E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr mbështetjen e Presidentit të Hungarisë, Solyom, për integrimin sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian. &nbsp

30 tetor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në mjediset e Pallatit të Brigadave Presidentin e Republikës së Hungarisë, Lazlo Solyom, i cili me ftesë të Kryetarit të Shtetit shqiptar viziton zyrtarisht vendin tonë në datat 30-31 tetor 2009, në krye të një delegacioni të gjerë.

Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, me ekzekutimin e himneve kombëtare të vendeve respektive dhe paradës së nderit, dy Presidentët patën një takim kokë më kokë. Në vijim, ata drejtuan bisedimet bilaterale të delegacioneve, në përfundim të së cilëve u nënshkruan në prani të dy Presidentëve protokolli “Për zbatimin e mërrëveshjes midis Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar” dhe “Përafrimi i Marrëveshjes së bashkëpunimit ekonomik midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Hungarisë”.

Në përfundim, Presidenti Topi dhe Presidenti i Hungarisë, Solyom, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Presidenti Topi: Përshëndetje!
I nderuar zoti President!

Më lejoni që edhe para përfaqësuesve të medias t’ju falënderoj për vizitën tuaj në Shqipëri, t’ju falënderoj që mirëpritët dhe realizuat në një kohë shumë të shpejtë këtë vizitë dhe padyshim kjo vizitë është tregues i një marrëdhënieje të shkëlqyer që ekziston midis dy vendeve tona! Jo rastësisht po shprehem me këto terma të shkëlqyera, sepse ka mjaft momente të këtyre marrëdhënieve që demostrojnë këtë marrëdhënie shumë bashkëpunuese në të gjitha fushat. Ne ju falënderojmë pa masë për tërë mbështetjen që keni dhënë për Shqipërinë në rrugën e integrimit euro-atlantik, për ratifikimin në një kohë shumë të shpejtë të protokolleve në kuadrin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për ratifikimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, për rolin tuaj të rëndësishëm në kuadrin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, rolin tuaj të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit të rajonit, për inkurajimin e marrëdhënive bilaterale dhe padyshim në intensifikimin e dialogut politik që arrijnë nivelin më të lartë të vizitës me ardhjen tuaj në Shqipëri.

Kemi diskutuar me zotin President rreth çështjeve shumë të rëndësishme jo thjesht të bashkëpunimit bilateral, por dhe me çështje që kanë të bëjnë me rajonin, me Evropën, por mund t’ju them që çështjet më sensitive janë ato që kanë të bëjnë me nevojën e domosdoshme të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Kjo marrëdhënie nuk fillon nga fillimi, sepse ekziston një traditë të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Sot shanset janë maksimale, sepse dy vendet tona jo vetëm që janë vende të lira, janë vende që aspirojnë ekonominë e tregut, janë dy vende të NATO-s, së shpejti do të jemi dy vende të Bashkimit Evropian dhe padyshim që Shqipëria është e hapur që investitorët hungarezë të vijnë e të kontribuojnë në fusha me interes reciprok. Ne jemi krenarë për bregdetin tonë, falë Zotit që na ka dhuruar këtë bukuri të mrekullueshme që dëshirojmë t’i vëmë në dispozicion edhe të turizmit hungarez në Shqipëri, qoftë investitorëve, qoftë dhe turistëve duke siguruar standarde në radhë të parë të sigurisë dhe të qetësisë, dhe mikëpritjen që është karakteristikë e popullit shqiptar.

Ka fusha të ndryshme me interes për investitorët hungarezë qoftë në energjitikë, në fushën minerare, në infrastrukturë dhe në riaktivizimin e lëvizjeve të biznesit në fushën e bujqësisë, të blektorisë, të farmaceutikës, në fusha të tjera me interes reciprok.

Kemi folur gjatë për çështjen e liberalizimit të vizave. Kam parë një predispozicion të lartë të Presidentit për të mbështetur procesin e liberalizimit të vizave. E informova zotin President për të gjithë predispozicionin e lartë të strukturave të shtetit shqiptar për të realizuar në kohë çështjen e pajisjes me pasaporta biometrike dhe kam shprehur në mënyrë të qartë dëshirën që vendet e Bashkimit Evropian ta mbështesin këtë proces duke i trajtuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në të njëjtën mënyrë në funksion të kohës, sepse vendet tona kanë bërë përparime të ndjeshme, por për Shqipërinë ka dy momente shumë të rëndësishme për t’u cituar: Shqipëria është vend i NATO, ku ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm moderator në situatën ballkanike. Çka presupozon që janë dy kushte substanciale në lidhje me integrimin të jenë pikë referimi për t’u marrë në konsideratë. Shqipëria ka luajtur dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit, trafiqeve dhe çdo ditë bëhen përpjekje maksimale për forcimin e shtetit ligjor.

