Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Zonja deputete
Zotërinj deputetë
Së pari ju përshëndes përzemërsisht.
Në këtë mbledhje dua të trajtoj me ju dy problemet më kryesore. Njëri është i lidhur me Raportin që Komisioni Evropian ka publikuar javën që shkoi. Unë e kam shprehur dhe ju e keni bërë një diskutim për të në Parlament, që pas shpalljes, ajo çka unë mund t’ju them ju edhe njëherë, që ne jemi të gatshëm, të vendosur, të shohim para, të ulemi me opozitën, të trajtojmë në mënyrën më serioze problemet e reformave, në radhë të parë të reformës zgjedhore.
Unë dua t’ju informoj ju dhe shqiptarët, se ne i qëndrojmë plotësisht propozimit tonë të mëparshëm, se në rast se opozita kërkon dhe dëshiron, që me ekspertët e saj të hartojë të gjitha amendamentet për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ti dërgojë ato në Komisionin e Venecias dhe në OSBE/ODIHR, pasi të marrë opinionin e tyre, ne i votojmë pa kushte. As nuk kam lëvizur dhe as nuk lëviz nga ky pozicion. Ne i votojmë pa kushte, sepse ne kemi bindje se ajo që vjen nga këto institucione është brenda standardeve ndërkombëtare. Për ne, kjo është më kryesorja. Në rast se zoti Rama, kërkon ngritjen e tryezës, dhe ne i kemi dhënë përgjigje me shkrim për kërkesat e tij, ne jemi të gatshëm të ngremë tryezën, në prani të ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it.
Jemi të gatshëm të punojmë me konsensus të plotë, çka do të thotë me të drejtë vetoje, që jemi gjithëpërfshirës dhe të finalizojmë në një kohë rekord reformën zgjedhore. Por zoti Rama nuk do. Deri tani ai është i vendosur të mos angazhohet në reformë, sepse ai propozon një skemë primitive, në kuptimin e vërtetë të fjalës, pse e them këtë, e them këtë sepse propozon që të ulemi në tryezë, të vendosim të punojmë me konsensus , por ai të shkoje të bëjë shopin në institucionet e tjera, pavarësisht se këtu janë përfaqësuesit e tyre, kjo nuk shkon. Asnjëri nuk mund të ulet në një tryezë të tillë, po deshe vetëm shko bëje, ne i votojmë ato. Pse e bën ai këtë propozim? E bën këtë propozim, sepse ka të ngjarë se vetëm reforma zgjedhore atij nuk i intereson. Po kjo është për rregulloren e Parlamentit, unë mendoj se grupi ynë të propozojë, dy përfaqësues të tij nga delegacioni që kemi në Parlamentin Evropian, për të nisur punën, sapo zoti Rama të delegojë të tijët, të nisë diskutimi për rregulloren e Parlamentit, e cila duhet të ndryshojë si të gjitha standardet e rregullores së Parlamentit Evropian. Kemi rënë dakord thotë ai. Por sa kam rënë dakord unë në vitin 96, 97, 98, kur kam qenë në opozitë, por shihet para, gjithçka vendoset duke parë përpara, duke përmirësuar.
Dua tu them qytetarëve se, pavarësisht nga këto oferta, zoti Rama e shprehu se bojkoti, realizoi qëllimin. Qëllimi i tij ishte dhe është bllokimi i statusit. Fakti që të gjitha vendet e morën përveç Shqipërisë, të cilës i bllokohet për herë të dytë, sepse ata janë fatlumë se nuk kanë një opozitë, që ka përzgjedhur bllokimin e disa reformave të integrimit si rrugën për kthimin e vet në pushtet, ka përzgjedhur dëmtimin e interesit të çdo qytetari, siç e bëri qartë edhe me vizat, për të ardhur në pushtet më shpejt, çka jam i bindur se kjo ishte një përzgjedhje e gabuar. Nuk ndodh ndonjëherë, që një opozitë te këtë si objektiv kryesor mos votimin e ligjeve të reformave të integrimit. Ky është rasti i veçantë. Ndaj dhe duke bërë ofertën tonë, ne ju themi qytetarëve shqiptarë, se kjo është një çështje që do ta zgjidhin vetë shqiptarët. Komuniteti ndërkombëtarë ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshmet dhe dua t’ju them këtu, se në këto përpjekjeje ka pasur të atilla, që janë përpjekur me çdo kusht për të ndihmuar Shqipërinë. Ka pasur të tjera që absolutisht janë përpjekur për të ndihmuar vetëm zotin Rama dhe aspak Shqipërinë, sepse jo të gjithë e duan këtë vend.
