Pranga Zylfije Haklajt, “Shota” ndalohet në Suedi
Kërkimet
Megjithëse kanë vijuar kontrollet kryesisht në zonat e thella të Tropojës dhe në Kosovë, vëmendja e policisë është drejtuar nga Goteborgu, ku prej vitesh ndodhet një tjetër i dënuar i drejtësisë shqiptare, vëllai i saj i madh, Hamdi Haklaj. Ky i fundit, disa muaj më parë ka arritur të marrë azil politik, duke shmangur përfundimisht ekstradimin. Një gjë e tillë duket se i ka dhënë shpresë edhe së motrës, e cila, e maskuar si mashkull ka lëvizur drejt Suedisë. Interpoli suedez ka mbajtur nën vëzhgim familjen që tashmë jeton në afërsi të Goteborgut. Pas disa lëvizjeve të njëpasnjëshme të një “burri” që qëndronte gjatë me familjen, policia ka vendosur ta identifikojë. Pasi është dyshuar për “Shotën”, bazuar nga të dhënat shqiptare, dje është vendosur edhe për prangosjen e saj. Megjithatë, dyshohet se edhe për Zylfijen mund të funksionojë kërkesa për azil politik, çka mund ta bëjë të vështirë ekstradimin e saj, ashtu si i vëllai.
Dënimi
Vrasja e dy personave para 6 vjetësh do t’i kushtojë 25 vjet burg Zylfije Haklajt. Vendimi është marrë dy javë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila ka vendosur që ta shpallë fajtore motrën e familjes Haklaj për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe “Armëmbajtjes pa leje”. Sipas hetimeve të prokurorisë ekzistojnë të gjitha provat materiale që implikojnë Zylfije Hakljan në vrasjen e Lumneshit dhe Gosturanit. Për këtë arsye, organi i akuzës kishte kërkuar shpalljen fajtore dhe dënimin me 25 vjet burg për Zylfijen, kërkesë kjo që është marrë parasysh nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ngjarja për të cilën akuzohej Zylfije Haklaj ka ndodhur në qendër të qytetit verior të Bajram-Currit, më 2 prill 2002, teksa Zylfija ka lënë kullën e Haklajve dhe ka zbritur në qytet. Ajo është drejtuar në njërin prej lokaleve në qendër të qytetit, ku ndodheshin viktimat Rasim Lumneshi dhe Ilir Gostunari, të cilët i ka ekzekutuar me një breshëri “Kallashnikov”-i. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe Izet Dusha dhe Hysen Biberaj, të cilët mundën të shpëtonin. Motivi që shtyu Zylfijen drejt këtij hapi ishte hakmarrja për vrasjen e katër vëllezërve të saj: Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj. Pas vrasjes, ajo u largua duke hyrë në 10-shen e njerëzve më të kërkuar nga drejtësia shqiptare.