Kemi diskutuar për Kosovën. E kam falënderuar zotin President për qëndrimin e Hungarisë ndaj shtetit të ri të Kosovës. i kam prezantuar qëndrimin e institucioneve shqiptare kundrejt këtij realiteti të ri në Ballkan. Kemi qenë të të njëjtin mendim që stabiliteti në Kosovë kontribuon në stabilitetin rajonal. Sot mbas gati dy vjetësh; për të qenë i saktë vetëm në 17 shkurt mbushen dy vjet nga pavarësia. Lidershipi politik në Kosovë ka dhënë garanci për ndërtimin e një shteti multietnik. 15 nëntori, kur do zhvillohen zgjedhjet e pushtetit vendor në Kosovë na ofron një klimë paraelektorale shumë civile duke i dhënë shanse të barabarta të gjithë përkatësive etnike në shtetin e ri të Kosovës.

I nderuar zoti President, më lejoni që përtej falënderimeve dhe kontributit tuaj të shquar në forcimin e këtyre marrëdhënieve. Ju siguroj që Shqipëria dhe institucionet e saj do të jenë shumë luajale në këtë partneritet dhe në funksion të asaj tradite të lashtë që e kanë dy popujt dhe vendet tona. Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu kishte një aleancë jashtëzakonisht të ngushtë me heroin tuaj Huniadin. Ne jetojmë në kohë modern, por asnjëherë nuk duhet të harrojmë miqësinë e vjetër, gjë që e konstatova dhe në bisedat që bëmë së bashku.
Falemnderit!

Presidenti Solyom: Zonja dhe zotërinj! Ishte kënaqësia ime që iu përgjigja pozitivisht ftesës së zotit President. Kjo vizitë, ashtu si dhe vizita e zotit Topi në qershor në Budapest është një demostrim i marrëdhënieve të mira midis dy vendeve tona. Kjo vizitë tregon gjithashtu dhe përkushtimin e Hungarisë për të vepruar në drejtim të stabilitetit të Ballkanit dhe ngushtimit të hapësirave në drejtim të Bashkimit Evropian.

Me zotin President folëm gjithashtu dhe për situatën politike në Shqipëri dhe Hungaria e vlerëson lart rolin stabilizues dhe mediator të Presidentit Topi për të arritur një dialog të ri politik, në mënyrë që edhe institucionet demokratike të fuksionojnë normalisht. Gjithashtu bashkësia ndërkombëtare e shikon si të rëndësishëm dhe një funksionim normal të parlamentit në Shqipëri. Përsa i përket marrëdhënieve politike midis dy vendeve tona, ne gëzojmë një harmoni të plotë. Megjithatë marrëdhëniet tona ekonomike janë më prapa dhe nuk i përgjigjen nivelit politik. Ne shpresojmë që do të ketë një intensifikim të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe këtij qëllimi i shërben dhe nënshkrimi i marrëveshjeve, në të cilat sapo ishim dëshmitarë. Gjithashtu ne presim që këto lidhje të forcohen e të intensifikohen edhe gjatë Panairit që do të mbahet në Tiranë ku do të vijnë dhe investitorë dhe kompani hungareze. Ne shpresojmë vërtetë që gjatë këtij Panairi biznesmenët shqiptarë dhe ata hungarezë do të krijojnë lidhje të reja.

Zoti President sapo renditi ato fusha ku ne kemi prospekte të mira për bashkëpunim dhe në këtë pikë do të doja të tërhiqja vëmendjen në ndihmën shumë të ngushtë në skemat e ndihmës financiare ose në kredi, të cilat Hungaria i ofron me një interes shumë të ulët. Gjithashtu do të doja të tërhiqja vëmendjen në faktin që Bashkimi Evropian jep mjete të paraintegrimit në mënyrë që të zhvillohet ekonomia juaj. Përsa i përket bisedimit tonë për marrëdhëniet e jashtme dhe politikën e jashtme tema kryesore është përmbushja e prespektivës shqiptare drejt Bashkimit Evropian, por unë gjithashtu e urova Presidentin Topi dhe për hyrjen e Shqipërisë në NATO.

