E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet nënshkrimin e dy marrëveshjeve midis Universitetit të Torinos, Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës.

12 mars 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga Drejtori i Kabinetit dhe anëtarë të tjerë të kabinetit u prit sot në mjediset e Rektoratit të Universitetit të Tiranës, nga Rektori Dhori Kule, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve të rëndësishme mes dy universiteteve shqiptare dhe Universitetit të Torinos.

Përpara firmosjes së marrëveshjeve, Presidenti Topi pati një takim të shkurtër me Rektorin Kule, me Rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatos Harizaj, Zëvendësministren e Arsimit dhe Shkencës, Tatjana Gjonaj, Ambasadorin e Italisë në Tiranë, Saba D’Elia, Rektorin e Universitetit të Torinos, Prof. Peliceti dhe dekanët e fakulteteve italiane, Prof. Biolati, Prof. Vinçiguerra gjatë të cilit, Kreu i Shtetit vlerësoi këtë nismë si tepër të dobishme në forcimin e urave lidhëse midis sistemit universitar shqiptar dhe atij italian e Evropian.

Më tej, në një nga auditorët e Rektoratit, në prani edhe të mjaft studentëve e pedagogëve, u nënshkruan dy marrëveshjet midis Universitetit të Torinos, Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, nga rektorët përkatës. Presidenti Topi, në fjalën përshëndetëse të mbajtur me këtë rast, vuri në dukje vlerat mësimdhënëse të Universitetit mbi 600-vjeçar të Torinos dhe evidentoi përfitimet e universiteteve tona nga ky shkëmbim eksperiencash arsimore e kulturore.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Shtetit theksoi se: “Sot patëm rastin të asistojmë në një ceremoni të thjeshtë, por shumë sifinjikative. Unë do të vazhdoj natyrisht me ritualin e përshëndetjeve. Ndonjëherë ky ritual bëhet disi i mërzitshëm, por është i domosdoshëm. Është i domosdoshëm për të vlerësuar në radhë të parë miqtë që na kanë nderuar këtu sot. Unë do të filloja menjëherë menjëherë me përfaqësuesin e shtetit italian në Shqipëri, me Ambasadorin D’Elia, me rektorin e Universitetit të Torinos, Prof. Peliceti, me dekanët e nderuar, Prof. Bokioti, Prof. Biolati, z. Konsullin e Nderit, z. Firrera, natyrisht dhe rektorët, znj. Zëvendësministre, ju profesorë të nderuar, që i jepni sharm kësaj ceremonie.

Padyshim që sot është një ditë shumë e shënuar, sepse kemi nënshkruar një marrëveshje me një universitet që është ndër më të vjetrit në Evropë. Po t’i referohemi vitit 1404 kuptohet që është një universitet i vjetër dhe me shumë traditë, një universitet, i cili, sikurse tha dhe Rektori, ka një numër impresionant studentësh, rreth 70 mijë, 12 fakultete, 55 departamente, ka 3 qendra të ekselencës, por mbi të gjitha është një universitet, që numëron tre nobelistë të shquar Prof. Luria, Prof. Dylbeko dhe Prof. Rita Levi Montalçini. Kështu që këto të dhëna, këto referenca të traditës së këtij universiteti flasin shumë dhe mbi të gjitha ai numër i konsiderueshëm i studentëve, që shpërndahen kudo në Italinë, 80 mijë studentë nuk janë pak rreth 800 studentë në Torinë. Ne kemi rastin që të zgjerojmë gjeografinë e bashkëpunimit me Universitetin e Torinos dhe nga informacioni që kam kam përveç Universitetit Bujqësor të Tiranës do të futet në këto marrëdhënie dhe Universiteti Politeknik i Tiranës.

