Rama: Dialogu, sot në Strasburg do të konsultohem me miqtë e Partive Socialiste Europiane
Para mbajtjes së tryezës së dialogut që do të zhvillohet ditën e shtunë nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se sot do të udhëtojë së bashku me një grup socialistësh drejt Strasburgut për të marrë konsultimet e fundit për krizën politike. Kreu i partisë më të madhe të opozitës bëri të ditur se në Strasburg do të zhvillojë takime me Partitë Socialiste Europiane. Kryesocialisti Rama ka vlerësuar mbajtjen e tryezës së dialogut thirrur nga presidenti Topi si shprehje progresi, por rikonfirmoi edhe njëherë kërkesën e hapjes së kutive si kërkesë e patjetërsueshme e opozitës. Sipas Ramës, PS-ja nuk kërkon fitore në tavolinë, por hetim të zgjedhjeve, ndërkohë që hapja e kutive nuk do të shërbejë për rishpërndarjen e mandateve, por për të përmirësuar procesin. Kryetari i PS-së ka deklaruar ditë më parë se nuk do t’i përdorë kutitë si kusht për t’u ulur në tryezë, por do të ulet për hapjen e tyre. Ai ka sqaruar se dialogu do të shtrihet në të gjitha aspektet që përfshijnë jo vetëm transparencën e kutive, por edhe transparencën lidhur me të gjitha transformimet para dhe paszgjedhore. Sipas Ramës, nëse objekti i hetimit do të ishte i lirë dhe shumica e komisionit hetimor e përbërë nga opozita do të lejojë që objektin e hetimit ta shtrinte në gjithë horizontin e deformimit të procesit zgjedhor, atëherë dialogu do t’i trajtonte të gjitha pikat.
Deklarata
Në kushtet e zhvillimit të tryezës së dialogut përballë kundërshtarit të tij politik, kryeministrit Sali Berisha, kreu i PS-së e ka parë të nevojshëm konsultimin me aleatët e tij europianë. “Nesër (sot) nisem në Strasburg, për takim me miqtë e Partive Socialiste Europiane, të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm e thellësisht të angazhuar për të dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e krizës”, - deklaroi Rama nga selia rozë, duke shtuar se në ditët që kanë mbetur do të vazhdojë gjithashtu komunikimin me të gjithë aleatët e frontit opozitar. “E shoh të rëndësishme të theksoj vazhdimin e komunikimit me të gjithë aleatët tanë të frontit opozitar, pjesë e këtij procesi në përgatitjen jo vetëm të tryezës së dialogut, por dhe të të gjithë hapave që parashohin zgjidhjen e krizës”, - tha Rama. Ai tha se rinumërimi i votave ka për qëllim vetëm hetimin e procesit zgjedhor. “Jo rinumërim për rishpërndarje mandatesh në tavolinë, por rinumërim për hetim të atij procesi numërimi i konsideruar i keq dhe shumë i keq në një të tretën e tij dhe për hetim të raportit mes të gjithë atyre që u përfshinë në administrimin e zgjedhjeve dhe ligjit të Republikës së Shqipërisë”, - tha Rama.
Qëndrimi
Kreu i partisë më të madhe të opozitës ka bërë të qartë qëndrimin e të gjithë opozitarëve se nëse tryeza e dialogut nuk do të sjellë asnjë rezultat për hapjen e kutive, do të nisë protesta e madhe. Në përpjekje për të përmbushur qëllimin për hapjen e kutive, Rama ka bërë të ditur ditë më parë se do të krijohet grupimi “Fronti për Shqipërinë”, të cilit do t’i bashkohen grupe interesi, si ish-pronarë, pensionistë, ish-ushtarakë, minatorë. Fronti synon bashkimin e të gjitha segmenteve të opozitës, të majtë e të djathtë. “Koordinimi i të gjithë faktorit opozitar në Shqipëri është detyrim që buron nga fakti se jemi në këtë përpjekje të përbashkët përtej gjithë kufijve që na ndajnë, sepse këtu na bashkon çështja e demokracisë në Shqipëri. Përsa i përket protestës, ne jemi në protestë, sepse nuk jemi në Parlament”, - u shpreh Rama.
10 Shkurt 2010