KNI miraton përgjigjet e përfunduara të 35 kapitujve të pyetësorit të KE-së
Mazhoranca e merr këtë si procesin më serioz dhe më kompleks në tërë historikun e përpjekjes sonë për integrim në BE.
Në të gjithë këtë proces, qeveria është e vendosur t’i qëndrojë parimit, një proces i bazuar në performancën dhe meritën.
Nuk ka avantazh më të madh për njeriun se fillimet e reja. Pas këtij fillimi, do të ketë një fillim tjetër të ri dhe uroj që të arrijnë sa më shpejt, por vlerësimi i këtij dokumenti dhe akordimi i statusit të vendit kandidat është vendimi paravendimtar për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE.
Administrata shqiptare tregoi përkushtim dhe përgjegjësi të paprecedentë në shqyrtimin pyetje për pyetje, nënpyetje për nënpyetje të të gjithë problematikës së gjerë.
Komiteti Ndërministror i Integrimit Europian, i mbledhur sot pasdite, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, miratoi 5 kapitujt e fundit dhe më pas përgjigjet përfundimtare në gjuhën shqipe të 35 kapitujve të pyetësorit të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Fillimisht, KNI miratoi përgjigjet e 5 kapitujve të fundit të pyetësorit:
- Kapitulli – Kriteri politik, koordinuar nga Ministria e Drejtësisë;
- Kapitulli – Kriteri Ekonomik, koordinuar nga Ministria e Financës;
- Kapitulli 22 - Politikat rajonale, koordinuar nga Ministria e Integrimit;
- Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore, koordinuar nga Ministria e Drejtësisë;
- Kapitulli 24 - Drejtësia, liria dhe siguria, koordinuar nga Ministria e Brendshme.
Kryeministri Berisha e konsideroi këtë takim si finishin e një maratone shumë të fuqishme, të një pune intensive dhe komplekse mbi tre mujore, për finalizimin me sukses të së cilës u angazhua e gjithë administrata, institucionet e agjencitë e vendit, qarqet akademike, si dhe ekspertë të vendeve mike.
Kryeministri njoftoi se materiali i përfunduar do të dorëzohet në javët e para të muajit prill në Komisionin Europian, duke shprehur bindjen që ky është një proces i parikthyeshëm, në të cilin qeveria ka vullnetin e hekurt për të ndërmarrë të gjitha reformat dhe promovuar atë, gjithnjë sa më shpejt e sa më parë.
Në këtë takim përfundimtar të KNI-së, që në mënyrë të përjavshme ka marrë në shqyrtim përgjigjet e 2284 pyetjeve dhe rreth 2000 nënpyetjeve të pyetësorit të KE-së, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zotërinj ministra,
Anëtarë të Komitetit Ndërministror për Integrimin Europian,
sot jemi mbledhur në takimin përfundimtar të përjavshëm të Komitetit Ndërministror për Integrimin, lidhur me përgjigjet e pyetësorit të Komisionit Europian. Sot, pas një periudhe prej tre muaj e pesëmbëdhjetë ditë, finalizojmë procesin e përgjigjeve të pyetjeve. Administrata shqiptare tregoi përkushtim dhe përgjegjësi të paprecedentë në shqyrtimin pyetje për pyetje, nënpyetje për nënpyetje të të gjithë problematikës së gjerë, e cila mbulon çdo fushë të veprimtarisë shtetërore, shoqërore, politike, ekonomike, sociale dhe të gjithanshme.
Në trajtimin e pyetjeve u angazhuan me përgjegjësi të madhe rreth 1200 punonjës të administratës, zyrtarë të të gjitha niveleve, nga specialisti i thjeshtë deri tek titullari i institucionit apo agjencisë, u angazhuan mbi 27 ekspertë të vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare, u konsultuan dhjetëra agjenci dhe institucione të vendeve mike dhe ndërkombëtare, në mënyrë që përgjigjet të ishin sa më të përshtatshme, sa më reale, por të paraqitej gjithashtu, edhe vizioni i kësaj qeverisjeje;
Në total kanë qenë 2284 pyetje, rreth 2000 nënpyetje, të shpërndara në 35 kapituj;
Ministria e Integrimit organizoi një trajtim në gjerë të paprecedent në rreth 60 seanca, në mënyrë që të aftësoheshin punonjësit tanë për të kapur më saktë thelbin e pyetjeve;
U angazhuan ekspertë lokalë dhe qarqet akademike;
Bashkëpunuam punonjës të të gjitha institucioneve shtetërore, të ekzekutivit, legjislativit, pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të tjera;
U zhvilluan mbi 160 takime të grupeve ndër institucionale, pasi një numër i madh përgjigjesh u takonte pyetjeve, me të cilat kishin të bënin më shumë se një institucion;
U punua me orë të zgjatura 90 ditë;
U angazhuan përkthyesit më të mirë të vendit dhe materiali sot është i përfunduar.
