E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë e Presidentit Topi në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Kosovë.

9 janar 2009
Prishtinë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe delegacioni që e shoqëronte mbylli sot vizitën e tij zyrtare dyditore në Kosovë. Në përfundim të vizitës, Kryetari i Shtetit iu përgjigj interesimit të mediave kosovare dhe të huaja, që e ndoqën nga afër këtë ngjarje të rëndësishme.

Presidenti Topi:

Përshëndetje!

Është një kënaqësi e veçantë që gjatë kësaj vizite shumë të rëndësishme kam ndjerë nga afër kujdesin e medias. Përfaqësues të një pushteti shumë të fuqishëm siç është pushteti i katërt, pa të cilin as një mesazh nuk mund të përçohet. Kështu që dëshiroj t’ju falenderoj edhe për mbulimin profesional që i keni bërë kësaj vizite edhe për misionin që ju keni! Meqënëse jemi në fillim të vitit 2009 dëshiroj t’ju uroj një vit të shëndetshëm dhe të suksesshëm!

Unë jam në përfundim të vizitës zyrtare, një vizitë dyditore. Është vizita e parë zyrtare që unë bëj si President i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, në Kosovën e pavarur, në Kosovën e lirë dhe demokratike. Kam qenë disa ditë përpara shpalljes së pavarësisë, në datën 25 deri në datën 27 janar të vitit 2008. Kam pasur bisedime me të gjithë faktorët institucionalë dhe politikë gjatë kësaj vizite pune dyditore me ftesë të Presidentit Sejdiu, të cilin e falenderoj dhe natyrisht kjo vizitë do i shërbejë patjetër rritjes së ndjeshme të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës, në një realitet të ri gjeopolitik në Ballkan. Është një eveniment i jashtëzakonshëm që Kosova sot ka institucionet e veta të pavarura. Pata rastin të vlerësoj, por edhe të përçoj konsideratat e larta të interlokutorëve ndërkombëtarë për maturinë, për sjelljen mjaft civile, të kualifikuar, perëndimore të lidershipit të Kosovës, të Presidentit, të Parlamentit, të Qeverisë dhe të institucioneve të tjera për të administruar me shumë civilitet, me shumë qytetari, me shumë luajalitet ndaj partnerëve ndërkombëtarë, pikërisht administrimin e pavarësisë së Kosovës dhe referimin ndaj Paketës së z. Ahtisari, i cili na dha kënaqësinë që u nderua me çmimin “Nobel” edhe për shkak të angazhimit të tij në çështjen e Kosovës.

Takime kam pasur dhe me Kryeministrin, me anëtarët e qeverisë, kam pasur një fjalë në Parlament sikurse ju e dini, kam përcjellë atje përshëndetjet e sinqerta të të gjithë popullit të Shqipërisë, të të gjitha institucioneve. Kam qenë në një vizitë në Akademinë e Shkencave, kam vlerësuar pa masë rolin e Akademisë së Shkencave të Kosovës, të akademikëve, të cilët e kanë zhvilluar aktivitetin e tyre në situata mjaft të vështira në të kaluarën, duke qenë në mbrojtje në radhë të parë të identitetit, të historisë së këtij populli, të historisë së kësaj treve, duke i dhënë kurajo civile të gjithë shoqërisë kosovare për të përballuar, sikurse u përballua me shumë sukses sfida e mbijetesës. Sot ky komb, ka dy shtete, sigurisht Shqipërinë, Kosovën, kjo shoqëri e Kosovës, këto institucione sot janë ringjallur dhe duke marrë në konsideratë që nga momenti i çlirimit të Kosovës deri sot, gjërat kanë lëvizur vetëm për mirë unë do të jepja, meqë jemi në fillim të vitit 2009, urimet më të mira për popullin e Kosovës, për përfaqësuesit e vet nëpër institucione, qoftë një vit i shëndetshëm, i begatë, i suksesshëm dhe i realizimit të mjaft ëndrrave, një pjesë e së cilave janë bërë realitet.

Unë sot isha gjithashtu në komunën e Ferizaj. I falenderoj përfaqësuesit e kësaj komune, popullin e komunsë së Ferizajt për atë pritje të ngrohtë, do të thoja të nxehtë në një ditë të ftohtë dhe në një ditë të bardhë, i falenderoj nga zemra edhe për akordimin e titullit “Qytetar Nderi”! Sot unë jam shumë i nderuar, sepse jam qytetar nderi i Prishtinës, i Ferizajt dhe e konsideroj këtë titull një titull që i takon të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, pasi unë përfaqësoj në pozicionin e Presidentit të gjithë popullin e Shqipërisë.

