E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi ngushëllon familjarët e punonjësve të policisë të rënë sot në krye të detyrës duke dënuar njëkohësisht këtë krim të pashembullt.

7 gusht 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u dërgoi sot mesazhe ngushëllimi familjeve të katër punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës: Drejtuesit Fatos Xhani, kryeinspektorëve Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feska duke vlerësuar aktin e tyre heroik, duke dënuar ashpërsisht krimin makabër si dhe duke kërkuar ndëshkimin e autorit të kësaj ngjarjeje të paprecedent.

“Të nderuar familjarë të të ndjerëve punonjës të policisë,

Më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë dhe hidhërimin për ndarjen në mënyrë tragjike nga jeta të të dashurve, rënë teksa kryenin detyrën fisnike në mbrojtje të sigurisë e rendit të qytetarëve shqiptarë!

Rënia në krye të detyrës e punonjësve të policisë është një humbje e madhe për familjet, për kolegët dhe gjithë qytetarët e Shqipërisë, që mbështesin forcat e rendit në misionin e tyre të përditshëm heroik në mbrojtje të rendit e sigurisë së të gjithëve.

Me cilësinë e Presidentit të Republikës, por edhe si qytetar, nxis të gjitha strukturat shtetërore që të vendosin sa më parë përpara drejtësisë autorin e kësaj ngjarje që tronditi mbarë opinionin. Reagimi sa më i shpejtë ndaj këtij krimi të pashembullt do jetë përgjigja më e mirë që i jepet çdokujt që guxon të prekë një punonjës në krye të detyrës, por edhe mirënjohja për ata që u flijuan me vetëmohim teksa e kryenin këtë detyrë fisnike.

Duke ju përcjellë edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta, ju siguroj se të gjithë qytetarët e këtij vendi ndihen krenarë për punën e të dashurve tuaj dhe ndajnë me ju solidaritetin e thellë për këtë humbje të pazëvendësueshme!’’ – theksohet në mesazhin e Kreut të shtetit shqiptar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›