pretendimet e presidentit Topi

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi, i përgjigjet presidentit Topi për ndryshimet në Kushtetutë, duke i cilësuar ato të domosdoshme. Dy ditë më parë presidenti Topi u shpreh se ndryshimet në Kushtetutë janë të ngutshme dhe se duhen studiuar hapa pas hapi, duke dalë në kundërshtim me partinë prej nga ai vjen, si dhe me qëndrimet e PS.

Ruçi u shpreh dje për këtë çështje, se ndryshimet e parashikuara në Kushtetutë janë të domosdoshme. Ruçi tha se vetë kreu i shtetit kishte qenë dakord për këto ndryshime, në kohën kur ai, pra Bamir Topi, mbante postin e kryetarit të grupit parlamentar të PD. Ruçi shprehet se Topi është shprehur dakord me këto ndryshime në Kushtetutë, pikërisht në pikën për zgjedhjen e presidentit nga populli. Kryetari i Asamblesë socialiste tha se rregullimet që propozon Partia Socialiste kundër propozimeve të Partisë Demokratike për çështjen e presidentit nuk cenojnë autoritetin e presidentit. “Unë i shikoj të bazuara këto elemente. Kur ishte kryetar i grupit apo nënkryetari i PD, ka qenë tërësisht i gatshëm për përmirësimin e sistemit politik, reformën zgjedhore, ashtu sikurse para se të zgjidhej, presidenti ka qenë mbrojtës i zgjedhjes së presidentit nga populli. Ka pasur një debati politik, publik, medatik, institucional, konstitucional. E treta, Presidenti i Republikës ka qenë nënkryetar i PD dhe kryetari i grupit dhe ka artikuluar në parlamentin shqiptar nevojën e një kufizimi të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu sikurse ka pasur debate për çështjen e kompetencave të presidentit etj. Tani për tani, lidhur me kompetencat e presidentit absolutisht ne nuk do të japim mirëkuptimin dhe konsensusin”, - tha Ruçi.

Në deklarimet e djeshme për mediat, Ruçi foli edhe për marrëveshjen PS-PD, duke theksuar se s’ka asnjë marrëveshje fluide, por bëhet fjalë për marrëveshje për reforma dhe, sipas tij, pa një marrëveshje ndërmjet PS dhe PD nuk mund të kryhen këto reforma. “Ne nuk kemi ndonjë aleancë fluide me PD, përkundrazi, reforma të mëdha, siç është reforma e drejtësisë apo kushtetuese, nuk mund të bëhen pa PD e PS”, - tha dje Ruçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›