Qeveria, mazhoranca e merr këtë si procesin më serioz dhe më kompleks në tërë historikun e përpjekjes sonë për integrim në Bashkimin Europian. Në mënyrë të përsëritur, ditën e parë e më pas, kam theksuar se kjo përbën një lloj provimi për të gjithë institucionet e vendit dhe punonjësit e tyre. Përbën gjithashtu, një mundësi të madhe për të riformatuar të gjithë punën tonë dhe aty, ku lipset, edhe strukturat tona në funksion të kësaj përballjeje, në funksion të kësaj tematike dhe këtyre çështjeve, me të cilat ne, në tërësi, do të kemi të bëjmë gjatë udhëtimit tonë për anëtarësimin e plotë në BE. E kam theksuar dhe e theksoj përsëri se në të gjithë këtë proces, qeveria është e vendosur t’i qëndrojë parimit, një proces i bazuar në performancën dhe meritën, çka do të thotë që ne duhet të punojmë me përgjegjësinë më të madhe, të ndërmarrim tërësinë e reformave që ndryshojnë çdo ditë standardet, praktikat, kriteret e funksionimit jo vetëm të administratës shtetërore, e shërbimeve ndaj qytetarëve, por edhe e funksionimit të shoqërisë në tërësi, si një shoqëri demokratike e lirë.
Duhet të shpreh vlerësimin më të madh për punën përgatitore, angazhimin dhe përkushtimin, me të cilin administrata e priti këtë proces. Ministria e Integrimit, kohë më parë, sesa të merrej vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së, më datën 16 nëntor dhe përpara se të dorëzohej pyetësori, ndërmori një seri masash dhe ia doli që nëpërmjet trajnimeve, nëpërmjet mbledhjeve ndërinstitucionale të rrisë ndjeshëm vetëdijen e administratës për rëndësinë jetike të këtij procesi.
Javët e para të prillit, qeveria do ta dorëzojë materialin e përfunduar në Komisionin Europian. Në këtë Komision, qeveria ka një bashkëpunim thellësisht transparent. Unë jam i bindur se me gjithë përpjekjet tona të jashtëzakonshme për të bërë më të mirën, sërish në procesin e dialogut në KE do të ketë jo pyetje shtesë, por pyetje për të qartësuar përgjigjet që kemi dhënë dhe kjo është një praktikë normale. Do të ketë nevojë për sqarime të shumta, do ketë nevojë për riformulime, pasi duke qenë një gjuhë jetime, e bukur e mrekullueshme shqipja nuk është se mund të prodhojë një anglishte identike me të Brukselit, pra, duhet të jemi të përgatitur edhe për gabime në përshkrime apo paqartësi në përshkrime, të cilat ndonëse janë angazhuar përkthyesit më të mirë, prapë siç ndodh rëndom edhe shenjat e pikësimit mund të ndryshojnë mendimin. Pra, para se ky disk të niset drejt Brukselit duhet të bëjmë edhe një lexim për të pasur sigurinë më të madhe në kuptimin e frazës për t'u siguruar që terma apo vendosje nuk kanë ndryshuar kuptimin e asaj që kemi dashur të themi.
Mendoj se parlamenti ka dhënë një kontribut të madh në ekspertizën e tij, por kontribut kanë dhënë të gjitha institucionet e pavarura të vendit. Prandaj shkojmë me optimizmin që Shqipëria, në kohën e duhur, mbi bazën e këtij dokumenti, do të vlerësohet pozitivisht për vend kandidat. Natyrisht, KE do të marrë kohën e vet për shqyrtimin dhe vlerësimin tërësor dhe kjo nuk mund të paracaktohet nga ne, por e rëndësishme është që ky është një proces i parikthyeshëm, në të cilin ne kemi vullnetin e hekurt për të ndërmarrë të gjitha reformat dhe promovuar atë, gjithnjë sa më shpejt e sa më parë.
Duke e mbyllur këtë ekspoze, dëshiroj të falënderoj të gjithë ata punonjës të ministrive, agjencive, institucioneve të tjera të pavarura, që me përkushtim të madh, këto 90 ditë bënë të mundur hartimin e një dokumenti të paprecedent në historinë e vendit, pasqyruan tërësinë e reformave të mëdha, të realizuara dhe vizionin e Shqipërisë për reformat që vijnë.
Natyrisht, duhet të themi se ky është një fillim i ri. Nuk ka avantazh më të madh për njeriun se fillimet e reja. Pas këtij fillimi, do të ketë një fillim tjetër të ri dhe uroj që të arrijnë sa më shpejt, por vlerësimi i këtij dokumenti dhe akordimi i statusit të vendit kandidat është vendimi paravendimtar për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE.
Ju faleminderit”
29/03/2010