E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet ceremoninë e diplomave të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike

20 tetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori sot pjesë në ceremoninë e diplomave për vitin 2011 të Shkollës Politike Shqiptare, e cila u organizua në Hotel “Tirana International”, ku u mirëprit nga Drejtori i kësaj Shkolle, Olsi Dekovi, nga Ambasadorja e Konfederatës Zvicerane në Tiranë, Ivana Encler dhe nga Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës, Marko Lajdeker, të cilët vlerësuan mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Kreut të Shtetit dhënë kësaj Shkolle ndër vite.

Duke iu drejtuar porsadiplomuarve që këtë vit përfunduan studimet në Shkollën Politike Shqiptare dhe të pranishmëve, Kryetari i Shtetit Shqiptar u shpreh:

“E nderuara zonja Ambasadore,
I nderuar zoti Lajdeker,
Të nderuar diplomantë të Shkollës Politike,

Është padyshim një kënaqësi e radhës që të takohem me ju, në momentin e bukur të marrje së diplomës, në përfundimin e një shkolle, e cila mbyll ciklin e pestë. Së paku ka pasur një kombinim interesant. Qysh në çastet e para të mandatit tim si President, jam njohur me këtë projekt dhe kam qenë padyshim i entuziazmuar për të qenë mbështetës i këtij projekti, që vinte si ide nga Këshilli i Evropës. Sot, pas pesë vitesh, padyshim mund të flas ndryshe, mund të flas jo më me atë që mund të thonim për perspektivën e këtij projekti, por me shumë vlerësim mund të konstatoj që kjo Shkollë Shqiptare e Studimeve Politike ka arritur të ketë sukses dhe pas pesë vitesh ne mund të themi me plot gojën që është krijuar një traditë e re. Pra, pas pesë vitesh kemi të drejtën të themi që jemi në fillimin e një tradite.

Unë do të dëshiroja që kjo Shkollë të kishte jetë të gjatë dhe sidomos kur flasim për nevojën e përgatitje së politikanëve të rinj në Shqipëri, ky vend, i cili në këto njëzet vjet ka bërë shumë, ka dalë nga një regjim totalitar, nga një vend tepër i izoluar, atëherë kur gjithçka trajtohej në këndvështrimin monist, ndërsa në njëzet vite njerëzit janë munduar, së pari, të krijojnë një politikë të re, të krijojnë një infrastrukturë institucionale, totalisht ndryshe nga ajo e totalitarizmit. E kam thënë dhe herë të tjera dhe nuk besoj se e teproj se, ata që u morën me politikë, sigurisht që nuk vinë nga shkolla të specializuara të politikës, por u improvizuan si të tillë. Kishin vullnetin, kishin dëshirën dhe kjo me të mirat e veta padyshim që ka edhe të këqijat e veta. Sot ne kemi të drejtë, në vështrimin retrospektiv të konstatojmë arritjet dhe problemet, sepse njëzet vjet nuk janë pak. Sigurisht, në këndvështrimin relativ për jetën e një shoqërie, për jetën e një vendi, njëzet vjet janë pak, por për jetën e një njeriu njëzet vjet nuk janë pak. Aq më shumë kur breza të ndryshëm, që e kanë kaluar jetën e tyre në një sistem totalitar, e kanë pasur gjithnjë etjen shumë të madhe për të parë përparime sa më të shpejta, për të gëzuar pikërisht ato gjëra që të jep demokracia.

