Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Zonja kryetare e Parlamentit
Zonja dhe zotërinj deputetë
Sot unë dua t’ju informoj ju mbi vendimin e fundit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve dhe miratimit nga ky komitet për fillimin e punimeve në total të 520 projekteve, të marra nga të gjitha agjencitë, projekte, të cilat shtrihen nga Konispoli, Pogoni dhe jugu i vendit, deri në Valbonë, Çerem, Dukagjin dhe zona të tjera. Këto projekte të nderuar deputetë janë projekte, të cilat i japim shtytjen përfundimtare projektit, ose finalizimit të projektit të ndërtimit të një infrastrukture të re rrugore në mbarë vendin. Unë kam kënaqësinë t’ju informoj ju, se të financuara në ndërtim e sipër dhe që fillojnë nga e para ndërtimin, janë rrugë jo kombëtare, le ti quajmë rrugë të qytetarëve, rrugë që shkojnë në fshat, në bllok, në lagje, në komunë dhe kudo, se e përgjithshmja duhet por ajo që të prek në lëkurë ndihet më shumë. Janë 1230 kilometra sëbashku me rrugë kombëtare bëjnë 1500 kilometra, me të cilat ndodh një transformim rrënjësor i infrastrukturës rurale të vendit.
Ne kemi deklaruar në mënyrë të përsëritur, se do të bëjmë gjithçka që aty ku jetojnë qytetarët shqiptarë, tu ofrojmë infrastrukturën e lagjeve të qyteteve tona, që njerëzit të udhëtojnë si zotërinj në rrugë të shtruara, të kenë energji elektrike, të kenë ujë, të kenë shkolla, të kenë internet të kenë shërbime njëlloj si lagjet e qytetit. Nuk ka synim më të vështirë dhe më ambicioz, por nuk ka synim dhe objektiv më fisnik dhe më njerëzor, po të kemi parasysh, se ai që jeton në një zonë me një infrastrukturë të ndërtuar, me atë që jeton në fshatrat e Zall Dardhës apo të Lenies, apo të zonave të tjera, ka një dallim si nata me ditën në kushtet e jetesës së tij dhe në koston e jetesës së tij.
Ndaj dhe ne me këto investime do të bëjmë gjithçka tu japim mesazhin qytetarëve shqiptare se, aty ku jetojnë ne do të gjendemi në premtimin tonë. Natyrisht me 1500 kilometra rrugë, nuk përfundon tërësisht, por i jepet shtytja përfundimtare projektit të rrjetit rrugor më modern në rajon dhe më gjerë. Kjo është e vërteta dhe kjo përben një zhvillim ndër më madhoret. Këto janë të shpërndara në mbarë vendin dhe me këto investime në Shqipërinë rurale, ne shënojmë një hap madhor drejt Shqipërisë vend i zhvilluar.
Në 500 e ca projekte që janë për të filluar punimet, ndër to janë 130 ujësjellësa, të cilët do të furnizojnë me ujë të rrjedhshëm ose 24 orë, sipas rastit, 293 mijë banorë. Janë në ndërtim e sipër apo do të fillojnë ndërtimin nga e para 230 shkolla në mbarë vendin, të cilat përmirësojnë shumë shkollimin e mbi 250 mijë nxënësve. Ndërtohen dhe 43 qendra shëndetësore, nga të cilat përfitojnë 122 mijë banorë. Përfitojnë nga projektet e arrorëve dhe ullinjve mbi 4400 fermerë në mbarë vendin. Këtë vit siç e dini fondi i arrorëve dhe ullinjve është dyfishuar. Ka një vrull të ri të madh në infrastrukturën e vendit. Sot po kthehem nga Aeroporti, u inauguruar ndërtesa e re e ANTA-s, u inaugurua një investim 76 milion dollarë në modernizimin e kontrollit të trafikut ajror. Kjo do të thotë që transporti ajror gjatë këtyre vite të qeverisjes është rritur me 137% , nga 700 mijë ka arritur në rreth 1 milion e 800 mijë pasagjerë vitin e kaluar. Kjo është Shqipëria e besimit, e besimit më të madh në historinë e vendit.
