E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Presidentin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes, Majkëll Granof

24 tetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot një takim me anëtarë të Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes si dhe me drejtuesin e këtij Fondi dhe Presidentin e Fondacionit, Majkëll Granof, me të cilët pati një bashkëbisedim të ngrohtë e miqësor.

Presidenti i Republikës shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim me anëtarët e Bordit si dhe me zotin Granof, edhe për faktin se këto takime janë të frytshme për shkëmbimin e ideve dhe mendimeve që u përkasin kryesisht perspektivave të sipërmarrjes, investimeve, zhvillimit dhe mundësive të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rritjes së investimeve amerikane. Në këtë pikë Presidenti Topi theksoi se: “është rasti për të nënvizuar edhe një herë vlerësimin për kontributin e vazhdueshëm dhe të spikatur të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjeve në këtë drejtim, si dhe për të inkurajuar më tej veprimtarinë e tij nëpërmjet Fondacionit të drejtuar nga zoti Granof.”

Presidenti Topi bëri një përshkrim të shkurtër të situatës politiko-ekonomike në Shqipëri dhe vuri në dukje arritjet e biznesit dhe të sipërmarrësve shqiptarë, të cilët vijojnë të kërkojnë dhe të mundësojnë shfrytëzimin e hapësirave të reja për veprimtarinë e tyre ekonomike, përfshi këtu edhe bashkëpunimin në kuadrin e organizmave e struktura ekonomike homologe në vende të tjera.

Nga ana e tij, anëtarët e Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes, si dhe drejtuesi i tij, Majkëll Granof pasi e njohën Presidentin Topi me ecurinë e disa prej projekteve afatgjata të këtij Fondacioni në Shqipëri duke garantuar për vijimin e tyre dhe në të ardhmen me ide të reja dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë si zhvillimin kulturor, qendra për teknologjinë e informacionit, etj., vlerësuan rolin pozitiv e moderator të Kryetarit të Shtetit shqiptar në zbatim dhe përputhje të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›