Kryeministri Berisha fton biznesin kinez të investojë në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha dhe Zëvendëskryeministri i Republikës Popullore të Kinës Zhang Dejiang, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, përshëndetën sot Forumin e Biznesit Kinezo-Shqiptar. Në këtë Forum, ku morën pjesë 70 kompani kineze dhe 110 kompani shqiptare, u diskutua mbi forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis Shqipërisë dhe Kinës, prezantimin e potencialeve që ofron Shqipëria për investime dhe fushat me interes të përbashkët, si dhe rritjen e dinamizmit të bashkëpunimit midis biznesit shqiptar dhe atij kinez.
Kryeministri Berisha, duke përshëndetur punimet e Forumit, tha se qeveria shqiptare ka bërë dhe bën përpjekje të mëdha për të krijuar klimën më të favorshme për biznesin shqiptar dhe atë të huaj. Reduktimi dhe eliminimi i burokracive që vështirësojnë dhe pengojnë investimet në vend; regjistrimi i biznesit brenda gjysmë ore, me një euro; heqja e dy të tretave të licencave dhe lejeve; krijimi i ‘one stop shop’ për lejet dhe licencat; vendosja e parimit ‘heshtja është miratim’; thjeshtimi i barrës fiskale mbi investitorët dhe niveli i taksave, më i ulëti në Europë, u konsideruan nga Kryeministri si drejtimet dhe arritjet themelore të qeverisë për klimën e biznesit.
Kryeministri Berisha ftoi kompanitë kineze të investojnë në Shqipëri, edhe në shembullin më të mirë të kompanive të mëdha kinezë në Shqipëri, Hawaii dhe ZTE, duke shprehur bindjen se investimet e tyre do të jenë një histori suksesi dhe se Shqipëria ofron potenciale të mëdha, veçanërisht në fushën energjetike, të turizmit, infrastrukturës, minierave etj.. Qeveria shqiptare, tha Kryeministri, është e gatshme t’i ofrojë biznesit kinez një zonë nga më të përshtatshmet në vend dhe me të gjitha lehtësirat e mundshme.
Ndërsa Zëvendëskryeministri kinez Zhang Dejiang, duke nënvizuar se marrëdhëniet midis dy vendeve tona kanë njohur zhvillim të gjithanshëm, tha se Shqipëria është partner shumë i rëndësishëm tregtar i Kinës në rajonin e Europës Juglindore. “Edhe me influencën e krizës financiare globale nga muaji janar deri në gusht të këtij viti, volumi i përgjithshëm i tregtisë midis Kinës dhe Shqipërisë prapë ka arritur një rritje 13.3 përqind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, e cila tregon vitalitet të paparë,” theksoi Zëvendëskryeministri Zhang Dejiang. Dy vendet, shtoi ai, kanë zhvilluar bashkëpunimin në fushat me interes dypalësh, si në fushën e telekomunikacionit, ndërtimit, minierave, infrastrukturës dhe teknologjisë së lartë. “Bashkëpunimi midis bizneseve tona, - u shpreh Zëvendëskryeministri Zhang Dejiang, - po bëhet gjithnjë e më i madh. Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar po ecën përpara drejt një niveli më të larta, me dimensione dhe përmasa më të mëdha. Dy vendet duhet të bëjnë përpjekje për të zgjeruar bashkëpunimin pragmatik dhe zgjerimin e mëtejshëm të përmasave të tregtisë dhe fushave të bashkëpunimit.” Zëvendskryeministri Zhang Dejiang tha se do të inkurajonte biznesin kinez për të investuar në Shqipëri.
Më poshtë, fjala e Kryeministrit Berisha në Forumin e Biznesit Kinezo-Shqiptar.
“Së pari, dëshiroj të falënderoj përzemërsisht Zëvendëskryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, zotin Zhang Dejiang për këtë vizitë, në një moment historik në marrëdhëniet midis dy kombeve dhe vendeve tona, në 60 vjetorin e marrëdhënieve midis dy vendeve. 60-vjetor, në të cilin unë gjej rastin t’i shpreh mirënjohjen më të thellë qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, Presidentit Hu Jintao, Kryeministrit Wen Jiabao, kombit kinez për mbështetjen e madhe, të jashtëzakonshme që në këto 60 vite i kanë dhënë kombit shqiptar.
60-vjetori është një moment solemn i një bilanci të madh. Populli kinez, në kuptimin më të vërtetë të fjalës, në ditët më të vështira për shqiptarët ka ndarë kafshatën me kombin shqiptar. Zoti Zhilla theksoi se në Durrës vinin vaporët me grurë, në një kohë kur kombi i madh kishte me dhjetëra, në mos qindra milionë qytetarë të tij që vuanin nga uria. Kina i dha një ndihmë shumë të madhe Shqipërisë, me dhjetëra e qindra uzina e fabrika, në të cilat u punësuan me dhjetëra, mijëra qytetarë shqiptarë.
Diplomacia shqiptare bëri përpjekjet më serioze që Republika Popullore e Kinës të zinte vendin e vet në Forumet e mëdha ndërkombëtare, Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Por në historinë e marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës ka një kapitull të ri dhe ky kapitull është nënshkruar nga Partia Komuniste e Kinës dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, forcat politike që sollën ndryshime epokale në vendet respektive.
Vizita e zotit Zhang, e shoqëruar nga një numër i madh përfaqësuesish të botës së biznesit të Republikës Popullore të Kinës, është një dëshmi e përpjekjeve të përbashkët të dy vendeve tona për prosperitetin dhe zhvillimin e dy vendeve, për fushat e reja të bashkëpunimit miqësor midis dy vendeve.