Diskutuam me botën e biznesit pikërisht ato elementë që i patëm diskutuar edhe një vit më parë, por sot ne shohim që mjaft gjëra kanë ndryshuar. Ka shumë rëndësi në botën e biznesit mënyra e komunikimit. Kemi një gjë të madhe për t’u krenuar që brenda një viti është punuar shumë në rrugën Durrës-Kukës-Morinë. E njëjta gjë është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës që të vazhdojnë edhe në pjesën e Kosovës që të lidhet ky aks. Është në projektet e qeverisë, janë bërë projektet, angazhimet dhe të gjitha me radhë dhe unë besoj që do të ketë shumë shpejt një përurim të rrugës në Shqipëri, por edhe besoj edhe një zhvillim të punimeve të rrugës edhe në Kosovë.

Unë shoh një Kosovë të ndryshuar. Nuk vij këtu pas dhjetë viteve, por pas një viti përafërsisht. Por edhe pas një viti shoh që mjaft gjëra ecin për mirë. Duke iu referuar vizitës sime të parë në Kosovë në vitin 1999 me dëshirën e madhe për të vizituar Kosovën si një qytetar i thjeshtë, me një pasion të madh për ta vizituar këtë popull, mund t’ju them që gjërat nuk kanë të krahasuar. Dhe mbi të gjitha, ai që është dhe elementi më simbolik, Kosova në vitin 1999 u çlirua dhe në vitin 2008 fitoi të drejtën për të qenë një shtet i lirë, sovran, i pavarur, demokratik, mbi bazën e një politike të multietnicitetit, që është një politikë moderne, nuk është një politikë provokative, që i takon së kaluarës. Njerëzit, pavarësisht nga etnia të ndjehen qytetarë të lirë në një vend të lirë, një vend që është projektuar së bashku me vendet e tjera të rajonit dhe i stimuluar nga partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet që të jemi pjesë e botës së përparuar. Kjo është pjesë e politikës së institucioneve. Biznesi, të gjithë ju duhet të kontribuoni që të rrisni indeksin e punësimit, të mirëqenies, sepse pas evenimenteve të mëdha politike, njerëzit kërkojnë të jenë në punë, kërkojnë të rrisin standardet, kërkojnë të shijojnë hapësirat e lirisë, të demokracisë dhe të lirisë së tregut.

Edhe një herë faleminderit për të gjithë mbështetjen që keni bërë në këtë vizitë!

Pyetje: Diplomacia kosovare është kritikuar jo pak kohët e fundit për mungesë sukesi në rritjen e njohjes ndërkombëtare. Cila do të ishte këshilla më e mirë nga ana e shtetit shqiptar për njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera dhe a mund të sqaroni, të konfirmoni nëse Kosova ka bërë ndonjë kërkesë zyrtare që ambasadat e Shqipërisë nëpër botë të përdoren për konsolidimin e diplomacisë kosovare nëpër botë?

Presidenti Topi: Unë mund të them që edhe mund të këshilloj nëse mund ta jap një këshillë të tillë, që nuk duhet të stimulojmë ndoshta edhe elementë apatie që mund të ketë, sepse unë e di dhe kam qenë dëshmitar i përpjekjeve të diplomacisë së Kosovës. Diplomacia e Kosovës është një diplomaci e re, që duhet stimuluar fort. Duhet të keni parasysh që të gjithë janë të involvuar, të interesuar që të rrisin kontaktet. Të njëjtën gjë bëjnë dhe institucionet në Shqipëri. Duhet të jeni sinergjistë, pra të shkojmë dhe të mbështesim të njëjtën aksiomë për të takuar sa më shumë partnerë ndërkombëtarë. Gjërat në disa momente nuk janë edhe aq të lehta, sepse lidhen me psikologji, lidhen me çështje të natyrës ekonomike, lidhen me disa eksperienca retrospektive, por ju siguroj që gjithçka ka ndryshuar për mbarë. Kosova sot është njohur nga 53 vende, që janë vende me shumë peshë, por është një proces që po vjen në mënyrë progresive, hap pas hapi. Aktorët janë në terren, të gjithë punojnë dhe zgjidhjet mos mendoni që vijnë brenda orës, por janë zgjidhje të cilat premtojnë të arrijnë qoftë në vendet e botës islamike, qoftë në vendet e Amerikës Latine, pra ka një përpjekje të karakterit global dhe fatmirësisht në të gjithë këtë proces ne ndihmohemi dhe nga partnerët tanë, të cilët kanë qenë që në ditën e parë në një pozicion të konsoliduar dhe e kanë mbështetur këtë iniciativë. Pra, gjërat duhen parë me një sy shumë optimist dhe kësaj klime duhet t’i kontribuojë patjetër media, analistët, institucionet, duhet t’i japin sensin e duhur, sepse gjërat realisht po ecin.

