E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet Konferencën për “Praktikat më të mira të Qeverisjes Vendore”.

17 shtator 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, ishte sot i pranishëm në Konferencën për "Praktikat më të mira të të Qeverisjes Vendore” të organizuar nën kujdesin e USAID në bashkëpunim me Agjensinë Amerikane për Zhvillim, Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, si dhe Universitetin Polis.

Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë konferencë, Presidenti Topi u shpreh:

“Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Do të doja të isha më i qetë në fakt në angazhimin tim në këtë konferencë të rëndësishme, por për shkak të një vizite zyrtare që unë kam në Mal të Zi, dëshiroj t’ju them pak fjalë. Së pari do e nis me kënaqësinë e veçantë që unë ndjej që marr pjesë në këtë konferencë mjaft të rëndësishme që niset nga praktikat e qeverisjes vendore. Së dyti, po të kthehem në retrospektivë, dhe të shikojmë eksperiencën vemë re se me kalimin e kohës ajo është bërë më e pasur dhe sot jemi pas kaq vitesh, kur të gjithë kemi mundësi që të diskutojmë për praktikat e mira të qeverisjes vendore.

Natyrsisht që dëshiroj t’ju falenderoj shumë për ftesën, sepse e vlerësoj këtë takim për një nga pushtetet më të rëndësishme, sikurse është pushteti vendor. E them një nga më të rëndësishme, sepse është ai që ka kontaktin e parë me qytetarin, them se është një pushtet shumë shumë i rëndësishëm, sepse qytetari me përfaqësuesit e tij në pushtetin vendor janë çdo ditë, nga mëngjesi deri në mbrëmje, ndonjëherë 24 orë resht, ndonjëherë disa ditë resht, e ndonjëherë disa muaj rresht të okupuar me çështje mjaft të rëndësishme që fillojnë nga punët e përditshme, deri tek emergjencat e natyrës së veçantë.

Unë kujtoj që kam marrë pjesë në këtë proces jo thjesht si politikan, por kam qenë dhe pjestar i “Task Force”-ës, kur filloi të ndërtohej paketa e parë për decentralizimin, që fatmirësisht sot nga pikëpamja ligjore është e plotë, është konform standardeve të Këshillit të Evropës dhe ka një lloj veçorie që, u fillua me ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët ishin natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me politikën, dhe kur flas për ekspertët, flas në radhë të parë mbi ekspertizën, ekspertizë nga specialistët më të mirë të Shqipërisë, por dhe me ndihmën e vyer të ekspertëve ndërkombëtarë. Kështu që, unë kam rastin sot, pavarësisht nëse ata janë këtu, apo jo, që kudo ata të jenë, t’i falenderoj përzemërsisht për punën e madhë që ata kanë bërë. Ju falenderoj dhe ju që implementoni çdo ditë kuadrin ligjor që ka të bëjë me qeverisjen vendore, duke e bërë këtë qeverisje çdo ditë e më shumë më bashkëkohore.

Kur flasim për qeverisjen vendore, sigurisht që dalin në plan të parë raportet me pushtetet e tjera. Sot flitet shumë për nevojën e pavarësimit të institucioneve. Dikush, këtë term madhor, në një formë metafizike e shkëpusin, sikur institucionet kërkojnë të marrin pavarësi. Përkundrazi, termi i pavarësimit të institucioneve është domosdoshmëri për bashkëpunimin me të gjitha institucionet e tjera. Pra, duke fituar fizionominë sipas modeleve evropiane perëndimore, pushteti vendor natyrisht që ka nevojë jo vetëm të ushtrojë kompetencat e veta, të pasurohet me kompetenca, por e ka të detyrueshme që të bashkëpunojë me të gjitha institucionet e tjera, sepse infrastruktura e institucioneve në një shtet demokratik, sikurse dhe Shqipëria, është e tillë që i detyron të gjithë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në funksion të politikave për qytetarin dhe mendoj për të gjithë të ardhmen që besoj që ky vend e ka të qartë.