Të nderuar deputetë,
Në të gjitha këto projekte që fillojnë ndërtimin dhe në ato që janë në ndërtim e sipër, punësohen direkt 22 mijë punonjës, punëtorë, inxhinierë, teknike dhe indirekt pothuajse po kaq. Dua t’ju informoj dhe njëherë se, nga Saranda në Valbonë dhe Dukagjin, janë në ndërtim e sipër 100 hidrocentrale, të cilët punësojnë së paku minimumi 15 mijë punëtorë, direkt, sesa janë pastaj indirekt pothuaj po kaq në sipërmarrje të tjera.Dy gjëra spikatin këtu. Spikat fakti që në kulmin e krizës në mbetemi absolutisht qeveria që investojmë 2-3 herë më shumë se çdo qeveri tjetër në Europë. Po zotërinj, në kulmin e kësaj krize, nuk është se pasojat e saj nuk u ndien, por ekonomia shqiptare performon me gjithë vështirësitë e saj.
Gjuthashtu rezulton që ne mbetemi i vetmi vend që ulim papunësinë. Dua ti them z. Rama, i cili merr hua nga vitet ‘90 një statistikë të diktatorit të fundit që qarkulloi asaj kohe në mbarë botën. Për të shprehur urrejtjen dhe përçmimin ndaj kombit të tij, i cili hodhi në koshin e historisë regjimin mizor të diktaturës hoxhiste, diktatori i fundit komunist do u deklaronte botës se, kombi shqiptarë përbehet nga 3 milion, 1 milion të papunë,1 milion hajdutë, 1 milion spiunë. Kjo ishte deklarata më përçmuese që një njeri mund të bënte për shqiptarët. Shqiptarët duhet ta dinë se këtë e beri Ramiz Alia dhe këtë e bëri vetëm për ti poshtëruar ata, në shkallën me ekstreme si një akt i verbër, se e hodhën mënjane regjimin e tyre. Tani përsëri përdoret e njëjta statistikë, statistika 1 milion të papunë dhe mashtrimi i madh, se këtë e thotë Banka Qendrore e vendit.
Çfarë ka në këtë deklaratë. Në këtë deklaratë ka thjeshtë një nostalgji për etërit nga bijtë e tyre dhe ka një mashtrim të madh për një deklaratë që Banka e Shtetit,se ka bërë kurrë, sepse Banka e Shtetit prodhon statistika monetare dhe kurrë asnjë një bankë as e shtetit shqiptar dhe as e një shteti tjetër nuk prodhon statistika të papunësisë. Statistikat e papunësisë nxirren nga zyrat e punës, instituti i statistikës dhe anketat. Më lejoni pak ti lëmë z. Rama statistikën e Ramizit dhe të dalim tek statistika reale.
Shqipëria me bordero ka në total 565 mijë e 600 pensionistë përfundimtarë dhe të parakohshëm. I themi zotit Rama se Shqipëria ka 300 mijë fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjet, mosha parashkollore, të cilët i llogarit për të papunë, se Shqipëria ka 650 mijë nxënës dhe studentë në sistemin e vet arsimor, se Shqipëria ka në fshat rreth 320 mijë ferma. Tani nëse llogarisim pa fshatin të gjitha këto kategori, këto bëjnë 1 milion e 500 mijë pensionistë, fëmije parashkollor dhe shkollor. Z. Rama harron se në shoqërinë e lirë në Shqipëri dhe në mbarë botën janë me qindra dhe mijëra, ata të cilët përzgjedhin që kanë mundësira, njëri bashkëshort të mbajë biznesin, tjetri familjen, ndonëse e pa këshillueshme, por ja që kjo ndodh edhe në vendet më të pasura të botës.
Në një vend të lirë quhen të papunë ata qytetarë, që shkojnë në zyrën e punës, për të kërkuar punë dhe për të përfituar favoret e papunësisë që çdo vend përfshirë Shqipërinë, i ka të caktuara me ligj. Të mendosh se, për ti bërë qefin Edi Ramës, qytetarët shqiptarë nuk shkojnë në zyrat e punës për të kërkuar punë dhe për tu regjistruar dhe për të marrë pagesën e papunësisë kjo është qesharake. Çdo qytetar i papunë, paraqitet për një vend pune dhe për të marrë atë që i takon dhe që ia jap ligji si pagesë papunësie dhe dallimi është i madh, sepse ka vende, të cilat janë edhe nga më të zhvilluarat dhe që e kanë me afat kohor 3 vjet dhe asnjë ditë më tutje, 2 vjet dhe asnjë ditë më shumë papunësi, ne nuk e kemi.
