E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshëndetja e Presidentit Topi, me rastin e pritjes së Festës Kombëtare, Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit.

28 nëntor 2009

E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,
I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar anëtarë të qeverisë,
Të nderuar deputetë,
Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Të dashur bashkatdhetarë,
Zonja e zotërinj,

Jam shumë i gëzuar e, në të njëjtën kohë, i nderuar që takohemi sërish për të festuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit, Festën tonë Kombëtare.

Në historinë e njerëzimit, por sidomos në historinë e një kombi, ka data që kujtohen, tregohen e festohen, për të cilat flitet në mënyra e vlerësime të natyrave të ndryshme. Por në kronikat e historisë së kombit shqiptar, 28 Nëntori është një datë e veçantë, është një datë që kujtohet, tregohet dhe na mbledh të gjithëve për të festuar sipas një mënyre të vetme, mënyrës shqiptare dhe kombëtare - ajo është Dita e Ringjalljes së Kombit Shqiptar.

Dita e Flamurit, 28 Nëntori, është data që mblodhi të gjithë historinë e shqiptarëve në Vlorë, për ta bashkuar atë dhe për t’u treguar të gjithëve se kombi dhe interesat e tij, shteti dhe interesat e tij, populli dhe interesat e tij, Shqipëria dhe interesat e saj janë sublime, të shenjta dhe shumë, shumë më të rëndësishme se çdo interes, qëllim apo ambicie personale, klanore, familjare, e madhe apo e vogël, të asaj kohe në Shqipëri. Madhështia e kësaj date të shënuar qëndron pikërisht në faktin se të gjithë ata që u mblodhën në Vlorë më 28 Nëntor 1912, shumë të lumtur dhe krenarë, kishin vetëm një qëllim: Shkëputjen nga zgjedhja shumëshekullore otomane, krijimin e një Shqipërie të pavarur dhe ndërtimin e shtetit shqiptar të shekullit të XX-të.

Kjo datë e madhe në historinë e shqiptarëve u tregoi popujve të tjerë dhe qeverive të huaja se ky komb kishte tashmë një zot, por në të njëjtën kohë, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që më shumë se kurrë ky komb kishte nevojë që ata të kapërcenin të gjitha pengesat, ndryshimet që i ndanin, qofshin ato politike, fetare apo krahinore dhe të bashkoheshin për të dashur dhe respektuar njëri-tjetrin në ato çaste sa festive, aq edhe të vështira për mbijetesën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Sot, 97 vjet më vonë, ne jemi mbledhur këtu për të festuar këtë datë të shënuar dhe për të nderuar e lartësuar frymën dhe shpirtin e bashkimit që plaku i mençur, Ismail Qemali, dhe të gjithë përfaqësuesit e trojeve shqiptare hodhën në letër dhe në zemrat e shqiptarëve, si dhe për të respektuar mundin e kontributin e tyre që fituan Pavarësinë e Shqipërisë së dashur.

Sot, Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët, kudo ku ata ndodhen, janë më të gëzuar, më të lumtur dhe më të sigurt për të ardhmen e tyre. Sot, shqiptarët gëzojnë të lirë në një Kosovë të pavarur, ata gëzojnë me më shumë dinjitet në Maqedoni dhe Malin e Zi dhe me më shumë besim për të ardhmen e tyre në Preshevë dhe Bujanovc. Shqiptarët festojnë sot në të gjitha vendet e lira dhe demokratike ku ata jetojnë, punojnë apo studiojnë, atje ku kontributi i tyre i shërben forcimit të demokracisë e lirisë dhe ku sfidat na bashkojnë me kombet e mëdha dhe popujt miq.

I përshëndes të gjithë ata dhe u dërgoj urimet më të mira nga kjo ceremoni e bukur dhe festive!

Është e natyshme që Shqipëria sot nuk është ajo e vitit 1912, as ajo e viteve ’90-të, por sfidat dhe përgjegjësitë e saj janë sërish të mëdha.

Ato janë sfidat e të ardhmes, sfidat e demokracisë, sfidat e lirisë dhe të mirëqenies, sfidat e integrimit.
Shqipëria ose më mirë të gjithë ne, duhet të tregojmë se ashtu si, së bashku, përballuam vështirësitë e viteve të para të demokracisë në Shqipëri, filluam reformat e përmbysjeve të mëdha politike, ekonomike e sociale, ndërtuam marrëdhënie të reja me vendet aleate dhe mike, bashkërenduam me sukses zërin e pazëvendësueshëm shqiptar në sfidat rajonale, ndërtuam një Shqipëri, anëtare të NATO-s, fituam besimin e Bashkimit Evropian, ashtu ne jemi të aftë, të mençur dhe të përgjegjshëm të çojmë përpara, drejt Evropës së Bashkuar, vendin tonë të dashur Shqipërinë.

Përveç përpos urimeve do të uroja që të kishim një Kuvend ku sa qeveria, aq edhe opozita t’i përvisheshin punës për të ballafaquar opsionet e tyre politike në të mirë dhe në interes të vendit dhe të qytetarëve të tij.

Sot është ditë feste, por ajo mund të jetë një ditë e rëndësishme për të menduar me ndërgjegjje të pastër, me përgjegjësi kombëtare e me pjekuri politike dhe për t’iu rikthyer kujtesës dhe shembullit të atyre burrave të fisëm që më 28 Nëntor të vitit 1912 u mblodhën, luftuan dhe fituan Pavarësinë e Shqipërisë. Unë shprehem besimplotë se të gjithë shqiptarët e vërtetë mendojnë kështu dhe dëshirojmë që Shqipëria të mbyllë njëherë e përgjithmonë kapitullin e tranzicionit të saj politik.

Me dëshirën e madhe për një Shqipëri më të fortë, për një të ardhme më të bukur për të gjithë shqiptarët dhe me besimin për një botë më të mirë, ju uroj të gjithëve:

Gëzuar Festën Kombëtare të Shqipërisë!
Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit!
Ditën e Çlirimit!
Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›