Unë dëshiroj të vë në dukje se Hungaria ashtu siç ka bërë edhe më parë do të vazhdojë të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave. Ne besojmë që kjo është thjesht një çështje teknike, sepse nëqoftëse Shqipëria do të arrijë të përmbushë dhe të kënaqë kërkesat teknike siç është pajisja e qytetarëve me dokumenta ose kontrolli i mirë i kufijve, atëherë ne mendojmë se kjo çështje do të zgjidhet deri në fund të verës së ardhshme. Hungaria jo vetëm do të ofrojë mbështetjen në kuadrin e Bashkimit Evropian dhe është gati të ofrojë edhe kurse specifike përgatitjeje për zyrtarët shqiptarë në drejtim të përmbushjes së këtyre çështjeve teknike.

Ndërsa folëm për politikën e jashtme dëshiroj edhe një herë të vlerësoj rolin moderator dhe të rëndësishëm të Shqipërisë për qëndrueshmërinë e rajonit. Shqipëria është një shembull shumë i mirë se si mund të punohet e të arrihet qëndrueshmëria ashtu dhe balancimi duke pasur parasysh se Shqipëria ka shumë bashkëkombas, të cilët i ka jashtë kufijve të saj. Është shumë e rëndësishmë për ne si dhe për të ardhmen e Ballkanit që të vazhdojmë të shikojmë këtë lloj qëndrimi të Shqipërisë dhe të marrim shembull prej saj duke pasur parasysh qëndrimin që ajo ka mbajtur ndaj çështjes së Kosovës. Jo vetëm ka mbështetur çështjen e zgjidhjes së saj, por ka krijuar dhe një përfytyrim të ri përsa i përket ardhshmërisë së Kosovës në strukturat euro-atlantike. Gjithashtu me zotin President biseduam edhe për rastet që ndodhin në Evropë kur një komb ose shtet politik është i rrethuar nga kultura dhe pakica etnike e të njëjtit komb, të cilët jetojnë jashtë kufijve të saj domethënë kur kufijtë politikë nuk përputhen me kufijtë etnikë. Dallimi për të cilën Hungaria është përpjekur që të pranohet edhe në kuadrin e BE. Pikërisht nocioni i kombeve politike të bazuar në qytetarinë dhe nocioni i pakicave kombëtare, të cilat janë shpërndarë dhe kjo mund të përkthehet në kombin kulturor, i cili bashkohet nga një kulturë e njëjtë, tradita të njëjta, zakone të njëjta, gjuhë e njëjtë, por që nuk përputhen në një territor me kufij të përcaktuar politikisht. Ky koncept respekton kufijtë dhe sovranitetin e shteteve dhe nuk shpreh asnjë lloj dëshire për të ndryshuar kufijtë dhe nga ana tjetër krijon kushtet e nevojshme dhe bazat e duhura për këto bashkësi që të ekzistojnë dhe të ruajnë integritetin e tyre.

Dhe për të përmbledhur të gjitha frazat tona, jam shumë i sigurt që ky takim do t’ë japë zhvillime të mëtejshme marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve tona dhe nga ana tjetër do të forcojë gjithashtu dhe partneritetin tonë përsa i përket integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Falemnderit!

NEWS 24: Përshëndetje! Kam nga një pyetje për secilin President të nderuar. Fillimisht për Presidentin e Republikës së Hungarisë. Hungaria në vitin 2011 do të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Ndërkohë ju si e shikoni deri tani hezitimin e Bashkimit Evropian për të shqyrtuar kandidaturën që vendi ynë ka paraqitur për të qenë pjesë e familjes evropiane? Dhe për ju, President i Republikës së Shqipërisë. Ju folët pak në fjalën tuaj për rolin e Shqipërisë në rajon tashmë kur ajo është dhe një anëtare e re e NATO-s. A mendoni të jemi pak më këmbëngulës për rolin konkret që ka, apo që duhet të ketë Shqipëria në rajon lidhur me kushtet ku është aktualisht Ballkani dhe diçka shumë të shkurtër lidhur me atë që tha dhe Presidenti i Hungarisë së fundi në fjalën e tij për marrëdhëniet e kombit përtej kufijve. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë deklaratë të Presidentit të Hungarisë?