Kjo nuk ndodh. Por cili ka qenë rezultati? Rezultati i këtyre miqve të shumtë që deshën të ndihmonin Shqipërinë, për fat të keq ishte ai për të cilin punuan, sepse zoti Rama , nuk pranoi asnjë nga sugjerimet, kurse rezultati për ata të cilët u angazhuan me të gjitha mënyrat për të ndihmuar zotin Rama, është thellësisht dëshpërues, sepse në fakt në rrafsh partiak ndihmuan Sali Berishën dhe partinë e tij. Po pse? Se zoti Rama ndenji dy vjet duke shqipëruar dy milion herë thirrjen hap kutitë. Çfarë solli kjo, çfarë ndodhi? E vetmja gjë që ndodhi dhe që nuk mund ta mohojë kush, që Partia Socialiste u fut në kuti, këtë e them në mënyrë figurative, sepse ajo harroi të përmbushë misionin e vet, të opozitës, të kritikës, të kontrollit, të vëzhgimit të qeverisjes, ajo u mor me katër faqet e kutisë, një kuti që nuk u hap kurrë. Në këtë kënd e dëmtuan zotin Rama thellësisht ata që u përpoqën ta ndihmojnë atë, në mënyrë të pandershme, sepse e inkurajuan në një mënyrë ose në një tjetër të mbajë atë kurs që mbajti, i cili kushtoi 141 mijë vota më pak në zgjedhjet e 8 majit dhe disfatën personale në kryeqytetin e vendit.
Këto janë të shkuara, unë ftoj zotin Rama në rast se dëshiron reforma, të ulemi në kushte pariteti, reformën zgjedhore, ku institucionet e vendit ato duhet të ndërtohen sipas kushtetutës. Nuk do të krijojmë ne me dhjetëra KQZ-ra një institucion, i cili ndërtohet me një mekanizëm të caktuar, siç është komisioni elektoral, ndërtohet nga partitë, të tjerat ndërtohen nga institucionet, KQZ, KZAZ, KQV, dhe Komisioni i Numërimit, janë të gjitha produkte akordi ndërpartiak të domosdoshme. Të përpiqesh të transpozosh këtë koncept në shtetin në tërësi, kjo dëshmon se ke probleme serioze konceptesh për shtetin.
Sido qoftë ne e ftojmë në çdo kohë, që nesër, po të jetë gati, të ulemi në komisionin e reformës zgjedhore, për problemet e ngritura në zgjedhjet lokale dhe në zgjedhjet e përgjithshëm nga OSBE dhe ODIHR-i, ti adresojmë një nga një pa asnjë lloj hezitimi, ose po të dojë ti marrë ato çështje të hartojë amendamente, të mos shpikë gjera të paqena se krijimi i një realiteti që nuk është, dhe mbrojtja e një realiteti që nuk ekziston, është absolutisht garancia më madhore për humbjen e çdo beteje. Uroj që këtë ftesë të sinqertë ta pranojë, në interesin më të mirë të vendit, por edhe të tyre.
Problemi i dytë dhe kryesor që unë dua të sjell para jush është çështja e buxhetit. Jemi në fazën pothuajse përfundimtare të miratimit të buxhetit të vitit të ardhshëm në qeveri. Pavarësisht nga rrethanat e krizës së thellë në Rajon, Europë dhe Botë, përsëri ky do të jetë buxheti më i madh në historinë e vendit. Duke theksuar se do të jetë buxheti më i madh në historinë e vendit, kjo nuk do të thotë, se nuk do të ketë shkurtime buxhetore të shpenzimeve të tjera, përveç investimeve në infrastrukturë, si një kusht i domosdoshëm për të realizuar programin tonë. Në këtë buxhet do të jetë përparësore rritja e rrogave dhe e pensioneve. Përsëri ne i qëndrojmë kësaj politike, si një vendosmëri për të investuar në burimet njerëzore në mënyrë të konstante të vazhdueshme, por edhe si një vendosmëri për të ruajtur fytyrën njerëzore të kësaj mazhorance para 520 mijë pensionisteve shqiptare dhe 100 mijë qytetarëve shqiptare në ndihmë ekonomike. Ky është kusht i domosdoshëm, ne jemi zotuar për këtë dhe mbi bazën e këtij zotimi, ne do të parashikojmë sërish rritjen e rrogave, rritjen e pensioneve, me programin e përvitshëm, kjo është bërë tani një rregull dhe kjo ka pasur një impakt shumë pozitiv në zhvillimin e vendit në tërësi.