Këtu jemi në një forum biznesi, por unë nuk mund të mos theksoja këto momente shumë të rëndësishme në marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe të gjithanshme që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Këto marrëdhënie përbëjnë një bazë solide dhe shumë të fuqishme për veprimtarinë dhe investimet tuaja në Shqipëri.
Të nderuar përfaqësues të biznesit kinez,
ne sapo vijmë nga një takim ku diskutuam gjerësisht për këto marrëdhënie. Unë pata kënaqësinë të informoj Zëvendëskryeministrin Zhang dhe t’ju informoj edhe juve se Shqipëria ka bërë dhe bën përpjekje të mëdha për të krijuar klimën më të favorshme për biznesin shqiptar, biznesin ndërkombëtar dhe atë kinez. Qeveria ime u përqendrua në disa drejtime themelore për klimën e biznesit. Së pari, reduktimin dhe zhdukjen e burokracive që vështirësojnë dhe pengojnë investimet në vend. Sot, biznesi në Shqipëri regjistrohet brenda gjysmë ore, me një euro; dy të tretat e licencave dhe lejeve janë hequr; është krijuar ‘one stop shop’ për lejet dhe licencat; është vendosur parimi ‘heshtja është miratim’. Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për të thjeshtuar barrën fiskale mbi investitorët. Niveli i taksave në Shqipëri është më i ulët se në Republikën Popullore të Kinës, është më i ulëti në Europët; taksat mbi të ardhurat personale dhe ajo e korporatave është 10 përqind; taksa për kontributin e sigurimeve shoqërore është 15 përqind; nuk ka taksë për eksportet, as dhe importin e mallrave për eksport.
Shqipëria i ofron potenciale të mëdha biznesit kinez dhe atij botëror në shumë fusha, në atë të turizmit, energjisë, ka tregun e punës më të leverdishëm në Europë në fushën e industrisë dhe manifakturës. Në Shqipëri janë për t’u ndërtuar rreth 440 hidrocentrale të përmasave të ndryshme, ndër të cilat edhe më të mëdhenjtë në Europë. Qeveria ka firmosur 120 kontrata me investitorë shqiptarë dhe të huaj, të cilët do të ishin shumë të kënaqur dhe të gatshëm të bashkëpunonin me investitorët kinezë. Por janë me qindra e qindra të tjerë të cilët presin iniciativën tuaj të lirë për t’u ndërtuar. Shqipëria është e hapur ndaj formave të tjera të energjisë si energjisë së erës, energjisë solare, forma që Kina po përvetëson me shpejtësi, përfshi këtu edhe energjinë nukleare.
Turizmi në Shqipëri po merr hov të madh. Nga 300 mijë turistë në vitin 2004, këtë vit kishim 3 milion turistë. Kompani turistike kineze janë të ftuara të organizojnë dhe të nisin drejt Shqipërisë turistë, të cilët do të gjejnë këtu një trashëgimi kulturore ndër më të pasurat, mikpritje tradicionale, por më duhet të theksoj edhe çmimet 57 përqind më të ulëta se kudo tjetër në Europë. Kompanitë e mëdha kineze janë të ftuara të investojnë në fushën e turizmit në Shqipëri.
Shqipëria po përpiqet të transformojë me shpejtësi infrastrukturën e saj, portet, aeroportet, rrugët. Ne i mirëpresim kompanitë kineze të marrin pjesë në këto ndërtime të mëdha. Ujërat e Shqipërisë së Jugut janë më të thellat në rajon dhe më të përshtatshme për portet e mëdha, njëri prej të cilëve do të ndërtohet në Vlorë.
Për investitorët kinezë, në një shikim të parë, Shqipëria është një vend dhe treg i vogël. Por nuk duhet të harrojmë se është vendosur në zemër të tregut më të madh të botës dhe disponon të gjitha marrëveshjet ligjore për eksport në mbarë Europën dhe më gjerë. Ne po krijojmë zonat industriale, në të cilat janë të zgjidhura të gjitha problemet infrastrukturore, ligjore dhe investitori i huaj është i ftuar të investojë, të ndërtojë fabrikën, uzinën apo çfarëdo veprimtarie tjetër në këto zona. Unë e sigurova Zëvendëskryeministrin se qeveria ime është e gatshme t’i ofrojë biznesit kinez një zonë nga më të përshtatshmet në vend, me të gjitha lehtësirat e mundshme. Mckenzie, kompania prestigjioze bëri një studim për luginën Tiranë-Durrës dhe konkludoi se përsa i përket kushteve, ajo paraqet një Shenzhen të Europës.
Shqipëria është një vend shumë i pasur në minerale dhe miniera. Ka një traditë të konsoliduar të marrëdhënieve tregtare në këtë fushë midis dy vendeve. Shqipëria është një ndër 3-4 vendet më të pasura në botë me krom, është e pasur në nikel, bakër, ferronikel dhe mineral hekuri. Kompanitë kineze janë të mirëpritura të investojnë në këto fusha. Unë ju siguroj se në shembullin më të mirë të kompanive të mëdha kineze që operojnë në Shqipëri Hawaii, ZTE etj. ju do të gjeni këtu një vend shumë mikpritës dhe të favorshëm dhe do të keni një histori të vërtetë suksesi në projektet tuaja, do të gjeni kushte shumë të favorshme dhe një mik të vërtetë prapa përpjekjeve tuaja dhe ky mik është qeveria ime. Faleminderit.”
30/10/2009