Sot dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë Këshillin e Evropës, i cili ka qenë gjithmonë shumë mbështetës për Shqipërinë! Të gjithë e kujtojmë vitin 1995, kur Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Evropës dhe qysh nga ajo kohë, Këshilli i Evropës ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në të gjitha linjat. Por, dëshiroj të specifikoj pikërisht atë për të cilën ne jemi mbledhur sot, formimin e politikanëve të rinj! Kur themi politikanë, sigurisht, mendja të shkon menjëherë tek politika e partive, sepse aty është fokusi, aty është interesi më i madh, aty është dëshira dhe ndoshta dhe intuita për t’u përfshirë në vëmendjen e partive politike. Por, të jesh politikan, nuk do të thotë të jesh thjesht pjesë kompatibël e partive politike. Mund të shërbesh në institucione të ndryshme dhe një vend demokratik që të ketë institucione të konsoliduara, institucione të forta patjetër që ka nevojë të ketë njerëz të përgatitur të profesioneve të ndryshme, por që arrijnë që të bëjnë edhe politikat e fushës. Unë dëshiroj të përgëzoj të dy referuesit dhe ndaj të njëjtin mendim me zonjën Ambasadore, e cila në një shprehje të momentit, duke vlerësuar profilin tuaj thotë se këta japin shenja shumë të qarta se do të bëhen politikanë shumë të mirë, sepse kanë mendime shumë të sintetizuara dhe i realizojnë pa tekst. Të paktën ky është mendimi dhe unë e ndaj këtë mendim. Jam i bindur që janë dy përfaqësues të një brezi që di të operojë edhe pa tekst, jo thjesht nga pikëpamja e prezantimit formal, por pa tekst për të demonstruar që, secili që futet në politikë duhet të jetë, së pari, vetvetja dhe shumimi dhe sinkronizimi i vlerave patjetër bëjnë atë që, edhe politika të jetë më cilësore, të jetë më përfaqësuese, të jetë një politikë që me një term ne e kemi cilësuar të jetë konstruktive dhe të jetë në shërbim të njerëzve, të cilët i kanë besuar atë pozicion të lartë. Natyrisht, duke u sjellë në këtë mënyrë, duke vendosur së pari personalitetin, i cili është i pari, padyshim, çdo njeri vjen në një shoqëri demokratike, jo si një produkt i klonuar i dikujt tjetër, absolutisht. Të jetosh në një shoqëri demokratike së pari duhet të ndihesh një njeri i lirë, të veprosh, të operosh me rregullat që ka një shoqëri demokratike dhe, të gjithë e dimë, nga mësimet e para, pikërisht mënyra se si duhet të sillesh. Këto leksione jepen në mënyrë shumë të natyrshme në familje, jepen në shkollë, merren në shoqëri, shkëmbehen në mënyrë të natyrshme në rrethet që frekuenton dhe, vjen një moment kur, ajo që kërkohet nga politika, për mënyrën e komunikimit, etikën e komunikimit, nuk duhet të vijë si një thirrje në hapësirë, në shkretëtirë, por si një thirrje që vjen normalisht mbi bazën e asaj që ne shohim, si një shembull të afërt që kemi, në shembull shumë elokuent, që është Evropa.

Shoqëria demokratike të jep shansin që njerëzit të mendojnë në diversitet të plotë, duke shpalosur personalitetin, dinjitetin e tyre, por duke krijuar dhe mundësinë që të kenë frymën e kohezionit për çështje të rëndësishme. Unë këtë desha të them për ju sot. Dua t’ju them që të jeni njerëz me kurajë, të jeni njerëz që të dini të kontribuoni, secili në pozicionet e veta, sepse edhe karriera politike nuk vjen gjithmonë në mënyrë revolucionare, sot je diku dhe nesër dikush të merr, të katapulton në një pozicion tjetër, që, ndoshta, mund të konsiderohet dhe i pamerituar. Në rast se do të marrim në konsideratë atë që ndodh në vende më të zhvilluara demokratike, politika, si në çdo fushë tjetër, vjen në mënyrë graduale dhe karriera vjen në mënyrë graduale. Gradualiteti, rruga evolucionare, merita në politikë, është rruga që ju bën të jeni më të qëndrueshëm, ju bën që të jeni vetvetja, ju bën që të jeni më të dobishëm edhe për partitë politike, në rast se aderohet në një parti politike, ju bën që të jeni më të dobishëm për institucionet dhe, në fund fare, ju bën që të jeni shumë të dobishëm për shoqërinë. Shoqëria jonë, më shumë se kurrë, ka nevojë për një vizion të ri politik. Nuk e kam fjalën këtu për të bërë asnjë lloj aludimi për asnjë grup, për asnjë person. Vizioni im politik është pikërisht ai që jepet sot si një leksion nga vendet evropiane, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga vendet që kanë demokraci të zhvilluara, pikërisht, për të dhënë atë vizion, që në momente të caktuara politika jonë nuk e ka shprehur. Sot nuk jam unë personi që bëj supervizionin e profilit dhe të performancës së klasës politike. Jo! Sot unë flas duke pasur si një pikë referimi dokumentin që vjen sërish nga Bashkimi Evropian, që për fat të keq, në vitin e dytë radhazi, penalizon Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat. Ka kritere. Të jesh pjesë e Bashkimit Evropian ju e dini që ka shumë kritere. Janë bërë hapa para, është bërë progres, por penalizohemi së pari pikërisht për kriterin politik.