Unë do të falenderoja në mënyrë të veçantë z. Peliceti, i cili ka trajtuar me shumë kujdes këtë aspekt të marrëdhënive, natyrisht dhe Prof. Kulen. Kam asistuar në Torinë gjatë vizitës sime zyrtare në tetor të vitit 2008 dhe aty kam parë realisht nga afër atë mikpritje tradicionale që ekziston tek stafi pedagogjik i Torinos. Dikush shprehu një lloj dyshimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Ju siguroj që duke patur një njohje nga afër të situatës në Universitetin e Torinos dhe të personaliteteve të nderuara të këtij Universiteti, ju siguroj që me profesorët e Universitetit të Torinos gjërat nuk mbeten në fjalë, sepse ata nuk kanë vetëm traditën, por kanë fisnikërinë që gjërat e thëna dhe aq më shumë të shkruara të mos mbeten në letër, por të zbatohen! Kështu që unë shpreh bindjen time që kjo marrëveshje e nënshkruar sot në Universitetin e Tiranës, sigurisht që do të gjejë një bashkëpunim në shumë fusha.

Të nderuar profesorë, që vini nga Torino!

Ju keni një traditë të lartë do ta quaja, që fillon nga mesjeta. Universiteti i Tiranës ka një traditë relativisht të shkurtër, krahasuar me ju, por mund t’ju them që tradita e Universitetit të Tiranës ka bërë të mundur që në vite këtu të dalin specialistë, për të cilët unë kam një vlerësim të veçantë. I tillë ishte sistemi, e tillë ishte koha. Në atë kohë studentët, apo pasuniversitarët që vinin në Itali ishin shumë të paktë. Sot po të marrësh në konsideratë atë numër impresionant, 80 mijë studentë, tregon që Shqipëria sot i jep mundësi studentëve, profesorëve që të shkojnë dhe të studiojnë natyrisht sipas mundësive. Ne dëshirojmë që mbi bazën e këtyre marrëveshjeve t’i jepet mundësi stafit pedagogjik, i cili realisht në vitet e tranzicionit në Shqipëri ka punuar me shumë përkushtim dhe është momenti për t’i vlerësuar pikërisht në atë mision të rëndësishëm që kanë patur për të mbajtur gjallë qendrat akademike, por natyrisht për të formuar studentë në kushte relativisht të vështira të tranzicionit.

Sot jemi në një moment tjetër, kur Shqipëria është gjithnjë e më afër familjes evropiane. E themi në mënyrë shumë frekuente që ne shumë shpejt do të jemi anëtarë të Evropës së bashkuar, por natyrisht ne dëshirojmë të jemi të tillë, natyrisht duke realizuar së pari standardet e edukimit në arsim dhe në universitete. Është plotësisht e mundshme, por natyrisht nëpërmjet një procesi të vështirë, por edhe nëpërmjet një procesi bashkëpunimi. Duhet thënë se ky proces nuk ka ecur pa vështirësi, sepse në momentin që krijohet një mundësi për të realizuar një marrëveshje bashkëpunimi, ju të nderuar profesorë të Universitetit të Torinos duhet të kuptoni dhe vështirësitë. Sot ka një lloj tendence për një arsimim masiv të studentëve shqiptarë dhe kjo është një gjë e mrekullueshme. Tregon që familjet shqiptare, pavarësisht nga kondicioni ekonomik, pavarësisht nga prejardhja, nga tradita e tyre dëshirojnë që të shkollojnë fëmijët e tyre. Ka një përpjekje nga strukturat e shtetit, nga qeveria, nga institucionet akademike që ta bëjnë arsimin që të hyjë në nivelet e universiteteve evropiane.

Unë nuk mendoj t’ju flas këtu thjesht si Presidenti i Republikës, por në këtë auditor të flas edhe si pjesë e stafeve akademike, nuk mendoj që nuk ka probleme. Problemet duhet të afrontohen në sy për të bërë të mundur që ajo që themi që ne do të jemi anëtarë të familjes evropiane do të vijën nëpërmjet kualifikimit dhe jo thjesht nëpërmjet masivizimit, por edhe rritjes së kualifikimit. Besoj që qendrat universitare duhet ta rrisin ndjeshëm këtë element.

