Kryeministri Berisha merr pjesë në punimet e Konferencës me temë “Reforma Financiare në Arsimin e Lartë”

Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në punimet e Konferencës “Reforma Financiare në Arsimin e Lartë- Plani Kuadër i Veprimit ”, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e mëtejshëm të qeverisë për reformën në fushën e arsimit, si dhe shtoi se do të bëhet gjithçka për të rritur buxhetin, për të modernizuar mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. “Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka t’ju japim ju autonominë maksimale, pasi kam bindjen time më të thellë se leva e Arkimedit për universitet është liria akademike. Mund të ndërtosh çdo gjë tjetër, por po ndrydhe lirinë akademike nuk mund të kesh ndonjëherë rezultatin që pret”, u shpreh Kryeministri.
Duke theksuar se rendja pas cilësisë është emergjente, Kryeministri Berisha u shpreh se në fushën e arsimit duhet të guxojmë të matemi me vendet e zhvilluara.
Të pranishëm në këtë Konferencë ishin Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj, Ministri i Financave z. Ritvan Bode, Përfaqësues të Bankës Botërore në Shqipëri, ekspertë dhe konsulentë të huaj të Reformës në arsimin e lartë, drejtues të Universiteteve, pedagogë, etj.
Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht, të shpreh vlerësimin tim të madh për punën dhe përkushtimin tuaj, për angazhimin tuaj serioz në transformimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Ndër të gjitha reformat që zhvillohen në vend me qëllim më të madh shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar, reforma më kryesore është ajo e sistemit të edukimit në tërësi dhe sistemit universitar në veçanti. Nuk mund të ketë as edhe një nga objektivat kryesore të këtij projekti të madh, për çdo shqiptar, të realizuar në rast se ne në epiqendër të reformës sonë dhe të përpjekjeve tona nuk vendosim universitetet e vendit, laboratorët ku ngjizet, përpunohet e ardhmja e këtij vendi, e nesërmja dhe e ardhmja jonë.
Gjatë këtyre viteve universitetet janë përshtatur ndjeshëm, kanë bërë përpjekje të mëdha për tu përshtatur me tregun dhe kushtet e reja. Sot në këto universitete zhvillohen mbi 530 programe. Në universitetet e Shqipërisë, ndoshta në një rast unik, ka ndodhur që në një hark të shkurtër kohor 3 - 4 vjeçar numri i studentëve të rritet nga 52 mijë në 138 mijë. Dhe unë jam i vetëdijshëm se ju jeni përballur me vështirësi të mëdha, jeni përballur me mungesa serioze të gjithanshme, por kjo politikë ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Ka qenë e tillë, sepse Shqipëria do të paguajë çmimin e trashëgimisë së saj. Ne e kemi patur 4.2 përqind raportin e të shkolluarve me popullatën, ndërkohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë 31 përqind, vendet e Evropës luhaten në tërësinë mbi 20 përqind. Ne, pesë vjet më parë, kemi pasur katër herë më pak studentë për frymë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Me këto ritme ne nuk do mund t’i përgjigjeshim ndonjëherë zhvillimit. Ndaj dhe u vendos një politikë e re, e cila duhet të na gëzojë ne, në një aspekt tjetër. Ajo faktoi se ëndrra e të rinjve shqiptarë për shkollim të lartë ishte e ndrydhur, derisa ajo sot gëzohet nga tre herë më shumë të rinj. Do të thotë se si shoqëri nuk kemi qenë e drejtë ndaj tyre. Në fund të fundit është detyrim madhor tu krijojmë shanse të barabarta të rinjve shqiptarë. Duke thënë këto, unë dua të theksoj, gjithashtu, se për ju, për ne, për vendin në tërësi, rendja pas cilësisë është emergjencë. Dhe ne na takon që për këto rrethana të krijuara në mënyrë gati të papritur, të krijuara në një hark kohor 4 vjeçar, të përballemi në universitete me një situatë pothuajse emergjence. Në një bashkëpunim të ngushtë me ju do të bëjmë gjithçka që ju të dispononi sa më shpejtë kampuset dhe të gjithë logjistikën e nevojshme për këtë popullatë të madhe studentore. Do të bëjmë gjithçka të rrisim buxhetin për të modernizuar mësimdhënien, kërkimin shkencor në çdo njësi tuajën. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka t’ju japim ju autonominë maksimale, pasi kam bindjen time më të thellë se leva e Arkimedit për universitet është liria akademike. Mund të ndërtosh çdo gjë tjetër, por po ndrydhe lirinë akademike nuk mund të kesh ndonjëherë rezultatin që pret. Kjo emergjencë, kjo rritje e madhe e përnjëhershme ka sjellë natyrshëm një shproporcion të papranueshëm në raportet statistikore student – pedagog.
