E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Zëvendësndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons.

7 maj 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamit Topi, priti në mjediset e Pallatit të Brigadave Zëvendësndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Gjatë këtij takimi Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e përkryer në të gjitha fushat mes dy vendeve tona duke theksuar bindjen se pas anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Shqipëria do të vazhdojë të jetë jo vetëm një vend mik e partner, por edhe një aleate tepër besnike në ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në botë.

Presidenti Topi i shprehu z. Xhons mirënjohjen më të thellë për ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara, të ish-presidentit Bush dhe të Presidentit Obama për futjen e vendit tonë në strukturat euro-atlantike, gjë që shënoi edhe njohjen ndërkombëtare de jure të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Kryetari i shtetit, duke bërë një përshkrim të hollësishëm të reformave të ndërmarra në vend si dhe të përgatitjeve për infrastrukturën e duhur zgjedhore, nënvizoi besimin se “zgjedhjet e suksesshme parlamentare, do të jenë të lira, të ndershme e të pakontestuara në mënyrë që Shqipëria të japë një provë tjetër bindëse në drejtim të plotësimit të standardeve dhe përmbushjes së aspiratave integruese të popullit shqiptar”.

Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons, pasi shprehu mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë, e uroi Kreun e shtetit dhe njëkohësisht Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për hyrjen e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO.

Zoti Xhons e siguroi Presidentin Topi se administrata e re amerikane e Presidentit Obama do të vazhdojë të mbështesë palëkundje zhvillimin dhe konsolidimin demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipërisë duke vlerësuar rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në shërbim të qëndrueshmërisë, bashkëpunimit dhe begatisë afatgjatë.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon L. Uithers II.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›