Pyetje:Si mendoni çfarë roli dhe funksioni kanë pakicat për çështjen e sigurimit në Kosovë? Si e shihni ju pakicën serbe në Kosovë?

Presidenti Topi: Unë mendoj që çështja e standardit të pakicave është një çështje, që trajtohet me shumë kujdes nga Këshilli i Evropës. Ne jemi anëtarë të Këshillit të Evropës dhe kemi kërkuar që të vendosen standardet më të larta në Shqipëri përsa u përket pakicave. Ne monitorohemi, marrim kontaktet me personalitetet më të larta të Këshillit të Evropës, me ekipe që vijnë dhe notat janë shumë pozitive. Ne dëshirojmë që kjo lloj eksperience të jetë edhe në Kosovë, të jetë edhe në Serbi, të jetë kudo. Pra, kur flasim për standarde, standardet duhet të jenë të unifikuara. Në fjalën time në Parlamentin kosovar dje, përmenda kujdesin e madh për minoritetet në Shqipëri, e kemi treguar atë kujdes, kujdesin e madh për minoritetet në Kosovë, kujdesin e madh dhe për pakicat shqiptare edhe në luginën e Preshevës. Pra, duhet të shohim në standard. Kur i sheh gjërat në standard nuk ka më analiza subjektive, që këtë analizë po e bëj për këtë shoqëri, kurse analizën për atë shoqërinë tjetër po e bëj, sepse ashtu më intereson mua. Pra, gjëja më e mirë është që gjërat të shkojnë në standard. Sot jemi një botë që monitorohemi. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos ndajmë fjalët nga veprat, sepse kjo është e ardhmja e njerëzimit, një e ardhme ku respektohen standardet. Unë besoj që respektimi i filozofisë së multietnicitetit është garancia më e mirë që në Kosovë e ardhmja do të jetë e sigurtë përsa i përket edhe respektimit të të drejtave.

Pyetje:Si e shikoni rolin e Kosovës në zhvillimet rajonale?

Presidenti Topi: Roli i Kosovës në zhvillimet rajonale është multifaktorial, jo përsa i përket zhvillimeve politike rajonale, por edhe përsa i përket zhvillimeve ekonomike. Ne sapo dolëm nga një takim sikurse thashë me botën e biznesit. Biznesi nuk njeh kufij. Pra, nuk ka biznes me kufij administrativë. Kushtet për biznesin i krijon politika dhe siguria që japin institucionet. Sot Kosova është një vend që shton përditë sigurinë. Rastet e incidenteve janë raste shumë të izoluara dhe nuk kanë asnjë lloj shansi që të zgjerohen përkundrazi, kanë shansin që të reduktohen, që të inkapsulohen, sepse kanë të bëjnë me filozofinë, sot dominon filozofia europianiste, euroatlantike. Të gjithë ata që kanë mbetur peng i mentaliteteve të vjetra, natyrisht që do të jen të dështuar në këtë mision. Kosova, duke qenë pjesë e kësaj filozofie, Shqipëria, duke u futur në NATO, duke lidhur marrëdhënie të kësaj natyre, duke respektuar të drejtën legjitime të çdo shteti për të bërë marrëveshje në kuadrin kushtetues të secilit vend, ne i krijojmë mundësinë të gjithë banorëve të këtij rajoni që të jetojnë të lirë, të jetojnë të qetë, të jetojnë të sigurtë, të zhvillojnë biznesin. Nuk ka arsye që në vitin 2009 ne të kemi në psikologji, në psikozën tonë diferenca me qytetarët evropianë. Ata janë zhvilluar nëpërmjet marrëdhënieve të tilla civile, kanë menduar si ta zhvillojnë shoqërinë. Popujt e Ballkanit për shkak të mendjeve të trazuara dhe të mentaliteteve arkaike janë futur në vite në konflikte. Ky vend duhet të zhvillohet, ky rajon duhet të zhvillohet, duhet patjetër që duke u zhvilluar dhe duke rritur standardet, secili të ketë pasaportën për të qenë i lirë për të lëvizur kudo, për të qenë i respektuar, sepse kështu ne i garantojmë vetes qetësi, por mbi të gjitha njeriu kur bëhet me fëmijë, dhe ata që janë me fëmijë e kuptojnë, të tjerët e dinë, i garantojnë të ardhme fëmijëve të tyre dhe pastaj janë të qetë në jetën që i ka mbetur.

