E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron me Urdhrin “Nderi i Kombit” 37-të intelektualët e Tiranës vrarë nga diktatura komuniste në vjeshtën e vitit 1944. &

11 dhjetor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi sot me Urdhrin “Nderi i Kombit” 37 –të intelektualët e Tiranës të vrarë nga diktatura komuniste 28 tetor – 16 nëntor 1944. Ky nderimi i lartë nga Kryetari i Shtetit përkon me 65-së vjetorin e masakrës së terrorit komunist në Tiranë, i cili i mori jetën këtyre personave mendjendritur e të pafajshëm.

Me këtë rast në Presidencë u organizua një ceremoni solemne. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit, Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit u dorëzoi Urdhrin dhe dekretin e dekorimit familjarëve të intelektualëve të nderuar: Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi, Fahri Dabulla, Mumtaz Kokalari, Vesim Kokalari, Ismail Petrela, Muharrem Lleshi, Muharrem Liku, Abdulla Saraçi, Jorgji Mema, Nebil Çika, Hamid Greblleshi, Subi Topulli, Kapllan Deliallisi, Jakup Deliallisi, Shefqet Deliallisi, Anton Fekeçi, Isuf Allamani, Boris Belevski, Minella Toçi, Selim Kelmendi, Selaudin Korça, Lluka Xhumari, Ali Panariti, Rakip Kalenja, Hasan Dine, Azis Blloshmi, Faik Shkupi, Mehmet Dada, Rifat Tërshana, Aleks Mavraqi, Selman Shtjefni, Petraq Pekmezi, Ndue Pali, Syrja Kokalari, Bajram Cuka, Lorenc Rasha.

Ky vlerësim dhe nderim i lartë i Presidentit të Republikës, Bamir Topi u bë në shenjë respekti dhe përuljeje për grupin e intelektualëve të vrarë nga terrori komunist nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944 me motivacionin: “Të martirizuar nga terrori komunist për shkak të besimit në idetë demokratike perëndimore të zhvillimit të Shqipërisë pas Luftës së II Botërore”.

Zoti Bahri Liku, i ati i të cilit ka qenë një nga viktimat, shprehu mirënjohjen ndaj Kreut të shtetit shqiptar për nderin e lartë duke theksuar: “Në emër të familjarëve përshëndesim Presidentin e Republikës për këtë vlerësim kaq të madh që po u bëhet prindërve tanë. Njëkohësisht falënderojmë shoqatën me Adem Allçin, Besim Ndregjonin dhe Drejtorin e Qendrës së Rehabilitimit të Viktimave të Torturave, zotin Kati që na ka dhënë ndihmesën për këtë punë.
Edhe një herë shumë falemnderit zoti President”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›