E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet ratifikimin nga Parlamenti turk të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

26 nëntor 2008
Ankara, Turqi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar ku bëjnë pjesë kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, deputeti i Partisë Demokratike, Sali Shehu, përfaqësues të pushtetit vendor, etj., në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Turqi, u takua sot dhe me Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Këksal Toptan.

Edhe në këtë takim, Kreu i Shtetit shprehu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të dialogut politik midis dy vendeve tona, që reflektohet ndër të tjera në intensitetin e vizitave reciproke të nivelit të lartë. Gjithashtu, Presidenti Topi rikonfirmoi vullnetin politik të shtetit shqiptar për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Turqinë, si një aleate e Shqipërisë në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe integrimit të plotë në strukturat euroatlantike. Një vlerësim të veçantë Presidenti i Republikës i bëri dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë midis institucioneve homologe, sidomos atyre parlmentare, të të dy vendeve, që tashmë është shtrirë pothuajse në të gjitha fushat dhe mbështetet mbi një bazë të gjerë juridike.

Duke u ndalur në disa prej arritjeve kryesore të vendit tonë për përmbushjen e standardeve të kërkuara për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut, Presidenti Topi vuri në dukje veçanërisht bashkëpunimin me palën turke në fushën e mbrojtjes, si dhe kontributin e Turqisë në modernizimin dhe realizimin me sukses të reformave në Forcat tona të Armatosura. Presidenti i Republikës vlerësoi se “ratifikimi nga Turqia i Protokollit të anëtarësimit në NATO, është një nxitje shumë e madhe për Shqipërinë dhe një tregues konkret e i rëndësishëm i nivelit të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona.“

Në vijim të bisedës, Presidenti Topi vuri në dukje faktin se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është prioritet kryesor i politikës së jashtme shqiptare dhe se vendi ynë ndjek me interes përpjekjet dhe arritjet e çdo vendi që aspiron për anëtarësim në BE. Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit vlerësoi se edhe Protokolli i Bashkëpunimit në Procesin e Integrimit Evropian i nënshkruar mes Shqipërisë dhe Turqisë i shërben shkëmbimit të përvojës pozitive midis dy vendeve tona për përshpejtimin e ritmeve të integrimit të plotë në strukturat evropiane.

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, z. Këksal Toptan vlerësoi lart marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë, sidomos bashkëpunimin e frutshëm parlamentar, duke i ilustruar këto edhe me shembullin më të fundit: me votimin unanim që Asambleja turke i bëri mbrëmë protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Njëkohësisht z. Toptan e siguroi Presidenti Topi që Turqia do të vazhdojë e palëkundur në mbështetjen e saj dhënë vendit tonë për të përmbushur aspiratat integruese si në strukturat euro-atlantike, ashtu edhe në gjirin e familjes së madhe evropiane.

* * *

Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Ankara, Presidenti Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar që e shoqëron, zhvilloi një vizitë në Mauzoleumin e Ataturkut, ku në një ceremoni të posaçme vendosi një kurorë në nder dhe përkujtim të udhëheqësit të madh dhe themeluesit të shtetit modern turk duke lënë edhe përshtypjet e tij në Librin e Nderit.

Një ndalesë të veçantë Presidenti i Republikës e pati dhe në Muzeun me famë botërore të Civilizimeve të Anadollit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›