E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha drejton mbledhjen e radhës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Të nderuar deputetë!
Në axhendën e javës që vjen, janë një seri ligjesh shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me reformat e mëtejshme të institucioneve; kanë të bëjnë me përcaktimin e një qëndrimi të ri ndaj fenomeneve dhe një adaptimi të një praktike antidiskriminuese në Shqipëri. Ka qenë mendim i grupit parlamentar që mbikëqyrja, monitorimi i procesit të antidiskriminimit t’i besohej Avokatit të Popullit, si institucioni më i konsoliduar në vend, në mbikëqyrjen e lirive dhe të drejtave njerëzore. Po këtu duket se ka një kufizim ligjor. Kufizimi ligjor qëndron në objektin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit dhe meqenëse ndryshimi I këtij ligji do të kërkonte 3/5, mendoj të procedojmë me variantin që adaptojnë një seri vendesh duke ngritur një trupë të veçantë, të varur nga parlamenti që të mbikëqyrë zbatimin e këtij ligji . Edhe kjo praktikë është përdorur , madje mund të jetë edhe më e këshillueshme në aspektin që të mos konceptohet si një lloj mbingarkese  për institucionin e Avokatit të Popullit.
Ligji i dytë që ju keni në shqyrtim është ligji i disa ndryshimeve në “Ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror”. Me këto ndryshime synohet së pari, përcaktim më i qartë i detyrave të Shërbimit Informativ Shtetëror në kushtet aktuale.  Cilësore do të thoja unë është vendosja e veprës së korrupsionit për personin publik. Nuk është një kjo një inventim i imi apo I qeverisë; kjo është një praktikë, të cilën e kanë vendosur në ligj vende të tilla Polonia dhe vende të tjera. Kështu që mendoj se kjo është e domosdoshme. Së dyti, dua të theksoj se midis Shërbimit Informativ dhe Policisë ekziston një bashkëpunim i frytshëm dhe unë dua t;ju garantoj ju se kontributi i Shërbimit në luftën kundër trafiqeve, është shumë i rëndësishëm. Në ligj përcaktohet më qartë detyrimi ligjor i bashkëpunimit, por në këtë nen, vetë shërbimi ka sjellë disa propozime, pasi u miratua ligji në qeveri. Unë ju ftoj që ato t’i shqyrtoni, sepse shërbimi ka bërë propozime, gjykoj të dobishme, si në këtë nen, ashtu edhe në ndërhyje në nenin 14, si dhe propozime të tjera.
Një risi tjetër e këtij ligji, është risia e angazhimit të parlamentin në procesin e emërimit të drejtuesve kryesorë. Eshtë një standard normal, që parlamenti duhet të ketë një fjalë, që komisioni për sigurinë duhet të ketë një fjalë, për kandidaturat që propozohen për drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror. U ruajt sërish, ndonëse Kushtetua parashikon vetëm për drejtorin, e njëjta procedurë edhe për zv/drejtorin. Ligji përcakton që në rrethana të caktuara zv/drejtori kryen detyrat e drejtorit, kur ky mungon për arsye shëndetësore, ose për arsye tjetër dhe këtu bëhet një qartësim: ligji përcakton mandatin. Nuk mund të ketë vend të lirë, në të cilin Shërbimi Informativ Shtetëror, nuk ka një mandat të përcaktuar. Pa mandat janë vetëm në regjimet totalitare shërbimet. Në këtë kontekste është zgjedhur një mesatare, ka vende që e kanë e 3 vjet, 4 vjet, ka vende që e kanë 7 vjet, ne preferuam që të caktojmë mandatin 5-vjeçar, si një mandat me të drejtë përsëritje për herë të dytë. U ruajt e njëjta procedurë siç theksova për drejtorin dhe zv/drejtorin, pra kryeministri para se t’i propozojë presidentit emrat, merr pëlqimin e komisionit të sigurisë dhe procedon më tej.
 
Së shpejti, do të përgatitet dhe do të vijë “Ligji për Policinë Gjyqësore”. Edhe ky ligj synon një reformim të mëtejshëm, të veprimtarisë të Policisë Gjyqësore, vendosjes në baza ligjore të reja të disa aspekteve të kësaj veprimtarie. Natyrisht, kushtetuta e vendit, drejtimin e hetimit ia ka dhënë prokurorit. Ky është varianti që ekziston në Shqipëri, besoj se duhet të ekzistojë edhe në vende të tjera, disa vende të tjera e kanë vetëm policia. Ne do t’i përmbahemi plotësisht prerogative kushtetuese, një memorandum është firmosur më përpara midis prokurores së përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme. Memorandumi gjykoj se përbën një bazë solide për t’u amenduar ligji mbi frymën dhe parimet e vendosur në këtë memorandum, duke pasur parasysh se kushtetuta e vendit, hetimin ia njeh si detyrë prokurorit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, si udhëheqje.
 
Pra këto janë disa nga ligjet e rëndësishme, ligje të tjera shumë të rëndësishme janë në përgatitje e sipër. Reforma e inspektorateve, reformat e investimeve në fushën e investimeve të huaja, reforma e shëndetësisë, pra është një proces do të thosha i pandalshëm,  “perpetua mobile”.
 
Faleminderit!01/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›