E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi niset për në Samitin e NATO-s në Strasburg (Francë)-Kehl (Gjermani).

3 prill 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar të përbërë nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Ministri i Punëve të Jashtme, Lulëzim Basha, Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, drejtues të tjerë të lartë të institucioneve shtetërore shqiptare dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të mazhorancës dhe të opozitës, u nis sot për të marrë pjesë në Samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), që do të zhvillohet në datat 3-4 prill në Strasburg (Francë) dhe Kehl (Gjermani).

Kryetari i Shtetit do të mbajë një fjalë në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), në të cilën pritet të përshëndesë 60-të vjetorin e krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që përkon me një datë të shënuar dhe një momenti historik për të ardhmen e Shqipërisë, atë të anëtarësimit në NATO. Presidenti Topi pritet gjithashtu që gjatë fjalës së tij të rikonfirmojë besnikërinë dhe përgjegjshmërinë e vendit tonë dhe të popullit shqiptar ndaj këtij besimi të shprehur ndaj tij, duke ritheksuar vetëdijen dhe ndërgjegjësimin tonë kombëtar për të gjitha sfidat dhe detyrimet që rrjedhin nga fakti i të qenurit anëtar me të drejta të plota në Aleancën më të madhe dhe të rëndësishme të paqes dhe të sigurisë në botë.

Gjatë punimeve të këtij Samiti, Presidenti i Republikës do të marrë pjesë dhe do të flasë në darkën e punës me kryetarët e shteteve ditën e premte, më 3 prill dhe pritet të bisedojë me personalitete të larta të politikës botërore, krerë shtetesh, si dhe të tjerë drejtues të lartë të organizmave ndërkombëtare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›