E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret akademistët e Kursit të Lartë të Oficerit.

3 dhjetor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, priti sot paradite në Presidencë grupin e akademistëve të Kursit të Lartë njëvjeçar të Oficerit, që po zhvillohet në kuadrin e Akademisë Ushtarake.

Presidenti Topi zhvilloi një takim të ngrohtë dhe miqësor me akademistët dhe pedagogët e tyre, të cilët e informuan Komandantin e Përgjithshëm rreth praktikave mësimore, qëllimeve të kursit për të përgatitur sa më cilësisht dhe bashkërenduar veprimet e forcave tona të armatosura me standardet më të mira të vendeve të NATO-s. Në këtë kuadër akademistët dhe pedagogët e tyre, pasi e falenderuan Kreun e shtetit për pritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme, bënë një panoramë të detajuar të programit të kursit, që është i njësuar me ato të vendeve të NATO-s dhe veçanërisht me ato të shkollave ushtarake amerikane. Kursantët vunë në dukje edhe mundësitë e ofruara që ata të ndjekin edhe ligjërues nga shkolla të ndryshme të vendeve aleate, të kryejnë vizita në Komandën e Napolit, në institucionet kushtetuese, etj., në mënyrë që të përvetësojnë doktrinën ushtarake, taktikat dhe dijet më të mira për të qenë sa më të përgatitur në pjesëmarrjet dhe kontributin e ardhshëm në misionet paqeruajtëse dhe për situata të emergjencës civile.

Presidenti Topi shprehu kënaqësinë për këtë takim, që nuk është vetëm një detyrim institucional, duke theksuar rëndësinë e kompletimit të nivelit akademik si dhe rritjen dhe përsosjen e cilësisë së kuadrove ushtarake, sidomos sot “kur jemi edhe në prag të 97-vjetorit të themelimit të Forcave të Armatosura shqiptare”.

Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi vlerën e këtij kursi dhe fillimin e këtij procesi institucionalizues, që do të shërbejë si pikë e rëndësishme referimi për të gjithë ata kuadro ushtarake që do të kërkojnë të kualifikohen më tej në të ardhmen. Njëkohësisht Presidenti Topi, pasi vlerësoi profesionalizmin, displinën dhe përgatitjen e pëlqyeshme të ushtarakëve tanë gjatë misioneve paqeruajtëse anembanë globit, vuri në dukje se pas hyrjes së vendit tonë në aleancën më të madhe të paqes e sigurisë në botë, “Shqipërinë e pret një punë e jashtëzakonshme drejt përsosjes së mëtejshme të standardeve dhe vazhdimit të demonstrimit se është një partnere shumë luajale e aleatëve tanë në NATO”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›