Zotërinj deputete,
E vërteta është se në mënyrë konstante, të vazhdueshme, ne shkojmë drejt arritjes së standardeve të vendeve të zhvilluara. Këto rezultate janë evidente si në fushën e investime, në fushën e shëndetësisë , arsimit. Është një lajm jashtëzakonisht pozitiv fakti, se për herë të parë në historinë e këtij vendi, mortaliteti infantil bëhet një shifror. Mortaliteti amtarë është nga më të ultat në Europë dhe në Botë, dëshmi e një sistemi që kujdeset dhe jo e një spontaniteti. Po kështu, të dhënat paraprake në sistemin e arsimit janë shumë inkurajuese, pra buxheti do të mbështesë të gjitha reformat sociale, dhe do ti konsolidojë ato. Buxheti do të mbështesë përfundimin e të gjitha akseve të mëdha rrugore, akse këto që do të transformojnë Shqipërinë.
Zotërinj deputete,
Me përfundimin vitin e ardhshëm të autostradës Levan-Tepelenë, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti dhe Saranda, pasi të përfundojë segmenti Kardhiq-Delvinë, që të gjitha këto në më pak se dy orë, Saranda në më pak se dy orë e gjysëm kapen nga Tirana dhe faktikisht Shqipëria, shqiptarët nga çdo skaj i këtij vendi, pas përfundimit edhe të rrugës së Arbërit, e cila dhe ajo po ecën. Buxheti do të mbështesë plotësisht boshtin e Jugut, autostradën Tiranë-Elbasan, dhe boshtin e jugut Elbasan-Berat. Do të mbështesë Levan-Tepelenë, by passin e Fierit, i cili duhet ti informojë qytetarët e Fierit, se u shty pak për faktin e vetëm, se studimet dështuan, se Apolonia shtrihet edhe në fushë dhe nuk mund të ndërtohet kurrë mbi një trashëgimi botërore siç është Apolonia, u detyruam të bëjmë projektin nga e para të by passit, projekti nga e para nënkuptonte jo vetëm kohën e duhur, por edhe financimin, sepse ai financim i parashikuar për projektin e parë iku. Fatmirësisht para tre javësh financuesit e projektit të parë kanë shqyrtuar projektin e dytë në bord dhe kanë vendosur financimin e tij. Kështu që viti i ardhshëm, pra është viti në të cilën buxheti do të mbështesë fuqishëm të gjithë këtë infrastrukturë, përfundimin e saj përfundimin e rrugës Kardhiq –Delvinë, progresin e mëtejshëm të rrugës së Arbërit në të dyja anët, në drejtim të tunelit, nga Ura e Vashës dhe nga Shkalla e Tujanit në drejtim të Qaf-Murrizit.
Qeveria do të mbështesë përfundimin e tunelit Tiranë-Elbasan, shpresojmë se deri më tani ecuria është e mbarë, puna është intensive, do të mbështesë by passin e Shkodrës, përfundimin e autostradës Shkodër-Hani i Hotit. Do të mbështesë rrugën Qafë-Plloçkë-Qukës dhe qindra, mos mijëra kilometra të tjera rrugë rurale dytësore në mbarë vendin.
Shqipëria do ta presë 100 vjetorin me një rrjet rrugor që askush gjatë 100 viteve nuk e ka imagjinuar dhe jam i bindur se ky vend e meriton plotësisht këtë. Kudo që shkoj më duket si një bukuroshë e fjetur, që pret për ta njohur për ta zbuluar. Isha në majën e Çajupit, frymëzim të jashtëzakonshëm gjen njeriu, u ngjita në majën e Sarisalltikut, do të ecim me infrastrukturën malore nga veriu në jug, në të gjitha anët. Kështu që në 100 vjetorin e saj Shqipëria do të ketë infrastrukturën rrugore tërësisht të re dhe kjo mendoj unë, është një arritje shumë e madhe.
