E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi ndan së bashku me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu gëzimin për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

24 korrik 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot një takim pune me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë të cilit, e uroi edhe një herë homologun kosovar për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës, duke ndarë me të gëzimin dhe bindjen se ky vendim ishte një tjetër hap i rëndësishëm për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe aspiratat e tij integruese.

Pas takimit të zhvilluar në Hotelin “Rogner” në Tiranë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi dhe ai i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu iu përgjigjën interesimit të mediave të shumta të pranishme.

Presidenti Topi: Përshëndetje! Pata kënaqësinë e madhe që të mirëpres në një takim, në një mëngjes pune, që do të thotë një takim informal, Presidentin e Kosovës, zotin Sejdiu, me të cilin ndamë edhe njëherë gëzimin e përbashkët për vendimin e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që sanksionoi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës si një shtet të lirë, sovran dhe të pavarur.

Padiskutim që është një moment madhor, që shton në mënyrë të ndjeshme besueshmërinë e shtetit të ri të Kosovës dhe e fut atë në një rrjedhë të re të njohjeve të reja, të një bashkëpunimi më institucional në rajon. Ju e dini që janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme gjatë këtyre dy viteve. Më lejoni ta them unë këtë, sepse ndoshta Presidenti Sejdiu mund të flasë më pak për veten e tij! Do ta përgëzoj Presidentin Sejdiu për një rol të jashtëzakonshëm së bashku me lidershipin politik në Kosovë, për ndryshimin e menjëhershëm të imazhit të shtetit të ri të Kosovës, i cili është ndërtuar mbi bazat e multi-etnicitetit dhe mbi baza reale të kësaj filozofie! Gjatë kësaj periudhe ka patur një inkursion të rëndësishëm diplomatik nga Kosova, nga Shqipëria, edhe nga partnerët tanë të rëndësishëm ndërkombëtarë për ta zgjeruar bazën, për ta konsoliduar njohjen e gjerë ndërkombëtare të Kosovës.

Mendoj që është një erë e re e bashkëpunimit rajonal ku faktorët ndihen më të çliruar. Uroj që edhe Serbia, lidershipi në Serbi, ta vlerësojë këtë realitet të ri! Ishin ata që e dërguan çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare. Janë ata të parët që duhet të pranojnë verdiktin e Gjykatës, sepse ky është pozicioni që kanë krijuar. Duhet të pranojnë vendimin e asaj Gjykate, e cila në një rast të një shembulli ekstrem të profesionalizmit, me një vlerësim analitik, të cilin besoj se e keni ndjekur të gjithë, vërtetoi në mënyrë shumë profesionale legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Së bashku me Presidentin Sejdiu diskutuam për të ardhmen e raporteve tona edhe në kontekstin rajonal. Ju e keni parë që janë zhvilluar disa takime. Ne mendojmë se këto takime duhet të zgjerohen! Në nëtor Shqipëria do të jetë organizatore e Forumit Rajonal Ekonomik Ballkanik me pjesëmarrjen e të gjithë presidentëve të rajonit. Unë shpresoj që kësaj ftese edhe Presidenti Tadiç do t’i përgjigjet duke qenë pjesë e një filozofie të re në rajon! Ne do të bashkëpunojmë nën një frymë të lirë, komunikuese, sepse të gjitha vendet janë projektuar me një vizion të përbashkët integrues euro-atlantik.

Edhe njëherë përgëzime, President Sejdiu! Urimet më të mira! Pastë Kosova të njëjtin fat që kanë edhe vendet e tjera, sikurse e ka edhe Shqipëria, që po projektohet e po integrohet jo vetëm në NATO, por edhe në Bashkimin Evropian! Urime!