Ne sot kemi 2-3 tregues të njëjtë me vendet e OECD-së, vendet zhvilluara. Ne kemi rekrutime ndër më të lartat në universitete të atyre që përfundojnë shkollat e mesme, rreth 70 përqind. Kjo është një arritje e madhe. Kemi regjistrim rreth 91 përqind në shkollat e mesme të atyre që përfundojnë shkollat 9 vjeçare. Por ne jemi larg niveleve cilësore të universiteteve të këtyre vendeve. Njerëzisht do t’ju kërkoja ju që në fushën e arsimit ne duhet të guxojmë të matemi me vendet e zhvilluara. Të bëjmë gjithçka, sepse kjo është rruga më e sigurt për të shpejtuar zhvillimin tonë. Po lexoja këto ditë për një universitet të një vendi verior, raporti ishte 27 mijë studentë dhe 6400 pedagogë. Mund t’ju jap shifra të tjera në universitete private amerikanë ku janë 2 pedagogë për 1 student, por po marrim publiken sepse ato janë think tanke e kërkimeve shkencore. Ne kemi sot 10 mijë pedagogë, asistentë, pedagogë për 138 mijë studentë. Pra jemi realisht larg atij standardi që duhet të jemi. Dhe kjo jo se ju nuk doni, por është e pamundur që në një kohë kaq të shkurtër të mund të përgjigjesh me shpejtësi kaq të madhe, njëlloj siç pranon studentët në universitet. Ndaj, le t’i marrim problemet një e nga një dhe me një ambicie dhe vendosmëri të madhe të synojmë për të kapur nivelet e vendeve më të zhvilluara. Ne po ecim me optimizëm në arsimin parauniversitar. Ne kemi pranuar të rankohemi në Pisa dhe disa tregues fillestar janë mjaft inkurajues, por të ardhmen e përcakton arsimi universitar. E ardhmja përcaktohet nga laboratorët, nga auditoret, nga kërkimi shkencor, nga përgatitja e studentëve dhe kuadrove të ardhshëm nga universitetet e vendit. Ndaj dhe këtu lind, këtu behët e domosdoshme që reforma të jetë e vazhdueshme. Po t’ju thosha që në arsimin universitar, por dhe ne çdo fushë tjetër, reforma më e rëndësishme është ajo financiare, e cila duhet të synojë të imponojë një mekanizëm të ri menaxhimi. Suksesi, para së gjithash dhe mbi të gjitha, është menaxhim. Pa menaxhim efiçent nuk ka sukses në asgjë, ka kaos dhe shpërndarje. A synon ky mekanizëm të shumëfishojë lirinë akademike të universiteteve tona? Po, sepse sado që zotohemi dhe angazhohemi si qeveri të respektojmë lirinë tuaj, për faktor social dhe të tjerë, ne jemi të detyruar tu ndërhyjmë në disa mekanizma të krijimit të të ardhurave, të cilat edhe lëndojnë universitetet, ndikojnë direkt në të ardhurat e tyre, ndikojnë direkt në pakësimin e mundësive të tyre.
Mekanizmi financiar që ne duam ta zbatojmë do të krijojë një mundësi të re. Sigurisht qeveria është e detyruar të mbrojë dhe të mbështesë njerëzit në nevojë. Kjo qeveri nuk do të pranojë ndonjëherë që të ardhurat të jenë pengesë për djemtë dhe vajzat e këtij vendi, për të ndjekur universitetet. Kjo qeveri është e vetëdijshme se barazia e imponuar, në të vërtetë, mbart në vetvete shkallën më të lartë të pabarazisë dhe ne duhet të dalim prej saj. Duke aplikuar një mekanizëm të ri financiar në një studim pilot në universitetet publike dhe më pas në universitete private, sipas plotësimit të kushteve, ne hedhim një hap të rëndësishëm përpara.