Janë 125 projekte në infrastrukturën dixhitale dhe do të financohet secili prej tyre. Shqipëria dixhitale është dhe mbetet motoja dhe zotimi ynë. Në qoftë se në mandatin që kaloi shtrimë internetin në çdo shkollë, çfarë po bëjmë tani, po e çojmë në çdo klasë, tani me teknologjinë e re, po e kalojmë nga shkolla në çdo klasë, shkollat janë 2 mijë, klasat janë 20 mijë, 40 mijë në të gjitha do ketë internet. Do të ketë një transformim të thellë në shërbime, do të krijohet sportel unik. Në 100 vjetorin e saj do të jetë Shqipëri dixhitale, po ndaj dhe do të financohen të 125 projektet të ndërmarra nga qeveria për të konsoliduar moshën dixhitale të vendit.
Do të investohet në dy projektet e mëdha kombëtare, projektin e ullirit dhe projektin e arrorëve. Unë ju bëj thirrje juve, deputeteve të veriut të ndërmerrni udhëtime në zonat e ullirit nga Shkodra deri në Ksamil, për të parë ullishtat e pafundme të mbjella nga fermerët shqiptarë. Sa herë që kaloj në zonën e ullirit gjej një Shqipëri të mbi 2-3 fishuar me ullinj. Nga Hani i Hotit gjer në Zarë dhe Konispol, në Gjirokastër, tani që ishim ku ulliri pati pësuar një reduktim të madh, po i kthehen shpatet e buta të luginës së Lunxherisë, po qëndiseshin me ullinj. Natyrisht ka dhe një meritë deputeti i saj, zoti Ruli, në inkurajimin e tyre dhe kjo është shumë pozitive. E vërteta është se ethja e ullirit, është bërë dominuese dhe kjo është pozitive. Dy impiantet e mëdha janë në Kamzë dhe Vlorë që prodhojnë sasi të mëdha fidanësh, impiante të tjerë do të ngremë.
Projekti i arrorëve. Ne duhet të imagjinojmë pyje me arrorë dhe këtë do ta mbështesim fuqishëm me buxhet, buxheti do të mbështesë turizmin, por duhet të jemi të qartë, se kjo që bëjmë me infrastrukturën aktualisht është mbështetja më e fuqishme që i bëjmë atij do të bëjmë master planet në gjithë zonën bregdetare do të ndihmojmë komunat, në mënyrë që të kemi master plan dhe do të ndërtojmë një turizmi të ndryshëm nga ai që ka ndërtuar bota mesdhetare. Kështu që kriza është e thellë, por unë besoj se ekonomia shqiptare me dinamizmin që e karakterizon, me zgjerimin e mëtejshëm të lirisë ekonomike, se ajo është për ne leva e Arkimedit, ne nuk disponojmë burime më të mëdha sesa burimet e lirisë, ekonomia do ia dalë, buxheti do t’ia dalë të ruajë plotësisht stabilitetin makroekonomik të ketë një deficit buxhetor ndër 3.4, të ketë një borxh ndër 59.7, të ketë një inflacion të kontrolluar plotësisht.
Atyre që recitojnë me një pasion të veçantë për çmimet e larta që ekzistojnë, sigurisht që janë të rritura tendenca botërore e çmimeve është rritja dhe jo rënia dhe kjo është një trend i pa ndryshueshëm, por ky trend ka një tregues në Shqipëri dhe mbarë botën dhe ky tregues është inflacioni dhe ky tregues është publikuar çdo vit dhe i marrë sëbashku për të gjitha vitet, është të paktën, rritja e rrogave dhe pensioneve, ka tejkaluar atë të paktën 3 herë, minimumi, por në raste të caktuara 3 deri ne 5 herë. Janë rritur më shumë rrogat dhe pensionet të marra sëbashku sesa inflacioni në tërësi. Megjithatë një zotim e kemi dhe do ti përmbahemi, sapo të pastrohet tërësisht regjistri dixhital i ndihmës ekonomike, ne do të bëjnë ndërhyrje selektive për familjet në varfëri ekstreme, për ti nxjerrë ato nga varfëria ekstreme. Zotërinj deputet, ne buxhetin do e sjellim tek ju dhe jam i bindur se me diskutim serioze, ju do të jepni një kontribut thelbësor ne konsolidimin e tij.
Faleminderit
17/10/2011