E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e 15 vjetorit të krijimit të Shoqatës Fshatrat e Fëmijëve SOS, në Shqipëri

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha, iu bashkua sot pasdite, festimeve në Fshatin e Fëmijëve SOS në Tiranë, për 15- vjetorin e themelimit të Shoqatës Fshatrat e Fëmijëve SOS, në Shqipëri. Fshatrat e Fëmijëve SOS është një organizatë  që ofron kujdes me bazë familjen për fëmijët pa kujdes prindëror. Fshatrat e Fëmijëve SOS në Shqipëri janë pjesë e SOS Kinderdorf International dhe aktualisht, ato  ofrojnë ndihmë e kujdes familjar për 139 fëmijë, që kanë humbur kujdesin prindëror.

Drejtuesit e Shoqatës Fshatrat e Fëmijëve SOS shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen e qeverisë shqiptare, e fokusuar në dy drejtime: në vënien në dispozicion të hapësirës së nevojshme për zhvillimin  e aktivitetit të tyre dhe përjashtimin nga taksat.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ndante gëzimin e kësaj dite me fëmijët dhe të gjithë ata që kujdesen me përkushtim për rritjen dhe edukimin e tyre, duke i shndërruar Fshatrat SOS në vatra të vërteta familjare për fëmijët.

“Fshatrat SOS në Shqipëri janë një model i vërtetë suksesi, janë një frymëzim i vërtetë për të gjithë ata, të cilët në mendjen e zëmrën e tyre kanë fëmijët të parët e më të parëve,” u shpreh Kryeministri, duke siguruar për mbështetjen e mëtejshme të qeverisë, “për të konsoliduar më tej këtë sukses të madh të humanizmit.”

Kryeministri u bëri fëmijëve dhuratën e tij më të preferuar, 200 libra për bibliotekën e tyre.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur fëmijë të fshatit SOS, një përqafim të zjarrtë e të përzemërt për të gjithë ju, për të gjithë nënat dhe për ata, të cilët kujdesen me përkushtim për fëmijët e fshatit SOS, për rritjen e edukimin tuaj.

Zotërinj ministra, zotërinj ambasadorë, të dashur drejtues lokalë e rajonalë, të fshatrave SOS në Shqipëri e rajon,

ju falënderoj shumë për ftesën që më bëtë dhe shfrytëzoj këtë rast, për t’ju shprehur mirënjohjen më të thellë për punën e madhe, për kontributin që keni dhënë ndofta në problemin më sensitiv të një shoqërie të qytetëruar, kujdesin për fëmijët në nevojë. Ju garantoj se punën tuaj ju e keni bërë Tiranën dhe Shqipërinë më të drejtë e më njerëzore.

15 vite më parë, ju u instaluat në këtë vend, pas një marrëveshjeje me qeverinë shqiptare dhe sollët këtu, në dijeni time, konceptin më njerëzor, atë të shtëpisë, të familjes për trajtimin e fëmijëve që kishin e kanë probleme me familjet, për të pasur ngrohtësinë e familjeve të tyre. Ju krijuat këtu çerdhe familjare të ngrohta, duke jua bërë jetën më të mirë këtyre fëmijëve, duke ndihmuar në rritjen dhe edukimin e tyre në kushte absolutisht më të mira, pas vatrës së tyre familjare. Në këtë moment, mendja më shkon tek një mik i shquar i Shqipërisë e shqiptarëve, një austriak i madh që ishte edhe promotor i kësaj iniciative, ish Zëvendëskancelari dhe ministri i Jashtëm i Austrisë Alois Mock. Dua ta falënderoj për interesin e tij të veçantë që tregoi në atë kohë për ngritjen e fshatit dhe më pas fshatrave SOS në Shqipëri.

Fshatrat SOS në Shqipëri janë një model i vërtetë suksesi, janë një frymëzim i vërtetë për të gjithë ata, të cilët në mendjen e zemrën e tyre kanë fëmijët të parët e më të parëve. Ndaj dhe unë dua t’ju garantoj se institucionet publike të vendit frymëzohen e do të frymëzohen nga modeli juaj dhe se qeveria do të bëjë gjithçka, për një bashkëpunim sa më të ngushtë me fshatrat SOS, për jetësimin dhe përshtatjen e këtij modeli të suksesshëm në të gjitha institucionet e tjera të kujdesit për fëmijët, si modeli i faktuar më i miri, më njerëzori, më i suksesshmi. Ne dihet nuk jemi një vend i pasur, por, nga ana tjetër, ne kemi të gjitha mundësitë për të mbështetur fshatrat SOS dhe të gjithë ata që duan të ndjekin modelin e tyre kudo, në mbarë vendin.

Unë shoh këtu shumë donatorë dhe është një rast për mua, t’u shpreh një mirënjohje shumë të thellë për bujarinë e tyre.

Një falënderim i veçantë shkon për nënat SOS, gra fisnike që ofrojnë dashurinë e nënës për ata që kanë nevojë dhe e afrojnë në një mënyrë aq të njerëzishme, saqë në bindjen time këta fëmijë, edhe pasi gjejnë nënën e tyre biologjike, janë më të lumtur, kanë dy nëna gjithë jetën e tyre.

Të dashur fëmijë, para së të vija këtu mendova se çfarë t’ju sjell kësaj here si kryetar qeverie. U mendova shumë herë dhe nuk gjeta asgjë më të mirë se librin dhe unë, së bashku me bashkëshorten, me Lilin, ju solla një seri librash, në bindjen time se ai ka qenë për mua, në fëmijërinë time, shoku më i çmuar. U mendova nëse vitet e kanë ndryshuar atë, por ndryshimi i vetëm është se mund të jetë dixhitalizuar dhe sërish libri mbetet shoku më i bukur për ju. Libri mbetet burim i madh i pasurimit të dijes, por edhe i formimit dhe i ndikimit pozitiv në karakterin tuaj, në vizionin tuaj.

Ndaj dua ta mbyll këtë fjalë të shkurtër me urimet e mia më të përzemërta në këtë 15-vjetor, të garantoj drejtuesit lokalë, rajonalë të fshatrave SOS në Shqipëri se qeveria është e gatshme, si deri më sot, të firmosë me ta çdo marrëveshje, t’ju ofrojë atyre çdo mbështetje që kanë nevojë, për të konsoliduar më tej këtë sukses të madh të humanizmit, të njerëzisë dhe edukimit që ata kanë sjellë në Shqipëri. Faleminderit.    


17/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›