E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret drejtues të Shoqatës së Luftëtarëve Shqiptarë për Pavarësinë e Kroacisë

Kryeministri priti sot në takim drejtues të Shoqatës të Luftëtarëve Shqiptarë për Pavarësinë e Kroacisë. Duke e falënderuar për pritjen, ish luftëtaret i shprehën konsideratat më të thella Z. Berisha për kontributin e tij në zhvillimin e atdheut mëmë, për mbështetjen e lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve në hapësirën ballkanike e me gjerë, si dhe për rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon.
 
Shoqata, e krijuar një vit më parë në Kroaci, është një organizatë që, në radhë të parë, ka për qëllim të vlerësojë bilancin e kontributit dhe gjakut të dëshmorëve shqiptarë në betejat e përbashkëta me popullin kroat për pavarësinë e Kroacisë. Ajo do të krijojë mundësinë që trupat e luftëtarëve shqiptarë të prehen të qetë pranë të afërmeve të tyre në Kosovë dhe ngado, ku ata kanë familjet e tyre. Shoqata është gjithashtu një urë miqësie midis dy popujve, atij shqiptar dhe kroat. Kontributi i luftëtarëve shqiptarë konsiston në flijimin e 77 dëshmorëve, 450 të dëmtuarve invalidë dhe përbëhej prej 2300 luftëtarë dhe 250 oficerë dhe nënoficerë.
 
Kryeministri Berisha, duke vlerësuar sakrificat dhe  angazhimin e tyre në një luftë të drejtë,  theksoi se betejat e ushtrisë së organizuar kroate  përbëjnë preludin e përpjekjes së një lufte, e cila do të pasohej me vendosjen e faktorëve të rinj të paqes dhe stabilitetit në  Ballkan. Jam ndjerë  gjithmonë krenar për ju, - u shpreh Kryeministri - kur të gjithë udhëheqësit kroatë më kanë shprehur konsideratat, simpatinë dhe obligimin më të thellë për ju dhe bashkëluftëtaret tuaj.
 
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha bëri edhe një paraqitje të zhvillimeve në Shqipëri, duke i vlerësuar ato shumë pozitive. “Ne, - tha Kryeministri - ia kemi dalë të përballojmë me sukses pasojat e krizës financiare botërore, kemi realizuar zgjedhjet më të mirë deri më sot dhe po ecim të sigurt drejt liberalizimit të vizave, si dhe  anëtarësimit me  Bashkimin Europian, pavarësisht ngërçit të një pjese të lidershipit të opozitës, të cilët njohin rezultatin e zgjedhjeve dhe ndërkohë bojkotojnë  parlamentin.” 29/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›