E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr “Medaljen e Korpusit të Paqes” në shenjë mirënjohjeje nga Zëvendësdrejtoresha, Keri Hesler-Reidilit

18 tetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Zëvendësdrejtoreshën e Korpusit të Paqes, Keri Hesler-Reidilit, e cila, në këtë takim me Kryetarin e Shtetit Shqiptar, shoqërohej nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, si dhe nga Drejtori i Korpusit të Paqes në Shqipëri, Hill Denham.

Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim me drejtuesit e lartë të Korpusit të Paqes, duke vënë në pah vlerësimin e tij institucional për gjithë veprimtarinë dhe punën me përkushtim të Vullnetarëve në kuadër të misionit të tyre human në vendin tonë. Presidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vullnetarëve të Korpusit të Paqes dhe institucioneve e strukturave shtetërore shqiptare dhe të pushtetit vendor me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të projekteve mbështetëse të zhvillimit ekonomik, social, shëndetësor e arsimor kudo në Shqipëri, por edhe të përkrahjes në kuadër të miradministrimit të qeverisjes vendore, etj.

Zëvendësdrejtoresha e Korpusit të Paqes, Keri Hesler-Reidilit falënderoi Presidentin Topi për pritjen e rezervuar duke e njohur me qëllimet dhe objektivat e Organizatës që ajo drejton, e cila numëron në Shqipëri rreth 500 vullnëetarë. Në takim u prezantuan nga Drejtori vendor Hill Denham edhe tre nga administruesit e Programeve të Korpusit të Paqes në Shqipëri: Darina Kaltani, Diana Djaloshi dhe Agim Dyrmishi, të cilët paraqitën punën dhe programet e tyre konkrete në terren. Zonja Keri Hesler-Reidilit i dha Presidentit Topi “Medaljen e Korpusit të Paqes” duke i shprehur “mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe bashkëpunimin që i ka dhënë organizatës vullnetare të drejtuar prej saj.”

Kryetari i Shtetit vuri në dukje se “gjithë veprimtaria këtij korpusi vullnetarësh në vendin tonë është edhe një dëshmi më tepër e mbështetjes dhe e ndihmesës së paçmuar të qeverisë dhe popullit amerikan për qytetarët shqiptar në momente të rëndësishme për ecurinë dhe përparimin e vendit sipas standardeve të shoqërive demokratike perëndimore, për çka ne shprehim mirënjohjen e thellë dhe, natyrisht, angazhimin për të vijuar edhe në të ardhmen këtë bashkëpunim frytdhënës.” Presidenti Topi u shpreh: “ Ju falenderoj edhe për vlerësimin që më bëni, duke qenë i bindur se nuk është thjesht vlerësim për individin, por për Institucionin. Dhe Institucioni është për të gjithë qytetarët kështu që duke më vlerësuar mua, ju keni vlerësuar të gjithë shqiptarët. Dëshiroj të shpreh edhe mirënjohjen në emër të popullit shqiptar për të gjithë kontributin tuaj në Shqipëri duke filluar që nga viti 1991! Për të vlerësuar të gjithë ndihmën që ka dhënë qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Korpusi i Paqes për shqiptarët, për institucionet në të gjitha nivelet dhe sikurse dihet, në të gjithë territorin, në zonat urbane, në zonat rurale sidomos, në fusha shumë të rëndësishme duke filluar me arsimin, me shëndetësinë, me bujqësinë, me biznesin, me mundësinë e përdorimit të gjuhës angleze, e cila është bërë sot një gjuhë e përbotshme. Ju siguroj që do të keni mbështetjen e veçantë të Institucionit të Presidentit për të gjithë kontributin tuaj edhe në vazhdim! Për ne miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e veçantë. Ajo ka qenë, është dhe do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme për institucionet e Shqipërisë, për popullin shqiptar për të përmbushur të gjitha sfidat që i kemi vënë vetes.”

Ndërsa, i pranishëm në këtë takim, Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, pasi falenderoi Presidentin për mbështetjen e vazhdueshme të tij, vuri në dukje se ky është një vit shumë i rëndësishëm për Korpusin e Paqes, duke qenë se shënon 50-vjetorin e krijimit të tyre të mbushur me mjaft përvojë dhe një punë të madhe anembanë botës, por edhe në Shqipëri, sidomos në fshatrat më të thella të vendit tonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›