FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË CEREMONINË E 97-VJETORIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË.

4 dhjetor 2009
I nderuar zoti Ministër i Mbrojtjes,
I nderuar Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë,
Të nderuar atashe ushtarakë,
Zonja dhe zotërinj, miq e të ftuar,
Të dashur ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë,
Oficerë, nënoficerë dhe ushtarë,
Kam nderin e madh t’ju drejtohem juve sot, në këtë ditë të shënuar për ju dhe për të gjithë shqiptarët.
Dëshiroj me gjithë zemër t’ju uroj përvjetorin e 97-të formimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë e në të njëjtën kohë t’ju përgëzoj për sukseset e arritura dhe objektivat e përmbushura.
Sot është dita kur të gjithë ne kujtojmë historinë e lindjes, formimit dhe konsolidimit të Forcave tona të Armatosura, që, ashtu si historia e shtetit shqiptar, kanë rrugëtuar mes vështirësish, sakrificash dhe sfidash, të cilat duhet të na ndihmojnë të shikojmë më të sigurt të ardhmen e në të njëjtën kohë të na qartësojnë qëllimin për të cilin ato janë formuar dhe të cilit i shërbejnë me besnikëri.
Por sot është dita të kujtojmë e të nderojmë me shumë respekt të rënët dhe dëshmorët e atdheut, pa gjakun, sakrificat dhe shembullin e tyre Forcat e Armatosura nuk do të ishin këto që janë dhe historia e tyre nuk do të ishte kaq dinjitoze sa është. Ata mbeten patriotë, heronj dhe simbol i së vërtetës, për të cilën dhanë jetën dhe u ndanë nga familjet dhe të dashurit e tyre.
Sot është dita kur Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë duhet të jenë shumë krenare. Ato janë të tilla, sepse rreshtohen, ashtu sikurse jeni rreshtuar ju sot, me dinjitetin e një Force të Armatosur, anëtare të NATO-s, aleancës më të madhe globale të sigurisë, paqes, lirisë dhe demokracisë.
Ato janë krenare, sepse qëndrojnë në krah të ushtarakëve të vendeve më të mëdha në misionet paqeruajtëse në Afganistan, Çad e Bosnje-Hercegovinë dhe janë të vendosura të përmbushin me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi qëllimin e përbashkët e të përballen me trimëri dhe dinjitet me sfidat.
Forcat tona të Armatosura duhet të jenë krenare, sepse arritën, për një kohë të shkurtër, të përmbushin detyrimet dhe angazhimet sa në planin e reformimit të brendshëm aq edhe në atë të ngritjes së cilësisë dhe profesionalizmit të tyre. Ato përfaqësuan më së miri dëshirën dhe aspiratën e popullit shqiptar për t’u integruar në NATO dhe garantuan suksesin e këtij anëtarësimi.
Sot është dita kur të gjithë ne duhet të shprehim një mirënjohje të sinqertë për të gjitha vendet aleate dhe mike, të cilat u përkushtuan së bashku me ne për të realizuar me sukses reformimin e Forcave tona të Armatosura, të cilat na ndihmuan që edhe Shqipëria të anëtarësohet në NATO, të cilat na besuan të ndanin me ne përgjegjësitë, sfidat dhe vendim-marrjet e rëndësishme globale.
Të dashur ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë,
Si President i Republikës dhe si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dëshiroj t’ju siguroj për mbështetjen time si në rrugën e përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë dhe profesionalizmit ashtu edhe në përmbushjen me sukses të detyrave tuaja të rëndësishme, brenda dhe jashtë vendit.
Por sot është dita kur duhet të mendojmë për nesër.
Sot është dita jo vetëm për të ndërtuar të ardhmen, por edhe për ta mbrojtur dhe siguruar atë. Kjo është një detyrë jo e lehtë, por jo e parealizueshme. Suksesi varet nga vullneti, trimëria, përgjegjshmëria, pasioni, besnikëria, patriotizmi dhe profesionalizmi që ju do të tregoni.
Unë jam i bindur se të gjitha këto cilësi dhe virtyte, të trashëguara nga historia e kombit tonë, do të dini t’i vendosni në piedestalin e lirisë dhe të paqes, me qëllimin e vetëm për t’u shërbyer atyre dhe që flamuri shqiptar që ju përfaqësoni dhe mbroni, Shqipëria, populli shqiptar, familjet dhe fëmijët tuaj të ndihen krenarë për ju dhe veprën tuaj.
Me këtë rast, të ditës së krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, unë ju uroj gëzuar, suksese në misionin tuaj fisnik, shëndet në familjet tuaja!
Rroftë Shqipëria!