Shqipëria gjatë këtyre viteve, të gjithë jemi koshient, ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, qoftë nga pikëpamja e rrethanave politike, qoftë nga pikëpamja e rritjes ekonomike, por mbi të gjitha nga pikëpamja e demokratizimit të institucioneve. Sikurse thashë kanë qenë institucionet, të cilat kanë trashëguar një eksperiencë ndryshe nga shteti i centrelazuar, në të njëjtën kohë përshtaten me ekonominë e tregut, me standardet që kërkon Këshilli i Evropës, dhe sot secili prej jush mund të demonstrojë eksperienca dhe arritje të vyera në funksionin që ai mbulon. Kemi hasur dhe vazhdojmë të hasim sigurisht dhe probleme, probleme të cilat mund të jenë të ngjashme përsa i përket funksionimit të institucionit të Kryetarit të Bashkisë, apo bashkëpunimit të tij me Këshillin Bashkiak, apo me Këshillin Komunal. Ka raste kur për shkak të konjukturave të ndryshme politike, sikurse kanë qenë edhe disa eksperienca të kohëve të fundit, në mjaft raste kemi një mungesë të funksionimit normal të këtyre institucioneve. Si President i Republikës, unë do bëja thirrje që pavarësisht se si janë konjukturat politike, të gjithë duhet të gjejnë vullnetin, duhet të gjejnë mirëkuptimin që të bashkëpunojnë midis tyre, sepse tek e fundit që të gjithë punojnë në funksion të qytetit tuaj, të komunave që ato mbulojnë dhe pse tek e fundit përfaqësojnë votën e qytetarëve, të cilët i kanë votuar në zgjedhjet e pushtetit vendor. Nuk do të doja të hyja në ndonjë rast konkret, por mungesa e përgjegjshmërisë, mungesa e demonstrimit politik në disa momente bëjnë që të mos zbatohen, të anashkalohen apo të zvarriten projekte shumë të rëndësishme. Kështu që jam këtu sot për të inkurajuar. Politika, institucionet, strukturat e pushteti vendor kanë detyrimet e tyre ndaj qyetarit. Jam i bindur që ju do të dini të bashkëpunoni me të gjithë institucionet, në mënyrë të veçantë me ekzekutivin shqiptar, i cili natyrisht që ka projektet e veta, ka projekte nacionale dhe për projektet nacionale është e domosdoshme të realizohen në një bashkëpunim të ngushtë me autoritetin lokal. Në këtë mënyrë ne përsosim decentralizimin e marrëdhënieve dhe vetë decentralizimi merr nota konkrete, decentralizimi nuk është vetëm rritja e kompetencave, por është detyrimi për të rritur nivelin dhe stabilitetin e bashkëpunimit. Ne jemi në një fazë të re kur Shqipëria nuk mund të matet më me referenca autoktone, kombëtare, por duhet të matet me referenca botërore dhe këto referenca janë: reformat politike, reformat ekonomike, është i gjithë funksionaliteti i pushteti qendror dhe vendor në bashkëpunim midis tyre dhe po të flasim duke iu referuar viteve të para ndryshimi është i jashtëzakonshëm. Njerëzit kanë ndryshuar, mentaliteti ka ndryshuar, sot ju jeni me një stof të ri, keni eksperiencën tuaj, keni atë të tjerëve, keni eksperiencën e fituar në kushtet kur ju realizuat reformën e pushtetit vendor në kontakt dhe me ekspertë të huaj, në kontakt me institucionet specifike, politike të Evropës dhe më gjerë, dhe të gjithë së bashku keni mundësinë që të shkëmbeni këtë eksperiencë dhe të realizoni atë standard demokratik, ku qytetari të ndjehet i qetë, të ndjehet komod kur të shkojë e të trokasë tek përfaqësuesi i tij i pushtetit vendor.

Së fundi, ju falenderoj dhe një herë për gjithçka ju keni bërë! Ju falenderoj për të gjithë atë impenjim që ju tregoni çdo ditë, sepse kur përballesh me situata konkrete të ditës kërkon impenjim fizik, por mbi të gjitha kërkon dhe impenjim psikologjik. Unë e di që situata në disa zona ku ka dhe emergjenca, patjetër që kërkon më shumë impenjim dhe unë do të thoja që duke u njohur më shumë me njëri-tjetrin, duke bashkëpunuar më shumë me njëri-tjetrin, duke mos parë jo thjesht politikat komunale, bashkiake, por duke parë në politika më të gjëra, sikurse janë dhe termat që përkufizojnë territore administrative. Duhet bashkëpunuar me njëri-tjetrin, duhet patjetër shpalosur mirënjohja dhe falenderuar qytetari për solidaritetin, sidomos në rastet kur disa komuna mund të ndodhen në vështirësi, dhe kur mbi të gjitha ato kanë nevojë për mbështetje morale dhe për mbështetje materiale konkrete. Unë jam i bindur që të gjitha këto ekzistojnë tek ju. Mua m’u dha rasti vetë t’i rikujtoj.
Edhe një herë, me cilësinë e institucionit që përfaqësoj, ndjehem i bindur që çdo ditë pushteti vendor, autoritetet e tij do të bëjnë progres dhe së shpejti, për t’u integruar në Bashkimin Evropian do ta bëjmë me të gjitha standardet e realizuara edhe në pushtetin vendor.

Falemnderit!”

Në vijim të konferencës u bë prezantimi i Sondazhit për Qeverisjen Vendore 2009, IDRA. Gjatë ditës së nesërme pritet të diskutohet mbi mundësitë e reja dhe tendencat në burimet financiare të qeverisjes. vendore, si dhe raste studimore për planifikimin urban dhe ndikimin e ligjit të ri në promovimin e ekonomisë vendore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›