E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Avokatin e Popullit të Danimarkës, Hans Gameltoft-Hansen.

15 korrik 2008

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Avokatin e Popullit të Danimarkës, Hans Gameltoft-Hansen dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.

Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes Shqipërisë dhe Danimarkës, duke nënvizuar rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të tyre në fusha bashkëpunimi me interes të ndërsjelltë, ku padyshim shkëmbimi i vizitave të niveleve të larta luan një rol të veçantë.

Kreu i shtetit bëri një përshkrim të shkurtër të reformave të ndërrmara në vend si ajo në fushën e drejtësisë dhe reforma zgjedhore duke vënë në dukje përmbushjen e standardeve që mundësuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe duke patur si objektiv edhe integrimin në familjen e madhe evropiane.

Presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin e mirë mes zyrës së Avokatit tonë të Popullit dhe të Danimarkës përsa i përket shkëmbimit të përvojave dhe shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme dhe kontributin danez në mbështetje të Qendrës së të Drejtave të Njeriut dhe Rehabilitimit të të Mbijetuarve nga Tortura, duke siguruar njëkohësisht për mbështetjen e vazhdueshme nga ana e Institucionit të Presidentit të Republikës.

Kreu i shtetit, pasi vuri në dukje ndryshimet pozitive në rajonin tonë, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, theksoi rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor.

Nga ana e tij, Avokati i Popullit të Danimarkës, z. Hans Gameltoft-Hansen, pasi falenderoi Presidentin Topi për pritjen e rezervuar, vlerësoi arritjet pozitive dhe bashkëpunimin e frutshëm me institucionin e Avokatit të Popullit të vendit tonë, duke i vënë rëndësi ruajtjes dhe forcimit të pavarësisë së institucioneve dhe rritjes së bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe OJQ-të.

Në takim morën pjesë edhe Avokati i Popullit të Shqipërisë, Ermir Dobjani dhe Ambasadori i Danimarkës në vendin tonë, Nils Severin Munk.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›