Presidenti Topi dhe Presidenti turk Gyl përshëndesin punimet e Forumit të Biznesit Shqiptaro-Turk.

11 dhjetor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl ishin sot të pranishëm në punimet e Forumit të Biznesit Shqiptaro-Turk. Me këtë rast, dy Presidentët përshëndetën të pranishmit dhe organizatorët e këtij Forumi, të cilin ata e vlerësuan si një ndër treguesit e zhvillimit progresiv dhe të kënaqshëm të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve tona.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Topi u shpreh:
“I nderuar Presidenti Gyl,
I dashur mik,
Të nderuar zotërinj ministra,
Përfaqësues të biznesit,
Është një një kënaqësi e veçantë të jem sot së bashku me Presidentin Gyl, një mik personal, i një vendi tradicional mik i Shqipërisë, në një klimë të mrekullueshme të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Edhe në këtë ambjent i uroj Presidentit Gyl mirëseardhjen në Shqipëri dhe e falenderoj pa masë për atë kontribut të jashtëzakonshëm që Turqia dhe ai personalisht ka dhënë për forcimin e kësaj miqësie dhe për atë suport të fuqishëm Turqia i ka dhënë me zemër Shqipërisë në rrugën e integrimit në NATO. Ne jemi një vend, i cili i është shumë mirënjohës Turqisë, popullit turk dhe kjo nuk është e rastësishme. Këto janë lidhje të vjetra tradicionale historike, kulturore edhe atëherë kur regjimi totalitar e pat izoluar Shqipërinë, kjo miqësi mbeti gjithmonë natyrale dhe u rigjallërua menjëherë pas fitores së demokrcisë në Shqipëri.
Natyrishtë që këtu nuk po bëj retorikë, por jap një eksperiencë personale që vjen nga një periudhë relativisht e largët në retrospektivë. Në maj të vitit 1992, kur sapo ishte instaluar demokracia në Shqipëri, njerëzit në mënyrë shumë intuitive filluan të bëjnë biznes në fazën më empirike, më embrionale. Unë për motive pune po shkoja në Stamboll me autobus dhe natyrisht pashë një moment që ka të bëjë pikërisht me këtë që po them. Tregtia në Shqipëri ishte në fazën embrionale, njerëz që bënin biznesin e parë me çanta, duke marrë rrugën me autobus drejt Turqisë. Shtatëmbëdhjetë vjet, sigurisht në sensin relativ, janë edhe pak edhe shumë. Por në marrjen e një rruge drejt ekonomisë së tregut dhe duke marrë në referencë këtë takim kaq të rëndësishëm, këto marrëdhënie kaq dinamike, këtë dialog kaq të shkëlqyer politik, këto investime që po realizohen nga kompani të fuqishme turke në Shqipëri, unë mendoj që gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë viteve, njerëzit, biznesmenët kanë realizuar një revolucion të vërtet ekonomik. Kur je këtu në panel nuk e ke të vështirë të kuptosh kur bëhet përkthimi se kush janë qytetarët shqiptarë dhe qytetarët turq. Dhe unë me kënaqësi zoti President konstatoj që përveç delegacionit tuaj që shoqërohet nga një grup i madh biznesmenësh, ka dhe shumë biznesmenë të tjerë turq që jetojnë në Shqipëri. E kemi thënë dhe e përsërisim dhe e përsërisim madje me shumë dëshirë. Kur vijmë në Turqi ndjehemi si në shtëpinë tonë dhe të njëjtën gjë dëgjova nga ju, nga biznesmenët e dëgjoj vazhdimisht, kur janë në Shqipëri ndjehen si në shtëpinë e tyre. Pra, ky është një terren natyral i komunikimit dhe më shumë sesa për retrospektivën dhe aktualitetin, ne kemi pasur dëshirën të diskutojmë për perspektivën. Vendet tona tashmë përjetojnë një realitet të ri. Shqipëria dhe Turqia përveç miqësisë tradicionale tashmë janë aletatë në NATO, ç’ka do të thotë që ka elementë të lartë sigurie edhe për biznesin. Shqipëria ka një terren mjaft liberal për sa i përket zhvillimit të ekonomisë. Nuk dëshiroj të hyj në terma profesionalë, sepse u fut ministri dhe i trajtoi me shumë kujdes dhe profesionalizëm, por dëshiroj të shpreh vullnetin e institucioneve shqiptare, vullnetin e biznesmenëve shqiptarë, të cilët vërtet i rifalenderoj për atë rrugë të guximshme, të vështirë, por të suksesshme që i kanë dhënë mundësi që Shqipëria sot të ketë një fizionomi të ekonomisë së tregut, të një ekonomie të lirë, e cila jo vetëm po shkëputet realisht, por në mënyrë definitive po shkëputet dhe psikologjikisht. Në po kërkojmë që të ofrohen investitorë të fuqishëm në Shqipëri dhe ju siguroj zoti President, të nderuar ministra, të nderuar biznesmenë se Shqipëria sot ka akoma terrene të virgjëra, terrene të paeksploruara që do të ishte mirë që të ndërtohen dhe të investohej në to në mënyrë shumë të kualifikuar, sipas të gjitha standardeve bashkëkohore. E kanë dhënë provën shumë kompani turke, kompani të tjera nga vende të tjera. Ne ju ofrojmë sërish të vini në Shqipëri, të investoni, duke pasur konfidencën e plotë të komunikimit, duke pasur sigurinë, duke pasur dashamirësinë që mbi bazën dhe të politikave fiskale, të politikave të cilat do të jenë afatgjata, të jepni mundësi që miqësia dhe ekonomia e dy vendeve tona të rritet dhe të jetë e garantuar për popullin turk dhe për popullin shqiptar.
I nderuar zoti President,
Unë nuk kam dyshim që institucionet e Turqisë, ju personalisht, përveç kontributit të jashtëzakonshëm që keni dhënë në projektimin e kësaj miqësie, do të dini të jepni me shumë me fisnikëri atë mesazh që e keni dhënë dhe dje për biznesin turk, i cili të jetë i pranishëm në Shqipëri në radhë të parë për interesat e tyre, sepse biznesi kuptohet është i lidhur në mënyrë shumë kompatibile me interesin e personit që investon, por aty ku investohet dhe ku përputhen interesat, atëherë dhe rezultatet janë maksimale.
Edhe një herë ju falemnderit dhe do të dëshiroja që ne ta bëjmë realitet të gjithë atë klimë që ju e keni shprehur edhe dje!
Ju falemnderit!