Presidenti Sejdiu: Unë nuk ka shumë për t’u shtuar këtyre që tha Presidenti Topi. Është vërtetë një vizitë e imja informale. Kisha dëshirën që thjesht të kapërcej për së pari rrugën e re dhe kisha emocione, t’ju them të drejtën. Një rrugë që ka qenë shumë e vështirë të kapërcehet në pesë, gjashtë a shtatë orë. Të nisesh nga Prishtina në orën shtatë pa një çerek dhe të jesh para orës dhjetë në Tiranë me një ecje të ngadalshme, kjo është një mrekulli. Kjo është bërë falë angazhimit të madh që keni bërë si vend dhe unë them se nëqoftë se në një kohë ne e kemi quajtur problematike pjesën e kapërcimit të rrugës në këtë hapësirë, tani ka mbetur pjesa e Kosovës për t’u bërë, sepse thamë një orë e pak më shumë nga Prishtina për pjesën e kapërcimit te Liqeni i Fierzës.

Ajo që edhe Presidenti Topi e tha: që është një kohë e veçantë e zhvillimeve tona, unë them që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të 22 korrikut për ne si vendim, por edhe si një ditë, është një ditë e bekuar, sepse i jepet një mbështetje e fuqishme drejtësisë, lirisë njerëzore dhe lirisë së Kosovës. Një mbështetje e fuqishme për verdiktin e madh të artikuluar më 17 shkurt të vitit 2008 nga përfaqësuesit e vendit. Prandaj vërtet ne cilësojmë se ka ardhur koha e zhvillimeve të reja, një epokë e re, në të cilën ne ftojmë që edhe Republika e Serbisë të jetë partnere e bashkëpunimeve, e bashkëpunimeve edhe rajonale, edhe të bashkëpunimeve të Serbisë në radhë të parë për paqen dhe stabilitetin, por edhe zhvillimeve të tjera që kanë të bëjnë me proceset integruese. Dhe them se Kosova e ka bërë të vetën me afrimin e të gjithë qasjes sonë të hershme, edhe të tanishme duke cilësuar gjithmonë se do të jemi shumë përgjegjës për zhvillimin e brendshëm të vendit. Relacionet që kemi me zhvillimin e të gjithave pakicave etnike, që të gjitha së bashku bëhen më pak se 10%, por gjithmonë jemi kujdesur për përgjegjësitë e shumicës.

Për ne është shumë me rëndësi që themi se Republika e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet mbështetëse e fuqishme e kauzës sonë edhe për lirinë, që ka qenë një vlerësim i madh, por edhe për zhvillimin e tanishëm dhe them se zhvillimet që kemi para vetes, objektivat që kemi para vetes, lëvizjet e fuqishme që janë bërë në këtë drejtim janë një taban i mirë. Posaçërisht lëvizjet e mira që Shqipëria i ka bërë me anëtarësimin në NATO. Edhe ne e kemi këtë objektiv dhe lëvizjen tjetër, që është natyrisht integrimi në Bashkimin Evropian. Kujtojmë që paralelisht do të vijnë momente që Kosova të krijojë edhe bonusin e menjëhershëm të njohjeve ndërkombëtare për të qenë anëtare edhe e Kombeve të Bashkuara. Pra ajo që ne e kemi nisur me anë të takimeve të rëndësishme të punës në nivel rajonal ku një përvojë e jashtëzakonshme qe ajo që filluam me Vlorën, për të vazhduar më vonë edhe me Ohrin dhe sivjet me Prizrenin, do të vazhdojë. Por në të njëjtën kohë unë them se kam marrë mesazhe të jashtëzakonshme mbështetëse nga burra shteti të vendeve të ndryshme, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por them edhe nga Bashkimi Evropian që inkurajojnë këtë model të punës, pra qasjen që kemi për zhvillimet e brendshme si vende veç e veç. Andaj them që edhe kjo periudhë e re, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, që realisht e ka kërkuar Serbia, sepse fundja nuk ka patur nevojë që të shkohet në një proces të tillë, që ne e kemi quajtur gjithmonë obstruim, apo pjesë për t’u vënë këmbëzën zhvillimeve tona, por ja vendimi është, përgjigja është dhënë dhe mendoj se janë këputur të gjitha fijet e tjera të tendencave apo përpjekjeve për të penguar proceset, që janë në favor të zhvillimit tonë të përgjithshëm, por edhe të rajonit, por që janë në favor natyrisht edhe të lirisë së njerëzve të Kosovës.