Pra në këto statistika rezulton, rreth 143 mijë të papunë. Po ç ’tregojnë anketat. Do të ishte e vërtetë kjo, 143 mijë nëse një përqindje e tyre nuk do të punonin informal dhe të përfitonin në mënyrë abuzive papunësinë, gjë që nuk ndodh vetëm në Shqipëri, ndodh në të katër anët e planetit në vendet e lira dhe çfarë tregojnë anketat e papunësisë, anketa e bërë vetë nga z. Rama dhe pikërisht ajo anketë ku ai del se e votojnë vetëm 45% e socialistëve. Ajo anketë që thotë z. Rama papunësia nuk është 13 por është rreth 10%, por ne nuk e marrim atë anketë, ne kemi dhe anketa të tjera, ne marrim anketat që janë regjistrimet koherente. Nëse Rama mendon dhe ju thotë shqiptarëve se 860 mijë shqiptarë, janë të papunë dhe nuk shkojnë në zyrat e punësimit për tu regjistruar dhe për të marrë atë pak mbështetje që marrin nga shteti për papunësinë, këtë ia beson vetëm fabrika e tij e mashtrimit që i jep këto shifra. Ai ngatërron forcën e punës me të papunët, pra këto projekte janë një nxitje e fuqishme e punësimit në vend. Janë mijëra kilometra rrugë, janë qindra shkolla, janë 130 ujësjellësa, që ndërtohen. Ajo çka unë dua ta këshilloj, megjithëse s’ka nevojë për këshilla, por të paktën të thërrasë një nga zotërinjtë, që e njeh problemin në partinë e tij dhe ta pyesë si qëndron. Të thërrasë një njeri që njeh statistikën e bankës dhe ti shpjegojë se kjo është qesharake. Imagjinoni një njeri ju që thotë se do marrë pushteti, si mund ta marrësh pushtetin ti në këtë mënyrë, me platformën e 20 viteve më parë të diktatorit të fundit. Unë nuk them se ky vend nuk ka të papunë, ky vend ka të papunësi dhe papunësia është dhimbje, dhimbje dhe vetëm dhimbje. Nuk them se nuk ka të varfër, varfëria është dhimbje dhe vetëm dhimbje, nuk them se s’ka mjerim dhe mjerimi është stërdhimbje, por nuk mund të thuash se ka 1 milion të papunë, se infermierja paguan 30 herë më shumë taksa sesa paguante. Këto i thotë vetëm një njëri që ka mbetur në stadin e ngjyrave, nuk arrin dot tek shifrat. Më vjen keq që e them këtë, por absolutisht është në stadin e ngjyrave ky. Paguan 30 herë më shumë infermierja thotë ky. More zotëri infermierja kishte një rrogë 130 mijë lekë, infermierja sot ka një rrogë 350 mijë lekë. Infermierja me atë rrogë mbetej me 120 mijë, tani pasi paguan taksën infermierja mbetet me 310 mijë ose 315 mijë. Ku e bën këtë matematikë ky. Ka ngelur në fazën e ngjyrave. Po, të themi atë që është. Pse qenka propagandë kjo, e di pse vijnë këto, sepse adapton qëndrimin me nihilist, por nihilizmi të çon në një hapësirë jo tokësore, jashtëtokësore të nxjerr. Ku janë rrugët thotë?! Po ec more, mos rri vetëm në seli. Dil dhe shko nëpër fshatra dhe ti tregojnë rrugët. Shko bëji një vizitë Dhimo Kotes se, e kemi mik të përbashkët.Tani natyrisht të gjitha këto janë dëshmi e një performance ekonomike në kushtet më të vështira, duhet ta pranojmë, sepse kriza e dy partnerëve tanë me kryesor dhe shto këtu krizën e euros që është si shpata e Demokleut, nuk është se nuk pasqyrohet dhe nuk ndikojnë në ekonominë tonë. Po more zotëri ka një rënie të tregut të eksporteve të tregut fason, sepse tregu italian ka një rënie, por ka një rritje të eksporteve shqiptare me 40% muajin e fundit.
