E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fati i së djathtës dhe fati i Fatmirit

Kryeministri, Sali Berisha, nuk ka mundur dot të bindë dje aleatët e tij rreth ndryshimeve të pritshme të sistemit elektoral, i cili kaloi në Komisionin e Ligjeve. Thelbi i kundërshtive të aleatëve të majmur prej tij është se ata duan të jenë në vende të sigurta në krye të listave në të gjitha qarqet në vend dhe t’i lënë fushëbetejën Partisë Demokratike për të shpresuar të fusë ndonjë deputet të saj në parlament. Pas katër vitesh qeverisje problematike, me një pushtet të disbalancuar në favor të aleatëve, demokratët duhet të shkojnë në zgjedhje për të garantuar aleatët dhe për të detyruar shqiptarët të zgjedhin ose ata, ose humbjen e së djathtës. Kjo finale është realisht taksa më e rëndë që mund të paguante dorëzimi i hershëm i Sali Berishës para tyre. Ky deformim që buron nga prirja e tij për të sakrifikuar pushtetin e partisë së tij në emër të pushtetit të tij si kryeministër, e ka sjellë tashmë atë në pozicionin e një njeriu tërësisht të pafuqishëm për të zhbërë falsitetin politik, me të cilin u pajtua për të qeverisur si kryeministër i aleatëve të tij. Duke ndjerë rrezikun se të vetëm aleatët nuk mund të hyjnë më në parlament, ata po e mbajnë peng reformën elektorale, duke detyruar Berishën ose t’iu japë paradhënie pushtetin, ose të ruajë këtë sistem. Në krye të kësaj bande agresive qëndron natyrshëm Fatmir Mediu, njeriu të cilit Berisha për shkak të historisë së Gërdecit është i detyruar t’i pranojë gjithçka. Ai po udhëheq tashmë bllokimin e reformës zgjedhore dhe po i përgatit Berishës alibinë e rindarjes së pushtetit me të njëjtët çakej që copëtuan pushtetin e së djathtës në këtë mandat dhe i ngulën asaj damkën e një shumice të korruptuar në opinionin publik.

Të hysh në zgjedhje duke pasur në vende të sigurta në krye të listave të mbyllura Fatmir Mediun, Genc Pollon dhe Nard Ndokën, do të thotë t’iu thuash demokratëve “Mos dilni nga shtëpia për të votuar”. Sali Berisha, i zënë peng nga nevoja që ka pasur për t’iua mbyllur gojën gjatë periudhës së qeverisjes me llokma pushteti, tashmë është një viktimë e pafuqishme e skemës që ndërtoi për pushtetin e tij. Aleatët e tij nuk kanë asnjë predispozitë të jenë më të arsyeshëm dhe ta lejojnë Berishën të ribëhet realist në zgjedhjet e ardhshme. Tashmë ata kanë aq fuqi sa të mos e lejojnë Berishën të bashkojë votat me Edi Ramën për të reformuar sistemin elektoral dhe pas kësaj ata do të kenë mundësi të rikapitalizojnë pushtetin e tanishëm përmes sistemit që kemi.

Po t’iu shtosh problemeve të forta të krijuara me aleatët dhe problemet që po i krijohen me paketën kushtetuese për shkak të përpjekjes së qartë për të poshtëruar moralisht institucionin e Presidentit, shihet qartë se në Kuvend nuk ka shanse të formohet një shumicë me 94 vota për reformën kushtetuese. Në këto kushte, dy forcave kryesore politike, pasi të provojnë shansin në Kuvend, iu mbetet t’i drejtohen referendumit, si forma e vetme për të votëbesuar ndryshimet kushtetuese. Ata duhet ta bëjnë betejën sa më shpejt të jetë e mundur, për t’i lënë kohë pastaj riorganizimit të së djathtës dhe të së majtës për skemat elektorale që do të përdorin në vitin 2009.

E gjithë kjo, nga ana tjetër, dëshmon dhe faktin sesa i lirë është Sali Berisha të ndahet nga Fatmir Mediu, i cili ka ende kurajë të shfaqet publikisht, edhe pse balta e varreve në Gërdec është ende e patharë. Një figurë politike që e mban të mbërthyer shumicën e djathtë me historinë më mizore të korrupsionit në këtë vend në gjithë historinë e shtetit shqiptar, ka kurajë ende të diktojë politikën shqiptare, dhe ky është një lajm i keq për Sali Berishën. Ai nuk ka fuqi të ndahet prej tij, nuk ka fuqi të shkëputet nga një imazh që e bën të sigurt humbjen e së djathtës në vitin 2009. Koha do të tregojë sa fuqi ka Sali Berisha të qëndrojë larg këtij të mbyturi që po përpiqet të mbysë gjithë të djathtën në tymin e Gërdecit. Deri tani shihet se Berisha po harxhon më shumë energji për paqe me Fatmir Mediun sesa për të zbardhur historinë e Gërdecit dhe për ta thënë me zë të lartë që kush është fajtor, të shkojë para gjyqit. Taksa e rëndë që e djathta shqiptare duhet t’i paguajë tashmë kompromiseve të Sali Berishës për pushtetin e tij personal, po bën që ajo të futet në garë me një gur të rëndë në qafë që quhet Fatmir Mediu, i cili e ka vënë atë para alternativës: ose ta shpëtojmë, duke e ribërë deputet, ose të mbytemi bashkë me të. Berisha nuk ka fuqi ende të ndajë fatin e së djathtës nga fati i Fatmirit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›