E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi nderohet me titullin “Qytetar Nderi” në Ferizaj për kontributin e dhënë për çështjen e Kosovës.

9 janar 2009
Prishtinë/Ferizaj, Kosovë

Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, Presidenti i Republikës, Prof.Dr. Bamir Topi zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Prishtinës, zotin Isa Mustafa. Kreu i shtetit u shpreh para mediave të pranishme: "Patëm kënaqësinë e veçantë që ishim së bashku me zotin Kryetar të Komunës së Prishtinës dhe me të gjithë përfaqësuesit e Kuvendit Komunal! Kam një emocion të veçantë, sepse ndjehem realisht qytetar i Prishtinës meqë kam marrë titullin ‘Qytetar Nderi’ i Prishtinës. Pata kënaqësinë gjithashtu që pashë dhe dëgjova njëkohësisht gjëra mjaft interesante që i takojnë perspektivës së zhvillimit urbanistik të Prishtinës, ide mjaft vizionare!

Ndamë mendimet dhe eksperincat dhe jam i bindur që Prishtina e viteve që vjen do të jetë një qytet shumë i bukur, me një kompozicion modern, do të jetë një qytet padiskutim europian, ashtu siç i takon vërtet Prishtinës të jetë".

Në përfundim të këtij takimi, së bashku me delegacionin zyrtar që kryeson, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë Teuta Topi vizituan Muzeun e Kosovës, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku u mirëpritën nga drejtues të këtyre institucioneve, të cilët i njohën vizitorët me historinë e themelimit, por edhe me brendinë dhe përmbajtjen e eksponateve të tyre. Presidenti Topi vlerësoi punën e jashtëzakonshme të akademikëve kosovarë për ruajtjen dhe pasurimin e traditave dhe vlerave kulturore e shkencore të kombit.

Përjetim i posaçëm ishte dhe vizita e Presidentit Topi në “Shpellën e Gadimes”, si dhe vizita në Kuvendin Komunal në Ferizaj, ku Kryetari i Shtetit shqiptar u prit në një atmosferë tepër të ngrohtë dhe vëllazërore e festive nga qytetarët e kësaj komune. Në prani të personaliteteve më të larta, të Kuvendit Komunal dhe Presidentit të Kosovës, Sejdiu, në vijim u zhvillua dhe ceremonia e dhënies nga Kryetari i Komunës, Bajrush Xhemaili së titullit “Qytetar Nderi” për Presidentin e Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi.

Motivacioni i dhënies së këtij titulli të nderuar, që u shoqërua edhe me dorëzimin e çelësit të artë të qytetit ishte: "Për kontribut në arritjen e pavarësisë së Kosovës, përfaqësim dinjitoz të interesave kombëtare të shqiptarëve kudo në botë dhe vlerësim i të arriturave të Ferizajt gjatë gjithë historisë. Tepër i emocionuar nga ky nderim i veçantë e kuptimplotë, Kreu i shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen duke theksuar se ky titull u përket të gjithë shqiptarëve, të cilët ai si President i Republikës së Shqipërisë i përfaqëson.

* * *

Ndërsa me interes është paraqitur në këtë ditë të dytë të vizitës dhe zhvillimi i një tryeze të rrumbullakët mes përfaqësuesve të biznesit shqiptar dhe atij kosovar, ku kanë marrë pjesë dy Presidentët, Topi dhe Sejdiu. Temë qëndrore e bisedimeve ishin mundësitë e reja për intensifikimin e bashkëpunimit dhe të zhvillimit të bizneseve të përbashkëta mes sipërmarrësve dhe investitorëve të dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjatë përshëndetjes së shkurtër të kësaj tryeze të rrumbullakët, e cila kulmoi me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, Presidenti i Republikës u shpreh se: "Pas një viti po takohemi në të njëjtin vend, me kujtime të pashlyera të përurimit të Dhomës Tregtare të Përfaqësimit më 27 janar 2008. Pas pikës kulmore të 17 shkurtit 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO nga Shqipëria në prill, jam shumë optimist që gjërat po marrin për mbarë. Bisnesmenët janë njerëz kurajozë, që kanë shfrytëzuar lirinë e demokracisë, botën e kapitalit, me mjaft përpjekje e mundime kanë ditur të penetrojnë, të përparojnë dhe sot fatmirësisht keni bërë të mundur këtë lloj niveli bashkëpunimi ekonomik.

Duke iu drejtuar edhe Presidentit Sejdiu, të pranishëm gjithashtu në këtë tryezë, Kreu i shtetit shqiptar theksoi se: "Ka ardhur koha që ju të jeni pjesë e tryezave rajonale, të cilat janë kthyer në një ritual ku presidentët e rajonit ballkanik mblidhen çdo vit, herën e fundit në Ohër të Maqedonisë. Tani zëri i Kosovës është një zë legjitim, një zë i pavarur, që ju detyron për t’u përfaqësuar, sepse Kosova nuk është thjeshtë një realitet i ri politik, por Kosova është një realitet shumë i vlerësueshëm ekonomik. Kosova ka traditën e saj, ka pasuritë e saj dhe mbi të gjitha është pjesë e një rajoni, që kërkon që politikisht të integrohet në Bashkimin Europian nëpërmjet një ekonomie të integruar. Është shumë e rëndësishme që ne të vlerësojmë situatën e re, që ka ardhur në Ballkanin Perëndimor". Në këtë drejtim Presidenti Topi vuri në pah edhe një herë rëndësinë e jashtëzakonshme të përfundimit në 2009 të arteries jetësore të infrastrukturës, rrugës Durrës-Kukës-Morinë-Merdare për zhvillimin ekonomik të dy vendeve tona, të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave duke shtuar gjithashtu se me rritjen e brezit të sigurisë do të rritet akoma edhe më shumë hapësira për të bërë biznes, për të rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimet tregtare dhe thithjen e investimeve të huaja.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›