Kryemiistri Berisha takon Kryeministren kroate znj. Jadranka Kosor
Gjatë qëndrimit të tij në Dubrovnik, ku po merr pjesë në Samitin “Europa Juglindore, përballja me sfidat globale”, Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim dypalësh me Kryeministren e Kroacisë znj. Jadranka Kosor.
Kryeministrja Kosor e falënderoi Kryeministrin Berisha për pjesëmarrjen në Samitin e Dubrovnikut, më i rëndësishmi i mbajtur në Kroaci në vitet e fundit. Gjatë takimit, zonja Kosor nënvizoi marrëdhëniet shumë të mira mes Kroacisë dhe Shqipërisë, si dhe e vlerësoi këtë takim si një mundësi shumë të mirë për forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ekonomike. Ajo vuri theks të veçantë në mundësitë e kompanive kroate në fushën e ndërtimit të infrastrukturës, si dhe turizmit.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet dypalëshe dhe nevojën e forcimit të bashkëpunimit ekonomik. Më tej, Kryeministri bëri një ekspoze të mundësive për pjesëmarrje të kompanive kroate në projektet e infrastrukturës, përfshirë ato rrugore, portuale dhe energjetike.
Kryeministri Berisha e falënderoi Kryeministren Kosor për heqjen e përkohshme të vizave nga Kroacia për shtetasit shqiptarë.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha e falënderoi për ekspertizën e dhënë nga pala kroate në procesin e përgatitjes së përgjigjeve për Pyetësorin e Komisionit Evropian dhe theksoi se Kroacia është një rast model për një proces integrimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi i afërt i saj është një porte e hapur më shumë edhe për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit që ndajnë të njëjtat aspirata. Zonja Kosor e siguroi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e Kroacisë për Shqipërinë në këtë proces.
Në takim u diskutua edhe për vizitën e ardhshme të Kryeministres Kosor në Shqipëri.
10/07/2010