E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha drejton mbledhjen e Task Force për reformën në shëndetësi

-          Kryeministri Berisha: Task Force për reformën në shëndetësi ka detyrën dhe do të bëjë çdo gjë, deri sa reforma në sistemin e shëndetësisë të konsolidohet. Reforma në këtë sektor është një përparësi absolute e kësaj qeverie.
Kryeministri Berisha kryesoi sot mbledhjen e parë të Task Force për Reformën në shëndetësi, në të cilën marrin pjesë ministra të kabinetit qeveritar, si dhe drejtues e specialistë të fushës së shëndetësisë.
Kryeministri vlerësoi rolin e kësaj Task Force në projektimin, zbatimin dhe kompletimin e reformës shëndetësore, si një kusht përcaktues për t’u ofruar qytetarëve shqiptarë shërbimin shëndetësor që ata meritojnë. “Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të ofruar një shërbim cilësisht shumë të mirë në të gjithë sistemin e saj shëndetësor, për të ndërtuar një politikë në mbrojtje dhe në zhvillim të shëndetit, në parandalimin e sëmundjeve dhe në trajtimin e tyre”, u shpreh Kryeministri.
Duke iu referuar nevojës në madhe në ecjen para të reformës në shëndetësi, Kryeministri theksoi se duhet të përcaktohet jo vetëm i gjithë projekti i kësaj reforme, por edhe planin e veprimit për zbatimin e saj, në mënyrën më të vendosur. “është e domosdoshme të përzgjedhim se cilit model duhet t’i përmbahemi. Parimet mbi të cilat ndërtohet kjo reformë janë të vërteta për Shqipërinë, për Francën, Gjermaninë e çdo vend dhe nuk ka dy standarde në këto parime”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri vlerësoi hapat e deritanishëm në këtë drejtim, por theksoi se tashmë duhet të finalizohen këto hapa. “Ne e nisëm këtë reformë dhe janë hedhur disa hapa, të cilat tani, në raportin e blerësit dhe shitësit të produktit, duhet të finalizohen. Nuk mund të ecim para pa ditur se sa kushtojnë dhe se cili është shpenzimi që duhet të bëjmë. Ky është kushti i parë. Duhet të përfundojmë reformën sa më parë në këtë drejtim, por nuk mund të bëjmë reformën pa dixhitalizimin e plotë, total e përfundimtarë të sistemit tonë shëndetësor”, tha Kryeministri.
Kryeministri u ndal gjithashtu në nevojën që kjo reformë të finalizohet së pari në Tiranë. “Nuk ecën reforma nëse ne nuk e realizojmë atë, së pari, para të gjithash dhe mbi të gjitha, në Tiranë, në Qendrën Nënë Tereza dhe në institucionet e tjera spitalore universitare, pasi fuqia rrezatuese e tyre në periferi është shumë e madhe”, theksoi Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri nënvizoi se reforma nuk ecën në rast se ne nuk arrijmë që shërbimin t’ua ofrojmë të gjithë qytetarëve. Për këtë duhet të gjendet mënyra e duhur dhe të përcaktohen të gjitha modalitetet. “Qeveria duhet të marrë përsipër shërbimin për ata që nuk kanë asnjë mundësi. Shteti duhet t’ua mbulojë këtë shërbim”, tha Kryeministri.
Një drejtim kryesor në reformën në sektorin e shëndetësisë, Kryeministri përmendi inkurajimin dhe zhvillimin e sektorit privat, por kjo në asnjë mënyrë, duke hequr dorë nga sistemi publik, përkundrazi. “Shteti dhe qeveria duhet të kenë përqendrim total në përmirësimin më të madh të sekorit publik, duke përdorur të gjitha rrugët e partneritetit me sektorin privat, fuqinë menaxhuese të këtij sektori. Ne duhet të mbajmë shkencën, të mbajmë cilësinë, të mbajmë klinikën, të mbajmë disiplinën, të mbajmë përgjegjësinë, të mbajmë raitingun”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri tërhoqi vëmendjen se në realizimin e reformës në shëndetësi, duhet të ndiqet edhe sistemi i kontratave. “Suksesi i kësaj reforme është kontratë dhe dalja zot kontratës me gjithë përkushtimin e duhur. Nuk ke pse të zesh vendin e punës njëherë e mirë, në rast se nuk i del zot punës tënde. Duhet të jesh me kontratë të caktuar dhe për këtë duhet të përcaktoni kriteret më të mira. Raitingu është i domosdoshëm, provimi dixhital dhe i pa depërtueshëm nga korrupsioni, është i domosdoshëm”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri shprehu besimin se me kontributin e të gjithë komponentëve, reforma në shëndetësi do të lëvizë  në mënyrën më agresive. “Kjo Task Force ka detyrën dhe do të bëjë çdo gjë, deri sa reforma në sistemin e shëndetësisë të konsolidohet. Reforma në këtë sektor është një përparësi absolute e kësaj qeverie. Nuk ka gjë që pasqyron më mirë qeverisjen sesa sistemi i shëndetësisë.”, tha Kryeministri Berisha.              
 29/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›