Nuk them se nuk ka vështirësi, ka të tilla dhe serioze madje, por kjo është e vërteta. E vërteta është se nuk gjen dot një vend tjetër që të ndërmarrë këto investime dhe si, duke ulur borxhin. Këto investime janë jetike për të prekur jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, këto investime janë jetike për ti bërë ata që të jetojnë si qytetarë europianë, këto investime janë jetike për të shndërruar pasuritë e tyre në vlera për ta dhe për kombin. Ndaj dhe le ta lëmë z. Rama me statistikën e viteve ’90 të shokut Ramiz, ne do të vazhdojmë me këto projekte, të cilat punësojnë, ndryshojnë jetën e komuniteteve të fëmijëve dhe kudo.
***
Të nderuar deputetë,
Dua t’ju informoj për një reformë tjetër të rëndësishme, siç është reforma zgjedhore. Dua të përgëzoj të gjithë punën e bërë, ta përshëndes dhe ta vlerësoj këtë si një punë me një shkallë të lartë përgjegjësie dhe t’ju informoj se në të gjitha propozimet, në qëllimin më të mirë, nisma e propozimit i është lënë opozitës. Padyshim që ne kemi ekspertët tanë më të mirë, në vlerësimin tonë, por, ashtu siç kemi deklaruar publikisht, propozimet ua lamë atyre për të adresuar rekomandimet. Unë dua t’i them zotit Rama se zgjedhjet dhe ligjet janë edhe çështje besimi dhe jo mosbesimi, sepse opozita dhe z. Rama, që në nisje filluan “militarizimin” e procesit zgjedhor. Ai përcaktoi nenin për dënim deri në 8 vjet burg për komisionerët, që nuk ekziston kurrkund, përveçse në Shqipëri, por që ne e pranuam. Po tani ata e kanë hallin se si të shpëtojnë nga fobia e komisionerit, i cili punoi me shkallën më të lartë të përgjegjësisë dhe doli si i mallkuari i proceseve zgjedhore.
Ata kërkuan me insistim instalimin e teknologjive në zgjedhje. Por p.sh në një rast, në një klimë qartësisht shumë më të freskët se Shqipëria, doli që numërimi pati probleme serioze. Pati dy probleme në Londër, mbingarkesë dhe bllokim i makinave dhe 2 ndërprerje e energjisë elektrike, por londinezët janë londinezë dhe e kapërcyen. Ndërsa këtu, në Shqipëri, nuk kapërcehet dot. Unë ia kisha bërë shumë të qartë ekipit tonë dhe u kisha kërkuar ta pranonin propozimin e opozitës, por ODIHR-i do siguri maksimale në zgjedhje. Ai kërkon mos aplikimin e metodave të përjashtimit. Çdo masë që mund të ta thotë mendja se është e dobishme nuk duhet të synojë përjashtim zgjedhësish, nuk duhet të synojë dyer të mbyllura, nuk duhet të dënojë tjetrin për pakujdesinë e tij, apo për asnjë arsye tjetër. Çdo qendër u shndërrua në “pikë kufitare”, pajisur me aparaturë që lexonte ID-në. Unë po u lexoj rekomandimin: Rekomandohet që të kryhet një studim i zbatueshmërisë, para se të futet teknologjia në përdorim. Ky studim do të identifikonte përfitimet dhe rreziqet e përfshira në zbatimin e një sistemi të tillë, përfshi edhe aspektet ligjore, operacionale dhe financiare. Rekomandohet që nenet 100/1 – 100/3, - të cilat ata vetë i kishin formuluar siç kishin dashur dhe ne thjesht i kishim votuar - të ndryshohen për të përcaktuar një periudhë kohore më të gjatë, përpara se këto të zbatohen, me qëllim që të mundësohet kryerja e prokurimit transparent, testimit, certifikimit, trajnimit, edukimit të zgjedhësve dhe zbatimit. Gjithashtu rekomandohet që ligji të specifikojë një datë për nxjerrjen e aktit Normativ të KQZ-së. Rekomandohet që ndryshimet të përvijojnë një qasje graduale në rritje, në futjen e sistemit, me një projekt pilot të kufizuar.
Ne i pranuam idetë e tyre, ndërsa tani, natyrisht, pranojmë rekomandimet e ODIHR-it, sepse jemi zotuar se do të pranojmë rekomandimet e ODIHR-it për zgjidhjen e problematikës për zgjedhjet.
