E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Drejtoreshën e Përgjithshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Çan, dhe delegacionin që e shoqëron. &nb

24 mars 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti në një takim të përzemërt në ambientet e Pallatit të Brigadave, Drejtoren e Përgjithshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Çan dhe delegacionin që e shoqëron, të përbërë nga gjashtë drejtorët rajonalë të kësaj Organizate prestigjioze, në kuadër të mbledhjes së tyre vjetore, e cila këtë herë zhvillohet në Shqipëri.

Gjatë takimit, Presidenti Topi, pasi vlerësoi kontributin dhe rolin e rëndësishëm të kësaj organizate në drejtim të rritjes së nivelit të shëndetit në mbarë botën, u ndal konkretisht në impenjimin serioz e rigoroz të misionit të të OBSH-së për përmirësimin e shëndetit publik, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në gjithë rajonin e Ballkanit.

Kreu i shtetit vlerësoi arritjet e mëdha të kësaj organizate në luftën për uljen e prekshmërisë së njerëzve nga mjaft sëmundjeve, në kërkimet shkencore në fushën e shëndetit si dhe në krijimin e mjaft partneriteteve për një shëndet më të mirë dhe kujdes parandalues.

Kreu i Shtetit shqiptar, duke falënderuar OBSH-në për kontributin e rëndësishëm dhe bashkëpunimin e frutshëm me Shqipërinë dhe duke nënvizuar me këtë rast, detyrimin e shtetit në promovimin e shëndetit publik, u ndal në problemet aktuale që shqetësojnë vendin tonë në këtë fushë. Presidenti Topi vuri në dukje rolin e madh të OBSH-së për shëndetësinë, në hartimin e mjaft dokumenteve kryesore të politikave si ai i strategjisë së shërbimit shëndetësor, i sigurisë së gjakut, shëndetit mendor të popullatës e deri në atë të luftës së vazhdueshme kundër duhanit, e materializuar së fundmi me ligjin e miratuar kundër duhanit, etj.

Nga ana e saj, Drejtorja e Përgjitshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Çan, pasi falenderoi për mikpritjen e rezervuar nga Presidenti Topi, theksoi se organizata bazohet në të drejtën e qytetarëve për shëndetin dhe në arritjen e nivelit më të lartë të mundshëm të shëndetit, u ndal në disa çështje aktuale shqetësuese që hasen në mbarë botën duke theksuar përparësinë dhe vëmendjen e madhe që i duhet kushtuar kujdesit shëndetësor dhe parandalimit të sëmundjeve, sistemit të sigurimeve shëndetësore, sigurisë ushqimore dhe reformimit shëndetësor.

Drejtorja e Përgjitshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Çan, siguroi gjithashtu, se agjensia që ajo drejton do të vazhdojë të japë kontributin e saj të rëndësishëm, nëpërmjet projekteve të ndryshme për të arritur rezultate në parametrat e duhura për rritjen e cilësisë së jetës dhe shëndetit të shtetasve shqiptarë.

Kreu i shtetit shqiptar pasi vuri në dukje rëndësinë e faktit se mbledhja vjetore e drejtuesve të OBSH-së zhvillohet në Tiranë, siguroi edhe një herë mbi përkushtimin e Institucionit të Presidentit për inkurajimin dhe promovimin publik të një sistemi e kujdesi shëndetësor sa më të mirë për qytetarët shqiptarë si dhe rritjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës.

Shqipëria është ndër antaret e para të OBSH, që është themeluar në vitin 1947. Kjo Agjensi e OKB-së e ka qendrën në Gjenevë dhe zyrat rajonale në secilin Kontinent. Shqipëria nënshkruan cdo dy vjet Marrëveshjen e Bashkëpunimit me OBSH për asisitencë teknike e financiare. Marrëveshja e dy viteve të fundit arrin në 1 milion e 750 mijë euro.

Misioni lokal i OBSH në Tiranë organizon dhe koordinon donacione të shumta në fushën e shëndetësisë për vendin tonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›