E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha, i pranishëm në inaugurimin e kompleksit rezidencial “Touch of Sun”, investim austriak prej 12 milion euro

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të kompleksit rezidencial “Touch of Sun”, në Farkë (Tiranë), një investim i investitorëve austriakë me vlerë 12 milion euro. Kompleksi shtrihet në një sipërfaqe 20 mijë metra katror dhe sjell teknikën më të avancuar austriake në fushën e konstruksioneve. 

Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e tij, e cilësoi “Touch of Sun” një model të teknologjisë më të avancuar dhe organizimit urbanistik më të mirë. Kryeministri e konsideroi atë si  “suksesin e radhës në serinë e investimeve austriake, në Shqipëri, që ka në bazë besimin e madh tek Shqipëria”. Kryeministri ftoi investitorët austriakë, të huaj e vendas të vazhdojnë të investojnë në Shqipëri, në një dialog konstant, për të vendosur standardet më të mira, më të sigurta e më tërheqëse për investimet, për të shndërruar në histori suksesi çdo ëndërr e projekt të tyre këtu.

I pranishëm në këtë ceremoni, ambasadori austriak në Shqipëri, zoti Florian Raunig, tha se aktualisht, në Shqipëri operojnë 36 investitorë austriakë në fusha të ndryshme, që tregon besimin e Austrisë dhe investitorëve austriake për Shqipërinë. “Austria, - tha zoti Raunig -  nuk është vend fqinj me Shqipërinë, nuk është vend i madh i BE-së, por është vendi i rëndësishëm në Shqipëri, është vendi i tretë për investimet.”

Kryeministri Berisha, më gjerë, në fjalën e tij përshëndetëse, u shpreh:

“Së pari dëshiroj të përshëndes shumë përzemërsisht zotin dhe zonjën Felsinger, për projektin e tyre shumë të suksesshëm, për të cilin ata kanë gjetur ta pagëzojnë me një nga emrat më të merituar për këtë kompleks, por edhe të vendit në tërësi. “Touch the Sun” do t’i shkonte bukurisht mbarë Shqipërisë. Nuk ka vend më diellor se ky dhe Zoti i dha këtij vendi lartësinë mesatare më të madhe në Europë, pra, e ngriti më afër diellit. Unë dua t’ju falënderoj zoti Felsinger për persistencën e tij. Ky sukses ka në bazë besimin tuaj të madh tek Shqipëria, por edhe persistencën tuaj për të arritur suksesin e sotëm. Dua t’ju falënderoj për modelin që keni sjellë këtu, në Farkë e në Tiranë, një model i mrekullueshëm i teknologjisë më të avancuar, më të re, të një organizimi urbanistik më të mirë, një model që shpresojmë të frymëzojë projektues e ndërtues të tjerë, për t’u përhapur më gjerë.

Në serinë e investimeve austriake, ky është suksesi i radhës. Ndaj unë shfrytëzoj rastin për të falënderuar të gjithë investitorët austriakë në Shqipëri, të gjithë investitorët e huaj, për vendimet e tyre për të vendosur ëndrrat, projektet në këtë vend. 

Zoti ambasador, dua t’ju falënderoj edhe ju për përkushtimin që tregoni e dëshmoni për të mbështetur investimet austriake, në Shqipëri. Shfrytëzoj rastin gjithashtu, për të shprehur vlerësimin tim më të lartë për ndërtuesit e huaj e shqiptarë, të cilët qëndrojnë si promotor kryesor të zhvillimit të këtij vendi dhe t’i garantoj ata se qeveria do të bëjë gjithçka për një klimë gjithnjë e më të mirë e miqësore për investimet tyre. Në këto vite, së bashku me ju, së bashku me biznesin shqiptar, ne ia kemi dalë të vendosim disa standarde shumë të mira në Shqipëri, për biznesin.  Ne renditemi shumë lart në botë, ndër 10-15 vendet e para, për regjistrimin  biznesit, për  garantimin e investimeve të huaja, për lehtësitë bankare. Ne kemi ndër nivelet më të ulëta të taksave në Europë e në botë dhe jemi të vendosur të shqyrtojmë lehtësi të tjera të barrës së taksave mbi investitorët e vendit e të huaj. Ne kemi hequr 2/3 e licencave e lejeve, po konsiderojmë të heqim edhe të tjera dhe i kemi grumbulluar ato që mbeten në One Stop Shop për licencat e lejet. Kemi vendosur sistemin dixhital në prokurimet publike. Përpjekje të mëdha janë bërë për të garantuar gjithashtu, në bazë të dokumenteve zyrtare, investimet tuaja në troje kudo që ndodhen, në qytete e fshatra.

Të gjitha këto kanë bërë të mundur shndërrimin e vendit në një vend tërheqës për investimet e huaja. Raportet e fundit më serioze ndërkombëtare dëshmojnë se në treguesin e kompetitivitetit, Shqipëria ka lënë mbara disa vende të rajonit dhe vende anëtare të Bashkimit Europian. Në lirinë ekonomike, që vitin e kaluar ka njohur stanjacion e kthim mbrapa, Shqipëria ka një rritje 16 për qind dhe lë mbrapa 12 vende anëtare të BE-së. Në këto përpjekje qëndron edhe suksesi  ynë i përbashkët. Shqipëria është sot, i vetmi vend në rajon që pati rritje të investimeve të huaja, në vitin 2010. Në rast se në botë, sipas UNCTAD, investimet e huaja pësuan rënie 37 për qind, nga viti 2007 deri në vitin 2010, në Shqipëri, investimet e huaja u rritën nga viti 2006 deri në vitin 2010, me 316 për qind. Ne ia dolëm vitin e kaluar të kemi rreth 1.1 miliard dollarë investime, por ju garantoj se kapacitet e këtij vendi janë së paku për 4 miliardë dollarë investime.

Ndaj unë nuk e konsideroj këtë më shumë se një hap të parë të rëndësishëm dhe sërish kam bindjen më të thellë se për të realizuar ambicien e saj, Shqipëria - vend i zhvilluar, për të mbrojtur vendin nga një krizë shumë e rëndë e borxheve që ka ngërthyer zonën e  euros, por edhe më gjerë, rruga e vetme është mbështetja tek biznesi, mbështetja tek investitorët, zgjerimi i hapësirave të lirisë për ju, zgjerimi i lirisë ekonomike, këtu qëndron edhe potenciali ynë më i madh, këtu qëndron ndofta edhe potenciali ynë i vetëm. Ja përse unë ju ftoj të vazhdojmë këtë udhëtim, në një dialog konstant, në mënyrë që së bashku të vendosim në këtë vend standardet më të mira, më të sigurta, më tërheqëse për investimet e huaja e vendase, të punojmë së bashku për të shndërruar në histori suksesi çdo ëndërr, çdo projekt të investitorëve austriakë, të investitorëve të huaj apo vendas qofshin ata.

Edhe një herë ju përgëzoj për këtë sukses të vërtetë që inauguroni sot, në komunën e Farkës, përgëzoj kryetarin e komunës, i cili ka mbështetur këtë projekt dhe projekte të tjera të ngjashme në territorin komunës së tij.”


20/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›