E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret një grup kursantësh të Akademisë së Mbrojtjes “Spiro Moisiu”

17 nëntor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, njëkohësisht edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, priti sot në Presidencë, një grup kursantësh të Akademisë së Mbrojtjes, “Spiro Moisiu”, nën drejtimin e Komandantit të Akademisë, Kolonel Perikli Koliqi.

Në fillim ta takimit, drejtuesit e lartë ushtarakë e njohën Kreun e Shtetit me veprimtaritë më të fundit të Akademisë së Mbrojtjes dhe punën për arsimimin në nivelin më të lartë ushtarak e bashkëkohor të kursantëve nga Forcat Tokësore dhe Detare, me përpjekjet për përgatitjen sa më cilësore dhe profesionale të kuadrove të ardhshëm drejtues të Forcave të Armatosura dhe institucioneve të tjera të sigurisë dhe të mbrojtjes në vend. Kolonel Koliqi e informoi Komandantin e Përgjithshëm për rezultatet e deritanishme të kësaj Akademie, për programet e njësuara akademike, jo vetëm në kualifikimin e ushtarakëve të lartë që kanë drejtuar strukturat ushtarake shqiptare, por dhe në përballimin e sfidave anembanë globit, në kuadër të angazhimit të vendit tonë si anëtar i NATO-s, por dhe në rastet e emergjencave civile.

Kursantët, nga ana e tyre, shprehën kënaqësinë e veçantë të takimit me Presidentin Topi dhe njëkohësisht Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke shprehur angazhimin e tyre maksimal në përfundimin me sukses të kualifikimit të tyre pasuniversitar, si dhe në kryerjen e detyrave të rëndësishme në funksion të Mbrojtjes e të Sigurisë së vendit si dhe duke ngritur disa çështje që lidhen me punën dhe përsosjen e tyre profesionale.

Ndërsa Presidenti Topi, duke vlerësuar punën përgatitore e cilësore të Akademisë së Mbrojtjes në përgatitjen e oficerëve të lartë të Forcave të Armatosura, e cila është demonstruar në të gjitha angazhimet ushtarake shqiptare brenda dhe jashtë vendit, nënvizoi rëndësinë e çuarjes përpara të të gjitha arritjeve që janë bërë deri më tani në kuadrin e reformimit të Forcave të Armatosura në të gjitha aspektet. Kryetari i Shtetit shqiptar theksoi se “Shqipëria, si anëtare e Aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë, NATO-s, dhe si pjesëmarrëse në misione të rëndësishme ndërkombëtare përkrah aleatëve më të mëdhenj, duhet të vijojë të japë të gjithë kontributin e saj intelektual e ushtarak në ruajtjen e sigurisë dhe paqes anembanë globit, duke qenë përherë krenare për Forcat tona të Armatosura, të cilat duhet të vazhdojnë të përsosin standardet e tyre edhe nëpërmjet marrjes së përvojës më të mirë e më të përparuar nga vendet e tjera anëtare të Aleancës.”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›