E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret në një takim lamtumire Ambasadorin italian, Saba D’Elia

17 nëntor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot paradite një takim lamtumire me Ambasadorin e Republikës së Italisë në Tiranë, Saba D’Elia, i cili përfundoi mandatin e tij diplomatik në vendin tonë.

Gjatë këtij takimi, Kryetari i Shtetit shqiptar vlerësoi punën dhe përkushtimin e Ambasadorit D’Elia gjatë këtyre katër viteve të ushtrimit të detyrës së tij të rëndësishme për fuqizimin akoma edhe më të madh të marrëdhënieve historike të shkëlqyera midis dy vendeve tona mike dhe partnere strategjike.

Nga ana e tij, Ambasadori Saba D’Elia vuri në pah përparimet e mëdha që ka shënuar Shqipëria gjatë viteve të fundit dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen institucionale të Presidentit Topi, të cilën ai e ka ndierë gjatë gjithë mandatit të tij diplomatik. Ambasadori D’Elia theksoi besimin e tij të plotë se Shqipëria i ka të gjitha potencialet dhe mundësitë për të vazhduar me sukses rrugëtimin e saj integrues për në familjen e madhe evropiane.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›