E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryetarin e Këshillit të Shtetit të Greqisë, Georgios Panagiotopoulos.

22 korrik 2008

Presidenti i Republikës, Prof Dr. Bamir Topi priti sot Kryetarin e Këshillit të Shtetit të Republikës së Greqisë, Georgios Panagiotopoulos, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Gjatë takimit, Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë duke theksuar rolin e madh që luan shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë në zgjerimin dhe forcimin e tyre të mëtejshëm.

Kreu i shtetit, duke bërë një përshkrim të reformës së ndërmarrë në gjyqësorin shqiptar për plotësimin e standardeve integruese, vuri në dukje rëndësinë e marrëdhënieve të mira mes dy institucioneve të drejtësisë, të cilat rrisin nivelin e bashkëpunimit dhe ofrojnë më shumë mundësi për të marrë përvojë nga një vend jo vetëm fqinj dhe mik, por edhe anëtar i Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Presidenti Topi, pasi e falenderoi Kryetarin e Këshillit të Shtetit për kontributin dhe ndihmesën e dhënë në drejtim të këtij bashkëpunimi, i kërkoi z. Panagiotopoulos t’i përcjellë përshëndetjet më të përzemërta Presidentit Papoulias.

Nga ana e tij, z. Panagiotopoulos, pasi falenderoi Kreun e shtetit shqiptar për pritjen e rezervuar, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me palën shqiptare, duke nënvizuar rëndësinë e vizitave reciproke si dhe shkëmbimin e pikëpamjeve dhe përvojave gjyqësore për thellimin e fuqizimin e marrëdhënieve me interes të ndërsjelltë.

Në këtë takim ishin të pranishëm gjithashtu edhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo dhe Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Nikolas Pazios.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›