V E N D I M PËR NGRITJEN E GRUPEVE TË PUNËS PËR EVIDENTIMIN DHE VLERËSIMIN E DËMEVE TË SHKAKTUARA NGA RESHJET E SHIUT E PËRMBYTJET NË QARQET E SHKODRËS E TË LEZHËS
V E N D I M
PëR
NGRITJEN E GRUPEVE Të PUNëS PëR EVIDENTIMIN DHE VLERëSIMIN E DëMEVE Të SHKAKTUARA NGA RESHJET E SHIUT E PëRMBYTJET Në QARQET E SHKODRëS E Të LEZHëS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 13, të ligjit nr.10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, dhe të shkronjës “dh”, të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.8756, datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e grupeve të punës për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut e përmbytjet në qarqet e Shkodrës dhe të Lezhës, përkatësisht, për bashkitë dhe komunat e mëposhtme:
a) Në qarkun e Shkodrës, bashkia Shkodër dhe komunat Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi, Bërdicë, Bushat, Velipojë, Qendër Malësi e Madhe, Rrethina;
b) Në qarkun e Lezhës, komunat Shëngjin, Shënkoll, Fushë -Kuqe.
2. Grupet e punës, sipas komunave, të kenë në përbërje specialistë, të përcaktuar nga ministritë dhe institucionet e mëposhtme:
- Ministria e Brendshme, 6 specialistë.
- Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit,
24 specialistë.
- Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit,
24 specialistë.
- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, 12 specialistë.
- Ministria e Arsimit dhe Shkencës, 12 specialistë.
- Ministria e Shëndetësisë, 12 specialistë.
- Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Brendshme, 10 specialistë.
- ALUIZNI, 24 specialistë.
- Këshilli i qarkut të Shkodrës, 22 specialistë.
- Këshilli i qarkut të Lezhës, 6 specialistë.
- Komunat e prekura nga përmbytja, nga 1 specialist secila.
3. Grupet e punës të drejtohen nga këshillat përkatëse të qarqeve të sipërpërmendura.
4. Emrat e përfaqësuesve të ministrive e të institucioneve për grupet e punës, sipas pikës 2, të këtij vendimi, t’i dërgohen, brenda 2 (dy) ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit, Ministrisë së Brendshme dhe Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.
5. Kryerja e evidentimit dhe e vlerësimit të dëmeve në ndërtesa banimi, në objekte të biznesit, objekte sociale dhe publike, të orendive e të pajisjeve elektroshtëpiake, të dëmeve të shkaktuara në kultura bujqësore, në gjënë e gjallë dhe në bazën ushqimore për blegtorinë, të bëhet sipas formularëve tip, 1, 2 e 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
6. Formularët e plotësuar nga grupet e punës për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve, së bashku me listën emërore të pronarëve të banesave apo objekteve të tjera, shoqëruar me certifikatën e kryefamiljarit dhe fotokopjen e dokumentit të identifikimit, t’i dërgohen, nga këshilli i qarkut përkatës, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, Ministrisë së Brendshme, pas miratimit nga ministritë e linjës dhe institucionet përkatëse, sipas fushave të veprimtarisë që ato mbulojnë.
7. Ministria e Brendshme paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave vlerën e dëmeve të shkaktuara nga përmbytja, së bashku me listën emërore të kyefamiljarëve të dëmtuar, të detajuar sipas objekteve të përcaktuara (ndërtesa banimi, ndërtesa publike, ndërtesa me karakter bujqësor, makineri dhe pajisje, pajisje elektroshtëpiake, orendi e mobilje, kultura bujqësore, gjë e gjallë dhe bazë ushqimore, etj), sipas formularëve tip të plotësuar, të miratuar nga ministritë e linjës dhe institucionet përkatëse, sipas fushave të veprimtarive që ata mbulojnë, dhe të dërguar nga këshillat përkatëse të qarqeve Shkodër dhe Lezhë.
8. Pas vlerësimit të dëmeve për kategoritë e dëmtimeve në ndërtesat e banimit, në objektet e biznesit, në ndërtesat me karakter bujqësor, etj., llogaritja të bëhet me çmimet sipas zërave të punimeve të ndërtimit, miratuar për qytetin e Shkodrës apo të Lezhës, për vitin 2008, nga Enti Kombëtar i Banesave.
çmimet për të gjitha zërat e punimeve t’i dërgohen zyrtarisht nga Enti Kombëtar i Banesave këshillave të qarqeve përkatëse.
9. Për objektet e biznesit vlerësimi i dëmeve në makineri, mallra dhe pajisje të dëmtuara të kryhet në përputhje me dokumentacionin e depozituar pranë organeve tatimore dhe doganore. Vlerësimi të bëhet nga drejtoritë përkatëse rajonale të tatimeve.
10. Vlerësimi për orenditë dhe pajisjet e dëmtuara në ndërtesat e banimit të kryhet, si më poshtë vijon:
· Për grupin pajisje elektroshtëpiake, vlerësimi të bëhet në bazë të çmimit aktual, të përcaktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
· Për grupin orendi e mobilje, të bëhet dëmshpërblimi në lekë, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për frymë, dhe jo më shumë se 200 000 (dyqind mijë) lekë.
11. Vlerësimi i dëmeve të shkaktuara në të mbjella, në gjënë e gjallë dhe në bazën ushqimore (koncentrate, sanë, njomishte, etj.) të kryhet sipas çmimeve të tregut, të marra nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
12. Vlerësimi i dëmeve të shkaktuara në objekte sociale e publike (shkolla, spitale, qendra shëndetësore, kabina të tensionit të lartë, ujësjellës, hidrovore, argjinatura dhe rrugë) të kryhet nga specialistët përkatës, anëtarë të grupeve të punës, sipas çmimeve të marra nga ministritë e linjës për sektorët e përmendur më lart.
Efektet financiare, që rrjedhin në këtë rast, të përballohen nga buxhetet përkatëse miratuar për ministritë e linjës.
13. Efektet financiare të dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe përmbytjet në qarqet e Shkodrës e të Lezhës të përballohen nga fondi i emergjencave civile në qarkun e Shkodrës dhe, në rastet kur ky fond emergjence nuk është i mjaftueshëm, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
14. Ngarkohen ministri i Financave, ministri i Brendshëm, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ministri i Arsimit dhe Shkencës, ministri i Shëndetësisë, prefektët e qarqeve të Shkodrës e të Lezhës dhe njësitë përkatëse të qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA20/01/2010