E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi i përgjigjet interesimit të mediave në konferencën pëmbyllëse për shtyp të Forumit të 6-të Ekonomik Rajonal.

20 nëntor 2009
Sarajevë

Në përfundim të Forumit Ekonomik Rajonal të Evropës Juglindore, që u mbajt në kryeqytetin e Bosnje-Hercegovinës, në Sarajevë, Presidentët e vendeve pjesëmarrëse mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi. I pyetur nga agjensia e lajmeve “Reuters” se si e parashikonte të ardhmen e zhvillimit ekonomik në rajon gjatë vitit 2010, duke patur parasysh se pothuajse të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë Forum kanë shënuar rënie në rritjen e tyre ekonomike, me përjashtim të Shqipërisë, Presidenti i Republikës u përgjigj:

“U ndieva krenar që Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm. E kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi se pa reforma, natyrisht që përparimi ekonomik do të ishte në dyshim. Kështu që ne u kemi kushtuar një rëndësi shumë të madhe reformave politike dhe ekonomike. Së dyti, u kemi kushtuar një rëndësi shumë të madhe zgjerimit të kapaciteteve dhe ndërtimit të infrastrukturës aero-portuale dhe të infrastrukturës rrugore. Padyshim edhe në ato sektorë ku Shqipëria mund të rritet me një dinamizëm të theksuar, kryesisht në përmirësimin e infrastrukturës energjitike, sidomos në zhvillimin e turizmit, i cili për kushtet specifike të Shqipërisë bëhet në një terren relativisht të virgjër duke u dhënë shanse qoftë investitorëve shqiptarë, qoftë atyre të huaj për të patur mundësi që të investojnë në Shqipëri.

Më e rëndësishmja nga të gjitha është që Shqipëria sot konsiderohet një vend shumë më i sigurtë se në të kaluarën. Kjo ndihet në mënyrë të veçantë sidomos pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe rritjes së mundësisë për të investuar në një terren liberal. Politikat fiskale kanë qenë të tilla që u japin shans investitorëve të futen me kurajo në tregun shqiptar, por do të doja të specifikoja këtu dëshirën e madhe të emigracionit shqiptar për të mos u larguar pa kthim nga Shqipëria, por duke ruajtur dëshirën e madhe për të ricikluar dhe rikapitalizuar të ardhurat e tyre dhe për të investuar në Shqipëri.

Gjithsesi unë mendoj që siguria e përparimit të investimeve në Shqipëri padyshim është e lidhur me rritjen e kapaciteteve investuese në të gjithë rajonin, që sikurse e thashë i ka të gjitha shanset, sepse rajoni ynë sot është më i sigurtë dhe nga ajo që po shohim, nga ajo që japin parashikimet, do të jetë pjesë e rëndësishme e vëmendjes së investitorëve evropianë dhe më gjerë”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›