Unë vërtet këtë vizitë të tillë të momentit, e quaj të tillë, si edhe shkak për të kapërcyer edhe njëherë dhe për të shijuar bukuritë e kësaj rruge të re dhe në të njëjtën kohë për të pirë një kafe në Tiranë e për t’u kthyer në Prishtinë. Do të takoj edhe Kryeministrin Berisha, Dua ta falenderoj edhe atë për kontributin që ka, dhe të qeverisë shqiptare dhe ju them që kemi posaçërisht një vlerësim shumë të lartë për të gjithë rrjetin diplomatik të Republikës së Shqipërisë në vendet kyçe, që kanë thënë fjalën e tyre të vazhdueshme në bazë të instruksioneve që ju i keni dhënë në mbështetje të proceseve të mëdha që kemi kapërcyer. Ju falemnderit shumë!

Pyetje:Pas opinionit që ka dhënë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, cila do të jetë axhenda e Tiranës dhe e Prishtinës për lobimin e njohjeve të reja të Kosovës, ndërkohë që Serbia ka paralajmëruar që do t’i vazhdojë përpjekjet e saj në vende të ndryshme të botës? Ka mundësi që në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të sponzorizohet një rezolutë tjetër. Si e shikoni ju këtë moment?

Presidenti Topi:Së pari qoftë Kosova si një shtet i ri, i pavarur dhe sovran, qoftë Shqipëria nuk janë dipendentë të lëvizjeve diplomatike dhe politike të Serbisë. Është e drejta e saj të vazhdojë të kërkojë në një terren që nuk është në favor të saj. Gjithsesi edhe unë, edhe Presidenti Sejdiu do të marrim pjesë në sesionin e ardhshëm të punimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në shtator në Nju-Jork edhe njëherë të gjitha argumentet që tashmë ndihen më të konsoliduara nga pikëpamja juridike edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe agjë nuk do të lëvizë nga ky shtrat. Do të ketë një impenjim, sikurse ka qenë deri tani. Natyrisht më i kualifikuar, sepse kemi një element më shumë në dorë për të ushtruar të gjithë dimensionin tonë politik dhe diplomatik, për ta koordinuar atë dhe besoj që ky progres që është vërejtur gjatë këtyre dy viteve do të vazhdojë të ndihet më shumë hap pas hapi. Gjëra të reja do të ketë. Nga të gjitha bisedat që ne kemi patur me interlokutorë, kryesisht ndërkombëtarë, edhe të atyre vendeve që nuk e kanë njohur, por që e kanë kushtëzuar njohjen pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të thotë që do t’u drejtohemi në mënyrë që ata ta realizojnë çfarë kanë thënë verbalisht dhe ta zyrtarizojnë. Pra është një moment që na jep mundësinë që të koordinojmë veprimet politike dhe diplomatike për ta zgjeruar hartën e njohjes së Kosovës. Jam i bindur që kjo do të ndodhë shumë shpejt.