Presidenti hungarez Solyom: Ka një politikë të qartë të Bashkimit Evropian dhe natyrisht që Bashkimi Evropian do të dëshironte që të integronte vendet e Ballkanit, sepse qëndrueshmëria e Ballkanit mund të përkthehet në të vetmen njësi matëse që e ardhmja dhe qëndrueshmëria e Ballkanit qëndron dhe përbëhet nga fakti se ato do të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Dhe Ballkani është i rrethuar nga të gjithë krahët me vende të Bashkimit Evropian, nga njëra anë keni Rumaninë, Bullgarinë dhe Greqinë dhe nga ana tjetër keni Slloveninë dhe Italinë, kështu që dhe Shqipëria mund të konsiderohet si e rrethuar nga krahët e Bashkimit Evropian. Është në interesin thelbësor të Bashkimit Evropian që mes këtyre dy krahëve të mos ketë një hapësirë, e cila të vuajë nga pasiguria politike dhe ekonomike. Kur të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, Hungaria do të ruajë pozicionin e saj në favor të zgjerimit të BE-së edhe pse mund të ketë shtete të tjera, të cilat hezitojnë që ta mbështesin këtë zgjerim. Hungaria nuk mendon se hyrja në Bashkimin Evropian duhet të merret në konsideratë në bazë grupi ose shporte, por është e mendimit që çdo vend duhet të vlerësohet sipas arritjeve dhe standardeve individuale. Por, para se të bëhet integrimi kushtet e plota duhen të plotësohen nga secili vend, sepse nuk është e lejueshme që në Bashkimin Evropian të hyjnë vende thjesht për arsye politike. Por, ne nuk mund të flasim për data të preçizuara që më parë, sepse nuk dihet si do të shkojë ecuria e përmbushjes së standardeve të vendeve të ndryshme. Por, ashtu sikundër e thashë ndërkohë, Hungaria jo vetëm është përkushtuar për të qenë në favor të integrimit, por ndjen edhe një farë përgjegjësie për ecurinë dhe integrimin e mëvonshëm eventual të të gjitha vendeve të Ballkanit.

Presidenti Topi: Në lidhje me pyetjen tuaja. Natyrisht, thashë pak për të qenë racional. Kjo është një temë e dëshiruar nga të gjithë shqiptarët, që historia mizorisht i ka ndarë në disa pjesë. Unë mendoj që çdo ditë punohet shumë jo thjesht nga institucionet, por dhe nga faktori njerëzor në terren, për të realizuar atë që u prononcua në mënyrë shumë të qartë dhe nga Presidenti hungarez që përtej kufijve politikë nuk duhet të ketë kufij të bashkëpunimit kulturor. Ne kemi qenë shumë tërheqës për kulturën botërore dhe ju e dini po aq mirë sa dhe unë që kultura nuk njeh kufij dhe tashmë është një nocion global, kështu që kemi të gjitha arsyet natyrale, njerëzore që të riaktivizojmë të gjitha lidhjet historike dhe kulturore që janë pjesë e të njëjtit konstituicon. Shqiptarët jetojnë në Shqipëri, jetojnë në Kosovë, jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi, në Turqi, jetojnë në Egjipt, në Siri, jetojnë në Evropë, jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jetojnë kudo. Por, në këtë realitet shumë specifik në të njëjtin rajon, institucionet duhet të bëjnë maksimumin e tyre që të intesifikojnë marrëdhëniet aty ku ekzistojnë dhe të riaktivizojnë këto marrëdhënie aty ku janë të vakta. Janë bërë përparime të dukshme falë rregullimit të infrastrukturave, falë dimensioneve të reja politike që ka marrë rajoni ynë. Vërtet ne po lidhemi me rrugë, por një falenderim i veçantë duhet dhënë për mediat, të cilat kanë qënë të parat që kanë shpërthyer kufijtë. Sot faktori shqiptar në rajon sintonizohet në të njëjtat ndjeshmëri, ka filluar që t’i largohet dialektalizmave dhe t’i afrohet gjithnjë e më shumë një gjuhe, gjuhës zyrtare. Do të falenderoja këtu të gjitha shoqatat, të cilat çdo ditë zhvillojnë aktivitetin e tyre. Unë jam shumë i bindur që kjo ndjeshmëri është tek çdo shqiptar që jeton në shtete të ndryshme të Evropës. Ne punojmë intensivisht me faktorin politik në Kosovë, me partitë shqiptare në Maqedoni, partitë shqiptare në Mal të Zi dhe tek të gjithë është i njëjti shqetësim që përtej dialogut politik, i cili është, do të thoja në nivelet më të mira të mundshme të mbajnë gjallë traditën, ta pasurojnë, sepse është jo vetëm një kusht i domosdoshëm që vjen nga Këshilli i Evropës, por është një kërkesë njerëzore e çdo njeriu. Më lejoni të them që në këtë nivel jashtëzakonisht të mirë të stabilitetit rajonal rol ka jo vetëm politika dhe institucionet, por edhe faktori shqiptar në rajon, i cili ka ditur që në momente shumë delikate të tejkalojë edhe kriza të karakterit politik dhe ka qenë inspirues edhe për dialogun politik. Kështu që bie dakord dhe me atë që tha Presidenti që dialogu kulturor, dialogu njerëzor, në kontekstin e hitorisë dhe të rrënjëve gjenetike, jo vetëm që nuk do e pengojë hapjen e kufijve politikë në kuadrin e Evropës së Bashkuar, por do ta përshpejtojë.