Padyshim që, para se të shkosh në universitet është të nevojshme që të orientojmë ata që mbarojnë maturën. Po të bëjmë një vështrim, të fokusohemi ku ata janë të orientuar, dhe kjo vlen vetëm për fëmijët e familjeve intelektuale, dhe aq më shumë vlen për familjet që nuk e kanë formimin e duhur për të orientuar fëmijët e tyre. Dy degët sot në Shqipëri që preferohen në mënyrë shumë masive janë “Jurisprudenca” dhe “Ekonomiku”, që do të thotë se ne nesër do të kemi një problem me tregun e punës. Pra, është shumë e rëndësishme që universitetet jo thjesht të krijojnë kushte që të arsimohen, kjo vlen kryesisht për universitetet publike, vlen shumë dhe për universitetet private, të cilat sot në Shqipëri ekzistojnë, janë shtuar, por nuk mund të them që janë në ato standarde që kërkon sot integrimi në Bashkimin Evropian. Kush më shumë sesa universitetet publike, duhet të bëjë kujdes që përveç liçensimit të rritet ndjeshëm dhe auditimi?! Pra, ajo lloj preference për të ndërtuar universitete, që është e lavdërueshme, duhet të shkojë patjetër paralel me motivimin për të rritur kualitetin. Ne nuk vuajmë sot nga masiviteti, ne sot vuajmë për kualitet dhe është e domosdoshme që sot të gjithë së bashku të sinkronizojmë përpjekjet tona, të sintonizojmë forcat tona që kualiteti të jetë pikërisht dominanti i punës i qarqeve akademike. Dhe unë jam i bindur që profesorët e nderuar, të cilët i njoh nga afër në të gjitha fushat, këtu ne kemi kualitete që ofrojmë, do të bëjnë të mundur fatmirësisht që këtë kualitet ta realizojnë edhe tek formimi i studentëve.

Padyshim, janë bërë përpjekje dhe ka arritje të rëndësishme në fushën e arsimit, sikurse u shprehën dhe parafolësit. Nëpërmjet realizimit të kësaj marrëveshjeje, ne kemi mundësi, me sa jam informuar që të krijojmë edhe një institut për formimin e diplomatëve. Deri më sot ne nuk kemi pasur një fakultet të tillë, një qendër të tillë dhe kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, sidomos për diplomacinë shqiptare, e cila në kushtet e reja të hapjes së Shqipërisë, së rritjes së domosdoshmërisë të përfaqësimit me dinjitet në infrastrukturën e diplomacisë botërore, do të ishte një shërbim shumë i madh jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën, edhe për Shqiptarët e Maqedonisë, që të formohen në këtë fakultet, në këtë institut, ose në këtë qendër, që të bëjë të mundur që aty të merren bazë njohuritë bazë të diplomacisë dhe të merren dhe të gjitha teknikat e realizimit të diplomacisë, që është aq e rëndësishme sa dhe shkencat më të sofistikuara. Një nga elementët që e realizon edhe këtë marrëveshje sot është aspekti diplomatik. Nëpërmjet marrëveshjeve të kësaj natyre, politika diplomatike do të bëjë të mundur që të vë në lëvizje dhe institucione, që janë kaq të rëndësishme, siç janë universitetet respektive.

Unë pa u zgjatur shumë, sepse nuk është momenti për t’u zgjatur, edhe një herë do ju falenderoja pa masë për realizimin e këtyre marrëveshjeve dhe jam i bindur që kjo marrëveshje do të vë në lëvizje pedagogët, profesorët nga Italia dhe Shqipëria dhe anasjelltas, sepse është shumë e rëndësishme që të njihen nga afër universitete të tilla që kanë një traditë kaq të hershme në eksperiencat evropiane dhe botërore”!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›