Presidenti Sejdiu:Unë them që do të bëjmë punë, absolutisht, me gjithë ekipet tona dhe mbështetësit tanë. Natyrisht që edhe Republika e Shqipërisë ka një angazhim të veçantë në këtë drejtim, siç e tha edhe Presidenti Topi. Një gjë mund të them: që rrota e historisë as nuk mund të ndalet dhe as nuk mund të kthehet pas! Rrjedha e përgjithshme është e mirë. Unë them se realisht do të ishte në favor edhe të popullit serb, edhe të Republikës së Serbisë si tërësi, që ndonjë tentativë e tillë, unë them se është esencialisht as e mirë dhe as racionale, në fjalën më të butë. Dhe mendoj që është me interes edhe për ta që pikërisht kjo heqje dorë të jetë një konfirmues i drejtëpërdrejtë i kthimit të madh, apo i orientimit të drejtë rreth vlerave ku do të orientohen të gjitha vendet e Evropës Juglindore. E di mirë që ekzistojnë qarqe jashtëzakonisht aktive të faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë, në këtë rast edhe të Bashkimit Evropian që të sinjalizojnë mbi Republikën e Serbisë. Do të ishte e kotë që të vazhdohej me qarqe të tilla, të cilët kanë si qëllim themelor të mbajnë peng dhe me iluzione në radhë të parë, vetë popullin serb. Pra është një pamundësi që të flasin me gjuhën e së vërtetës apo zhvillimeve që kanë ndodhur me ndërkombëtarët. Edhe me këtë vendim apo mbështetje ndërkombëtare që është dhënë në Gjykatë apo me vendimin e saj për të gjitha veprimet e mëdha që ka bërë Kosova, por në të njëjtën kohë edhe vende të tjera. Mbase tentojnë që t’i mbajnë në iluzion për t’i patur nën presion se gjoja Kosova mbetet një precedent i shqetësimeve për ta. E kemi thënë gjithmonë dhe është thënë me kohë edhe nga Presidenti Ahtisari që është vlerësuar pozitivisht edhe në këtë drejtim, edhe nga aspekti i gjuhës juridike, edhe nga Gjykata Ndërkombëtare që Kosova nuk është precedent për kërkënd dhe nuk është precedent as ai sihariqi i ri, dhe as vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare. Ai nuk mund të jetë shqetësim për askënd, sepse është një analizë shumë e thellë e dalë nga urtësia e njerëzve të dijes së thellë të vendeve të ndryshme që kanë punuar në mënyrë të paanshme dhe bazë themelore për ta kanë qenë argumentet e shtruara. Prandaj atë që kemi thënë në Prishtinë, që kemi thënë në Bruksel apo në Uashington, e themi edhe në Tiranë: deponimi i argumenteve që ka ofruar Kosova është në shumë shtresa apo në shumë rrafshe i parrëzueshëm dhe si i tillë është vlerësuar.

Unë dua të shpreh konsiderat e mia të larta edhe njëherë për të gjithë ekipin që ka punuar në këtë drejtim dhe ka thënë vetëm të vërtetën, por në të njëjtën kohë edhe një vlerësim të veçantë për këtë urtësi të tipit të veçantë, do të thoja, në kuptimin e studimit të thellë që ka patur Gjykata Ndërkombëtare. Unë nuk dua të ndaj njerëzit se si i kanë bërë peshimet e tyre të shqyrtimit të çështjes, por do të them që Gjykata dhe mendimi apo vendimi i saj është i përsosur.

Pyetje:Zoti President, nëqoftë se mazhoranca arrin të kalojë ligjin e SHISH-it, ju a do ta dekretoni?

Presidenti Topi: Edhe sot nuk mungojnë pyetjet nga politika. Unë po e ndjek me vëmendje këtë proces. Sigurisht që jam shumë i kujdesshëm për t’ju thënë edhe njëherë që nuk mund të paragjykoj asnjë lloj vendimi të Kuvendit, sepse Presidenti flet në momentin kur ka një vendimmarrje të Kuvendit dhe realizohet komunikimi zyrtar midis Institucionit të Kuvendit dhe Institucionit të Presidentit. Por ajo që mund të them në parim është se unë kam qenë dhe mbetem dhe do të jem gjithmonë luajal i parimeve fondamentale të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që është aleanca më e madhe e paqes dhe e sigurisë. Pra nga ky parim i madh natyrisht që dalin edhe përfundime të mëdha, të rëndësishme. Ju falemnderit!

Pyetje:Zoti Topi, për Gjykatën Kushtetuese. Ka mbaruar mandati i Kryetarit të kësaj Gjykate. Kur do ta sillni emrin në Parlament për t’u emëruar?

Presidenti Topi: Sigurisht që unë jam i kujdesshëm në të gjitha procedurat. Besoj që kur bëni pyetjen, duhet ta dini edhe rregullimin ligjor e kushtetues. Asgjë nuk e pengon Kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese të ushtrojë detyrimet e tij, por besoj që fillimi i sesionit të ri parlamentar do të sjellë edhe emra të rinj, që nuk kanë të bëjnë vetëm me kryetarin, por edhe me anëtarë të tjerë që janë të detyruar për të plotësojnë vendet vakante.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›