Në një vendim të drejtë e të arsyeshëm, ne vendosëm që Avokatin e Popullit ta propozojë opozita dhe kemi vepruar shumë drejtë. Si avokat i të drejtave të qytetarëve, më mirë të jetë prurje nga opozita, sesa nga qeveria. Mirëpo, zoti Rama tani thotë që kandidaturat për kryetar të KQZ-së t’i propozojë Avokati i Popullit, të cilin e zgjodhi me një konkurs 15 ditor në selinë e PS-së, nuk e bëri as në parlament, këtë konkurs. Natyrisht që kjo është një gjë qesharake, në kuptimin absolut të fjalës. Gjërat, të cilat kërkojnë me çdo kusht të deligjitimojnë shumicën, janë absurde. Siç është dhe çështja tjetër, pikërisht ajo që kemi hequr bashkërisht me konsensus të plotë, pra, që Kryetarin e KQZ-së ta propozojë Presidenti. Absolutisht, as njëra e as tjetra nuk do të pranoheshin. Së pari, Avokati i Popullit është avokat i të drejtave të qytetarëve, të cilin e respektojmë e do ta respektojmë, por nuk e ndërtuam këtë institucion që të emërojë kryetarin e KQZ-së. Kjo vetëm sa e rëndon këtë institucion dhe e politizon në mënyrën më të pa merituar. Vërtetë, ai ishte një prurje politike, por ai duhet të vazhdojë detyrat e tij shumë të rëndësishme për qytetarët. Së dyti, kur ne e hoqëm këtë specifikim në lidhje me Presidentin, unë ju garantoj se kjo nuk u hoq me paramendimin se do ishte z. Topi President apo do ishte dikush tjetër. Ne e hoqëm këtë, sepse nuk duhet të ketë Presidenti lidhje me këtë gjë.
Por përse opozita veproi dje në këtë mënyrë, duke propozuar idenë e Avokatit të Popullit? Do jua them duke sjellë në vëmendje një moment. Në datën 11 prill isha në Bruksel dhe po pija kafe me një zyrtar të lartë të Brukselit. Atë ditë, z. Rama dhe opozita bllokoi të gjithë reformën në parlament dhe ky zyrtar më pyeti se çfarë ndodhi. I sqarova se çfarë ka ndodhur; sot u mblodhën këtu, në Bruksel, ministrat e jashtëm dhe z. Rama pati frikë se mund të thuhej një fjalë e mirë se në Shqipëri po ecin gjërat. Unë them se nesër, mund ta zhbllokojë votimin në parlament. Dhe vërtetë ashtu ndodhi! Sa u mbyll mbledhja në Bruksel, ai urdhëroi grupin e vet parlamentar që ta votonte në darkë, reformën. Nesër është mbledhja e Këshillit të Integrimit në Bruksel, ku ne përfaqësohemi nga Ministri i Jashtëm, Ministrja e Integrimit, etj.. Ndërkohë, ai dje na nxori idenë e zgjedhjet së kryetarit të KQZ-së nga Avokati i Popullit, ndoshta vetëm e vetëm që nesër të mos thuhet në këtë mbledhje se u kompletua reforma zgjedhore. Pra, “Blloku” është operativ në tërë praktikën dhe psikologjinë e tij. Kjo, të dashur qytetarë, është psikologjia e neo-bllokmenëve, e atyre që përdorin atë copëz pushtet, për të bllokuar Kuvendin. E kemi hequr “bllokun” nga zemra e Tiranës dhe është transferuar në selinë e PS-së, me të gjithë dhelpëritë, bizantinizmat e veta. Pasi të dalësh sot e të bllokosh procesin vetëm një ditë para mbledhjes në Bruksel, një mbledhje shumë e rëndësishme, ku në të merr pjesë edhe ministri danez për Europën, vend që kryeson BE-në, nuk është rruga e duhur. Jam i sigurt që të gjithë në atë mbledhje do të donin të përshëndesnin nesër, finalizimin e reformës zgjedhore, ashtu siç përshëndetën edhe votimin e Gjykatës Administrative. Në këtë reformë, opozita propozoi amendimet për të gjitha rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it dhe mazhoranca i pranoi, pavarësisht se ODIHR vetë nuk i pranoi dhe ne jemi të detyruar të pranojmë atë që thotë ODIHR-i, pasi ky institucion është “gardian” i standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve. ODIHR ka të gjithë njohuritë dhe praktikën e zgjedhjeve dhe të doktrinës elektorale dhe natyrisht, ai bën rekomandime që përputhen me standardet.
