E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret Emirin e Shtetit të Katarit, Sheikun Hamad Bin Khalifa Al Thani

18 tetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti sot pasdite në Pallatin e Brigadave, Emirin e Shtetit të Katarit, Sheikun Hamad Bin Khalifa Al Thani, së bashku me delegacionin që e shoqëron në vizitën e parë shtetërore në vendin tonë me ftesë të Kreut të Shtetit shqiptar.

Pas pritjes madhështore solemne, me ekzekutimin e himneve kombëtare të të dyja vendeve dhe kalimit në revistë të Truprojës së Nderit, të dy Krerët e Shteteve zhvilluan një takim kokë më kokë, dhe më pas kryesuan bisedimet zyrtare midis delegacioneve respektive, të cilat u përqëndruan në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, kryesisht në atë ekonomike, turistike, infrastrukturore, shëndetësore, etj. Presidenti Topi dhe Emiri i Shtetit të Katarit, Sheiku Al Thani, shprehën njëzëri vendosmërinë, vullnetin dhe angazhimin e tyre për të çuar përpara bashkëpunimin dypalësh e fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona.

Presidenti Topi, pasi vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona, të cilat me vizitën e Emirit të Shtetit të Katarit shënuan një kulmim thelbësor në nivelin më të lartë, vuri në dukje nevojën për të forcuar dhe zgjeruar edhe marrëdhëniet ekonomike dhe investimet në sektorë të rëndësishëm me interes reciprok. Duke folur për situatën e re në rajonin e Ballkanit, Kryetari i Shtetit i shprehu mirënjohjen Emirit të Shtetit të Katarit edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar nevojën e rritjes së numrit të vendeve që mund ta njohin së afërmi Kosovën, pikë në të cilën Shteti i Katarit mund të luajë një rol të rëndësishëm me influencën e vet.

Duke e falenderuar Presidentin Topi për ftesën që të vizitojë zyrtarisht vendin tonë, Emiri i Shtetit të Katarit, Sheiku Hamad Bin Kalifa Al Thani, bëri një përshkrim të detajuar të zhvillimeve në vendin e tij, duke nënvizuar interesimin për të investuar në Shqipëri në fusha si infrastruktura, arsimi, turizmi, industria e naftës, etj. Sheiku Al Thani vlerësoi marrëdhëniet vëllazërore mes Shtetit të Katarit dhe Shqipërisë, të cilat do të thellohen edhe më tej me nënshkrimin e sotëm të tetë marrëveshjeve të ndryshme me interes reciprok mes dy vendeve tona, bashkëpunimin e frytshëm në kuadër të organizmave ndërkombëtare si OKB-ja dhe Konferenca e Vendeve Islamike si dhe vuri në pah faktin se Shteti i Katarit është një partner strategjik afatgjatë dhe serioz për sa u përket investimeve dhe bashkëpunimit të gjithanshëm.

Takimi vijoi me ceremoninë e dekorimit të Emirit të Shtetit të Katarit nga Presidenti Topi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar të Shqipërisë dhe leximit të dekretit përkatës nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, zotit Aleksandër Flloko, Kreu i Shtetit, Bamir Topi i dorëzoi Emirit të Shtetit të Katarit, Sheikut Al Thani, Urdhrin e lartë me motivacionin: “Për merita të shquara në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Katarit, si dhe për kontributin e vyer në shërbim të paqes e stabilitetit në arenën ndërkombëtare”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›