Më duhet t’ju them, pa asnjë lloj hezitimi, se ne kemi vendosur sistemin e Bolonjës. Shumë mirë, jemi Europë, por frymëzimi ynë duhet të jenë universitetet anglo-saksone. Duhet të marrim sa më shumë prej tyre. Zoti Thompson do të më thoshte një ditë në zyrën time se Britania e Madhe nuk ka universitete private, por se universitetet e saj janë më private se të gjithë universitetet private të vendeve të tjera. Natyrisht, ata kanë përpunuar në dekada a në mos shekuj këto mekanizma autonomie. Por edhe ne duhet të vendosim me guxim të marrim gjithnjë e më shumë nga modeli i tyre. Modeli i tyre është modeli i suksesit më të madh. Ne jemi komb me kohë të humbur, ndaj dhe do të bëjmë gjithçka për të kompensuar atë kohë.
Ka një debat lidhur me problemin e universiteteve publike dhe private. Ka një debat në tërësi, ju e ndiqni, lidhur me situatën aktuale, me pranimet masive në universitete, me licencimin e universiteteve private. Shqetësimi është i drejtë dhe është i shëndetshëm, por ky shqetësim është i shëndetshëm, i drejtë dhe shërben, në radhë të parë, kur vjen nga ju. Ju që jeni drejtuesit dhe menaxhuesit e universiteteve, por kur bëhet për qëllime politike është absolutisht primitiv. Se të dalësh e të çirresh se universitetet janë shndërruar në qendra punësimi, dëshmon se nuk ke asnjë koncept për universitet. Universitetet japin tituj, grada, diploma, nuk japin libreza pune. Në të vërtetë është e faktuar që shanset për punësim janë 50 pëqind më të mëdha tek ata që diplomohen, se sa tek ata që nuk diplomohen. Dhe sot është e faktuar që të ardhurat e atyre që diplomohen në universitete janë 50 – 70 përqind më të larta se sa të atyre që nuk diplomohen. Është e faktuar në mënyrë përfundimtare që ekonomia mund të krijojë vlera të larta në prodhim dhe në shërbime vetëm duke u bazuar në dije dhe në universitete.
Pra, të gjitha këto nuk na pengojnë ne të shqyrtojmë me sy kritik çdo hap të botës akademike e universitare, që është dhe më e rëndësishmja për zhvillimin e vendit. Ne jemi dhe do të jemi të hapur për universitetet private, por jam absolutisht që të përcaktojmë kriteret më rigoroze e transparente. Kjo të jetë një çështje për debat akademik. Këto kritere le të mos jenë ato vetëm produkt i burokracisë, le të jenë produkt i juaj. Të angazhohemi në një debat, natyrisht, me qëllimin më të mirë që ne të rrisim transparencën dhe t’i inkurajojmë. T’i inkurajojmë, sepse janë një mekanizëm i fuqishëm mobilizimi fondesh nga një sektor që është dhe sektori më gjigant i vendit, jo vetëm i Shqipërisë, por edhe kudo. Ti inkurajojmë, sepse në historikun e tyre sot e kanë të vështirë garën, ndonëse disa prej tyre e ndjekin shumë mirë. Por e vërteta është se historia ka provuar që në disa vende ato janë ndër më të shquarat dhe nuk kemi pse ndërpresim shanse. Por duhet të zhvillojmë diskutim, duhet të zhvillojmë debat serioz. Duhet të zhvillojmë debat serioz për çdo gjë që kemi në sistemin tonë universitar. Unë e di se universitetet që hapin nëpër rrethe kanë vështirësi të mëdha, por ju jeni dëshmitarë se si mbushen ato brenda një e dy viteve, çka do të thotë se vepruam drejtë në hapjen e tyre. Ka zëra që t’i mbyllim, por jo nuk do t'i mbyllim. Zërat që t’i ndihmojmë, t’i përmirësojmë janë të mirëpritur.
Zoti Thompson parashtroi në mënyrë të shkëlqyer në power point çështjet kryesore të kësaj reforme. Unë dua ta falënderoj atë se ndonëse me gojë nuk flet dot gjuhën shqipe, me zemër ai flet shumë mirë.
Faleminderit!”
17/10/2011