E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nderon kujtimin e aktorit të shquar të skenës dhe ekranit shqiptar, Agim Qirjaqi.

29 mars 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nderoi sot me respekt kujtimin e aktorit të shquar të skenës dhe ekranit shqiptar, Agim Qirjaqi, i cili u nda dje nga jeta në mënyrë të parakohshme.

Në homazhet e zhvilluara në Teatrin Kombëtar, Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt përpara aktorit, i cili me përkushtim dhe profesionalizëm, i dhuroi publikut shqiptar personazhe të panumërta nëpërmjet një aktrimi dinjitoz duke i dhënë artit tonë skenik e kinematografik një kontribut të vyer e duke edukuar njëkohësisht breza aktorësh të rinj.

Në vlerësim të njërës prej figurave të shquara të teatrit dhe ekranit shqiptar, Presidenti Topi, pasi u shprehu ngushëllimet familjarëve dhe kolegëve të artistit, theksoi në prani të mediave se “Së pari shpreh dhimbjen time për këtë ndarje të parakoshme nga jeta të Agim Qirjaqit, i cili ka lënë mbresa të pashlyeshme tek secili prej nesh me rolet dhe një profil shumë original. Mbi të gjitha vlerësim për karrierën e tij sa të gjatë, por njëkohësisht sa të shkurtër e ndonjëherë problematike, por në këto momente pikëllimi do të thoja, artistët që lenë vepra të mëdha e kanë edhe një shans përtej vdekjes. Do të vazhdojnë të përcjellin profilin e tyre artistik dhe profilin e tyre njerëzor edhe për brezat që do të vinë prapa. Edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›