E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon drejtues të partive politike shqiptare në Kosovë.

8 janar 2009
Prishtinë

Dita e parë e vizitës zyrtare të Presidentit të Republikës, Bamir Topi në Kosovë vijoi sot pasdite me takime të veçanta pune që Kryetari i Shtetit shqiptar zhvilloi me nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Lulzim Zeneli, me përfaqësues të pakicës turke, me nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Arif Bytyçi, me përfaqësuesin e pakicës serbe, Sllobodan Petroviç dhe me përfaqësuesit e Aleancës Kosova e Re.

Gjatë këtyre takimeve, duke u ndalur në rolin që partitë politike shqiptare kanë dhënë në realizimin e aspiratës për Kosovën e pavarur e sovrane, Presidenti Topi tha se shpresonte në vazhdimësinë e kontributit të saj për kapërcimin e sfidave me të cilat përballet sot Kosova, me synim ecjen përpara në rrugën e konsolidimit të shtetit demokratik, zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian e euroatlantik.

Duke bashkëbiseduar me përfaqësuesit politikë kosovarë dhe ata të pakicave, Kreu i shtetit shqiptar theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së maturisë politike, të respektimit të të drejtave të të gjithave pakicave, njohjes së mëtejshme të shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës si dhe zhvillimit ekonomik dhe konkretizimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe projekteve të përbashkëta.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›