Pyetje: Një temë aktuale në Kosovë këto ditë është se si duhet të pozicionohen kosovarët rreth së kaluarës komuniste. Në Shqipëri ka pasur një debat maratonik rreth kësaj çështjeje. Cili është një rekomandim i juaji për këtë? Si duhet të merren kosovarët me këtë, duhet të ketë një ligj, apo...?

Presidenti Topi: Unë jam shumë korrekt kur trajtoj tema të tilla. Kjo i takon vendimmarrjes së shoqërisë së Kosovës, të institucioneve të shoqërisë, sepse nuk mund të vihem këtu për të dhënë disa leksione që janë pjesë e ndjeshmërisë së shoqërisë së Kosovës, kështu që është plotësisht, ua them në mënyrë tepër të sinqertë, është plotësisht në formulën, në ndërgjegjen e shoqërisë që jam i bindur se ka kualitetet. Ju në Kosovë keni mjaft kualitete. Ne jua kemi vlerësuar gjithmonë kualitetet intelektuale, të cilët janë përgatitur në situata shumë më të vështira. Pra, ju keni kultivuar energjitë intelektuale, autoktone, në kuptimin që nuk keni qenë të sforcuar që të ndryshoni ndërgjegjen sipas parimeve të një shoqërie diktatoriale nga pikëpamja e filozofisë, por keni pasur represione të një natyre tjetër, por kjo nuk ju ka ndryshuar aspak mënyrën e të menduarit në mënyrë autonome, të reagoni në mënyrë shumë natyrale, të luftoni, të derdhni gjak, djersë, mund dhe në fund fare, jeni në një moment kur më në fund jeni të lirë plotësisht, kështu që keni mundësinë që të bëni edhe zgjedhjet e duhura edhe për atë që ju bëtë pyetjen.

Pyetje: Zoti President, ju urojmë mirëseardhjen! Ju më parë folët për botën e biznesit dhe thatë që banorët e shtetit tuaj dhe shtetit tonë kanë vuajtur shumë. Mirëpo tani, a mund të kemi një bashkëpunim dhe një harmonizim të politikave ekonomike dhe politikave në përgjithësi që të mos ketë më vuajtje të tilla dhe të zbutet papunësia si në shtetin tonë, ashtu dhe në shtetin tuaj, meqë dihet që kohët e fundit ka pasur shumë vetëvrasje, që nuk njihet në historinë e popullit shqiptar, as në shtetin tonë, as në shtetin tuaj?

Presidenti Topi: Unë mendoj dhe shpreh sigurinë personale që vuajtjet e këtij rajoni të trazuar kanë filluar të minimizohen. Sot peformanca e ekonomisë shqiptare, është një peformancë shumë pozitive. Kemi kaluar edhe faza të vështira në vite, ka qenë një tranzicion i gjatë, i vështirë, tani jemi duke zhvilluar realisht ekonominë, po zhvillohen portet, po zhvillohet infrastruktura, shembulli i rrugës është një shembull i qartë. Unë mendoj se kjo do t’i japë shumë mundësi, në rast se ka stabilitet politik, dhe unë jam i bindur që do të ketë në të gjithë rajonin, të jeni sigurtë që mbas stabilitetit politik vjen edhe siguria dhe energjitë për investime dhe për të ndërtuar. Unë jam i mbushur me shpresë dhe inkurajoj të gjithë njerëzit që janë në nevojë, që janë në hall dhe ka familje që janë vërtet në hall ekonomik, i inkurajoj që të kalojnë me shumë kurajo, sepse, siç është ajo fjala e urtë e dijetarëve të mëdhenj se “ditë të mira pas kësaj do të vinë” dhe janë duke ardhur faktikisht. Janë duke ardhur dhe bota e politikanit, e njerëzve që drejtojnë institucionet është që të japin vizionin dhe të parashikojnë. Perspektiva është shumë optimiste. Kurajo! Duhet të punoni të gjithë së bashku të punojnë që çdo ditë që vjen të ketë një progres të ri. Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›