TOP-NEWS: Një pyetje për Presidentin Topi. Po flasim për kufijtë dhe ato janë gjithnjë delikate. Prej javësh ka një debat shumë të fortë jo vetëm në media për çështjen e marrëveshjes për kufijtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Do të doja një përgjigje nga ju jo drejtuar politikës, por qytetarëve shqiptarë, të cilët e kanë pak të vështirë për arsye teknike që ta kuptojnë këtë debat se çfarë po ndodh me të vërtetë. Ju si garant i Kushtetutës, a mendoni se me këtë marrëveshje është cënuar Kushtetuta?

Presidenti Topi: Ju siguroj që do ju jap një përgjigje si shqiptar dhe si Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i cili ka në vetvete dy përgjegjësi të mëdha. Një përgjegjësi kushtetuese si garant i Kushtetutës dhe interesave të popullit tim dhe përgjegjësia tjetër është individuale, qytetare, është personale. E kam ndjekur prej kohësh këtë problem dhe vazhdoj ta ndjek me interes, sigurisht jo vetëm nëpërmjet medias, por edhe nëpërmjet aktorëve institucionalë, edhe nëpërmjet ekspertëve. Unë i falenderoj të gjithë për ndjeshmërinë. Por, si President ju bëj thirrje që brenda kësaj ndjeshmërie duhet të keni besim tek institucionet e shtetit shqiptar, sepse ato do të dinë të përmbushin me shumë luajalitet misionin e tyre, i cili në kontekste të tilla konsiderohet si një mision historik. Unë nuk mund t’ju them diça definitive sot, sepse ende ka një proces që nuk është finalizuar, por ka dhe një kërkesë nga Gjykatën Kushtetuese nga opozita, por ka edhe një procedurë në vazhdim që është në Parlamentin shqiptar. Sot nuk jetojmë thjesht në kohën e marrëdhënieve të izoluara bilaterale. Ka një realitet të ri që edhe Shqipëria, edhe Greqia, edhe Italia që interceptohen në të njëjta ujra janë vende të NATO-s. Sot ka kaluar edhe ajo mendësi arkaike për të matur me metër. Kush më shumë sesa vendet e NATO-s kanë teknologjinë më të lartë të përcaktimit edhe me milimetra? Do të jetë një proces i monitoruar me imtësi. Dhe i siguroj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që të jenë të qetë në të gjitha zgjidhjet institucionale, sepse do të jenë zgjidhje shumë korrekte që edhe në versionin më të papranueshëm ndokush do të merrte mbi supe përgjegjësi historike. Kështu që kini besim tek morali i përfaqësuesve të shtetit shqiptar. Kjo do të thotë që përtej besimit duhet të ketë një marrëdhënie transparence të plotë me marrjen në konsideratë të ekspertizave në institucione, duke na bërë që të jemi të qetë që në aktin final ne të jemi plotësisht me të drejtat tona, konform rregullave, të cilat janë ratifikuar dhe nga Parlamenti shqiptar përsa i përket marrëdhënieve ndërkombëtar që kanë të bëjnë dhe me ligjet e detit. Falemnderit edhe një herë për ndjeshmërinë, e cila vjen edhe nëpërmjet pyetjes suaj!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›