Megjithatë, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona, me frymë konstruktive. Ne nuk kemi bërë propozime. Përfaqësuesit tanë mund të bëjnë propozime nga më të përgjithshmet, por menduam t’ia lëmë iniciativën opozitës. Sot na bëri propozime edhe “Mjafti” i Erjon Veliajt, e mbetet të propozojnë edhe “kuq e zitë” në emër të z. Rama. Partneriteti dhe bashkëpunimi 4 mujor, në një reformë me përgjegjësi të lartë shkon e bllokohet sepse, sipas tyre, Avokati i Popullit duhet të propozojë kryetarin e KQZ-së.
* * *
Dua ta mbyll fjalën time me trajtimin e një problemi tjetër, të cilin e kam ndjekur me vëmendjen. Ne jemi në një shoqëri të lirë dhe padyshim që ju garantoj me sinqeritet absolut se respekti ndaj kundërshtarëve nuk më lëkundet asnjëherë. Ajo që unë vlerësoj, sidomos ndaj medias, është fakti se, pavarësisht se çfarë shkruajnë dhe çfarë thonë, në thellësinë time, ndihem gjithnjë i lumtur që nuk ka censurë, për faktin që Kryeministri nuk i merr kurrë e t’u thotë se përse e thatë apo e bëtë këtë apo atë gjë dhe kjo është diçka shumë normale.
Para disa ditësh, u nda nga jeta në mënyrë tragjike një oponent i qeverisë dhe qeverisjes, që ishte përkthyesi, publicisti, aktivisti i shoqërisë civile, Ardian Klosi. E vërteta është se unë kam pasur një vlerësim të palëkundur për përkthimet e përkthyesit Ardian Klosi, i cili edhe në vitet '90-të kishte shkruar shumë shkrime për gjuhën, të cilat unë i lexoja me dëshirë, edhe pse nuk isha gjuhëtar. Por, në vlerësimin tim, në fjalë ai ishte një përkthyes i zoti, i kompletuar, i talentuar, që kontribuonte në pasurimin e shqipes. Ishte një zë i shoqërisë civile, me të cilin nuk isha dakord në shumë raste, por, absolutisht, kjo nuk më pengonte të kisha vlerësim për të dhe për të gjithë aktivistët mjedisorë, se edhe vetë jam një prej tyre.
Por çfarë bëri z. Rama? Krijoi skenarin tipik të manipulimit. Meqenëse nuk e ktheu dot në historinë Kosta Trebickës, çka u përpoq aq shumë, shkroi një editorial, ju garantoj fund e krye asnjë fjalë nga zemra, një hipokrizi totale. Titulli i atij editoriali nuk duhet të ishte “Papafingo e krismës së thatë”, por “Papafingo e klithmës së braktisjes“. Kjo duhet të ishte e vërteta dhe kjo e vërtetë nuk mund të fshihet me asnjë manipulim e makinacion mediatik që mund të bësh! Unë nuk ndërhyra, e ndoqa me përçmim qëndrimin e tyre. Pashë vetëm një moment sinqeriteti, kur dikush deklaroi se nuk e ndihmuam z. Klosi. Por ama, njeriu që e kishte braktisur më shumë se kushdo tjetër është Edi Rama, që i thoshte asaj zonjës thuaj: “Ju përgjerohem, mos na vrisni”.
I them zotit Rama të lexojë mirë intervistën e Kozarës (Kozara Kati) dhe të shohë se ku e gjen ai veten në atë intervistë, ku gjendet ai në të dhe pastaj, le të bëjë pamflete hipokrite, ashtu siç bëri. Ai ishte i tëri një pamflet i thatë që ia kushtoi publicistit dhe gjuhëtarit. Ju mund të më pyesni me shumë të drejtë se përse unë, si Kryeministër, flas kështu. Por, kur kërkon t’i japësh një nuancë politike një ngjarjeje dhe shkon e deklaron te varri me gojën e “zëdhënëses” tënde: “Ju përgjërohem mos na vrisni”, unë u them miqve të zotit Rama: Lutjuni të mos shkruajë asnjë fjalë për ju, mos e lejoni të shkruajë asnjë fjalë për ju, sepse atij që ndahet nga jeta, hipokrizitë nuk i duhen kurrë.
14/05/2012