E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, Prof. Momir D. Gjuroviç.

2 shkurt 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, Prof. Momir D. Gjuroviç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. I pranishëm në këtë takim ishte edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Prof. Gudar Beqiraj dhe Ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, Zheljko Peroviç.

Pasi i uroi akademikut të shquar malazez mikpritjen në Shqipëri, Presidenti Topi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes këtyre institucioneve të dijes dhe shkencës në fusha të ndryshme si kërkimi shkencor, projekte të përbashkëta integrale për ekosistemin e njëjtë që ndajmë në veri me Liqenin e Shkodrës, lumin Buna dhe gjithë pellgun ujëmbledhës, etj. Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve miq dhe fqinj si dhe nivelin e lartë të dialogut politik, duke vënë në pah faktin se popujt tanë janë orientuar tërësisht drejt integrimit në gjirin e familjes së madhe evropiane. Presidenti Topi shprehu mbështetjen e plotë institucionale dhe personale për organizmin e konferencave të përbashkëta dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi të frutshëm akademik e shkencor.

Nga ana e tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, Prof. Momir D. Gjuroviç, pasi e falenderoi Kreun e shtetit shqiptar për pritjen e ngrohtë, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojës mes dy akademive me anë të marrëveshje dypalëshe, studimesh integrale ujore, shfrytëzimin e ekosistemit, ruajtjen e ambjentit në të mirën reciproke të dy vendeve tona si dhe për organizimin e konferencave të përbashkëta me akademikë nga të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›