E sjellë në kontekstin e kësaj ceremonie, në substraktin njerëzor të këtij auditori, do të thoja që, ju, secili prej jush ka një shans shumë të madh që, në momentin kur merr këtë diplomë, sigurisht që ka një certifikim dhe ky është një certifikim, që vjen nga Këshilli i Evropës. Është një Shkollë dinjitoze. Nuk është një Shkollë çfarëdo. Kjo është arsyeja që ka shumë kërkesa për t’u bërë pjesë e Shkollës së politikanëve të rinj. Natyrisht, ka disa kritere. Jo të gjithë pranohen. Sepse këtu, kriteri bazë është të qenit cilësor dhe këtë moment ju duhet ta shfrytëzoni. Duhet të shfrytëzoni momentin që jeni futur, jeni bërë pjesë e këtij programi, jeni bërë pjesë e këtij certifikimi dhe, me këtë certifikatë, keni të drejtë morale, keni edhe një optimizëm më shumë që të bëheni pjesë shumë vizionare e shoqërisë shqiptare në të gjitha linjat: në media të pranishëm, në politikë të pranishëm, në politikat institucionale të pranishëm, sepse vërtet Shqipëria ka shumë nevojë.

Nuk dua të futem në raste, që na bëjnë të hidhërohemi, kur njerëz të rinj në moshë, të cilët nuk kanë pasur absolutisht asnjë lidhje kondicionale me politikën konfliktuale, sot janë të butë, kanë një profil shumë civil dhe në debatet e para televizive, kur futen nga partitë politike, tjetërsohen. Jo! Nuk mendoj që është ky modeli. Modelin duhet ta zgjidhni ju dhe modelin e keni, e keni pikërisht tek ajo certifikatë, që ju merrni sot. Brenda asaj certifikate ka shumë modele. Sikurse përfaqësuesi nga Japonia e kishte reduktuar raportimin për korrupsionin në Japoni në pak rreshta, e njëjta ndodh në atë certifikatë, ku në pak rreshta ka shumë elemente, ka shumë elemente se si respektohet shteti, se si respektohet institucioni, si respektohet etika e komunikimit dhe sa të ndërgjegjshëm janë ata që merren me politikë dhe në jetën institucionale janë në shërbim të shoqërisë, që i ka votuar dhe për të cilën ata duhet të shërbejnë.

Unë nuk dua të mbaj fjalime të gjata, sepse jam i bindur që ju i dini shumë mirë këto gjëra! Sigurisht i dini, por jo të gjithë i thoni. Unë jam i bindur që me kalimin e kohës ju do të fitoni të gjithë eksperiencën që ju nevojitet, gjërat do t’i thoni dhe jam i bindur për atë, që është më e rëndësishmja. Me futjen tuaj në politikë, politika do të jetë më moderne, Shqipëria do të jetë më moderne dhe kontributet do të jenë jo për pak njerëz, kontributet do të jenë për të gjithë shoqërinë.

Edhe një herë urimet më të mira dhe suksese, secili në linjën që ka zgjedhur! Urime!”

Në përfundim të fjalës së tij përshëndetëse, Presidenti Topi u dorëzoi diplomat studentëve, ndërkohë që ceremonia u përmbyll me një foto familjare me të gjithë të pranishmit në këtë veprimtari.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›