E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Përparësia e qeverisë, konsolidimi i një sistemi shëndetësor që garanton cilësitë më të larta të shërbimit!

Kryeministri Berisha vizitoi sot spitalin e ri të urgjencës në QSUT një  nga  bashkëinvestimet më të arrira e të rëndësishme në shëndetësi me vlerë prej 20.400.000 dollarë. Qeveria shqiptare ka investuar krahas ndërtimit të këtij spitali edhe 8.3 milionë dollarë, për pajisjen e tij me aparaturat nga më modernet e bashkëkohoret.

Ky spital plotëson të gjitha kushtet e një spitali modern, bashkëkohor universitar, në funksion të shërbimit më cilësor e efiçentë  për qytetarët, ndihmon në zgjidhjen e problemit  të urgjencave mjekësore, shfrytëzim maksimal të të gjitha burimeve.  Ka ekipe të kualifikuara të mjekëve, aparatura mjekësore të fjalës së fundit, ekzaminime  laboratorike të shumëllojshme.

Në fjalën e tij kryeministri vlerësoi spitalin si një homazh për qytetarët, por edhe për të gjithë mjekët, për përpjekjet e tyre shumë vjeçare, për përkushtimin, humanizmin, lumenjtë e djersës që ata kanë derdhur dhe derdhin, për të ndihmuar të sëmurët e patologjive të ndryshme.  Kryeministri theksoi, se në epiqendër të përpjekjes së qeverisë është dhe do të mbetet kualifikimi i vazhdueshme i ekipeve mjekësore. “Unë ju garantoj ju, se qeveria do të  përcaktojë fondet dhe mbështetjen e fuqishme tuajën, për intensifikimin e këtyre lidhjeve, sikundër në mënyrë të vendosur, ne do të financojmë, do të mbështesim kualifikimin tuaj në klinikat më moderne të Europës dhe të botës”  u shpreh kryeministri.

Ai theksoi, se gjatë këtyre viteve janë bërë përpjekje të mëdha dhe se qeveria do të bëjë gjithçka, për modernizimin e sistemit tonë shëndetësor, për një ndryshim rrënjësor të tij. Në këtë kontekst janë rritur me rreth 5 herë financimi dhe rimbursimi i barnave si dhe është investuar në aparatura më shumë se 40 milion dollarë theksoi kryeministri.

Reforma në shëndetësi mbetet qëllimi më madhor në të gjithë reformat e tjera, u shpreh kryeministri. “Hapa shumë të rëndësishme janë bërë dhe po shkojmë drejt një faze vendimtare të instalimit të sistemit të ri të financimit.  Së shpejti nis zbatimi i një programi, i cili do të vendosë sistemin tonë  shëndetësor tërësisht mbi bazat dixhitale, si një nga premisat më të rëndësishme për menaxhimin e suksesshëm të tij dhe të të gjitha burimeve”, u shpreh ai.
 
Gjatë  fjalës së tij, më gjerësisht  kryeministri u shpreh:

Fjala e parë që më vjen, është  t’ju përshëndes  të dashur  miq, infermierë, mjek  dhe  profesorë.

Së pari, ju përshëndes përzemërsish dhe shpreh kënaqësinë që ju takoj në një rast të veçantë, në inaugurimin e këtij spitali, ndoshta ndër më modernët në vend për urgjencën dhe pranimet.

Spital,  i cili është një investim  mbi 2 miliardë lekë, i pajisur me teknologjitë më të mira, rezonancën manjetike, skaner, EKO abdominale sa  ç’kishte  e tërë Shqipëria 15 vjet më parë.  Kushte ndër me optimalet dhe një koncept  të ri menaxhimi.  Por dua të theksoj se ky spital është  një homazh, për përpjekjet tuaja shumë e shumë vjeçare, për përkushtimin, humanizmin tuaj, lumenjtë e djersës që ju keni derdhur dhe derdhni, për të ndihmuar të sëmurët e patologjive të ndryshme. 

Ju keni bërë dhe bëni një punë të shkëlqyer, një punë të bazuar në sakrificë të madhe, në kushte  të vështira, por keni përballuar me dinjitet, keni shpëtuar dhe shpëtoni qindra jetë, keni luftuar dhe luftoni, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë me më të keqen e të këqijave, që është vdekja. Sot, ju keni ngritur dhe po vendosni  sistemin shëndetësor të vendit, në baza krejtësisht të reja.  Sot janë shtuar  potencialet diagnostikuese të këtij sistemi dhe janë aplikuar metodat më moderne të mjekimit. Në sistemin tonë shëndetësor, krahas sektorit publik, i cili ka qenë dhe do të mbetet  lider, ka qenë dhe do të mbetet sektor kryesor, ka pasur dhe do të ketë mbështetje të plotë dhe të fuqishme nga qeveria. Ekziston  dhe sektori privat, nga i cili gjithnjë e më shumë qeveria është e vendosur të blejë shërbime, në interesin më të mirë të të sëmurëve, në shërbimin më të mirë të tyre.

Këto vite ne kemi bërë përpjekje të mëdha, për një ndryshim rrënjësor në sistemin tonë shëndetësor. Unë dua t’ju njoh juve me faktin, se janë rritur me rreth 5 herë financimi dhe rimbursimi i barnave.  Fondi  që qeveria përdor për barnat për rimbursimin e  tyre.  Janë investuar në aparatura dhe imazhërira më shuam se 40 milion dollarë, është investuar në infrastrukturën tjetër dhe do të bëjmë gjithçka, për modernizimin e sistemit tonë shëndetësor.

Në epiqendër të përpjekjes sonë është dhe do të mbetet kualifikimi i vazhdueshme i ekipeve tona. Në këtë kontekst unë vlerësoj shumë lart,  lidhjet që ju keni vendosur me klinikat më të mira të rajonit dhe të Europës.  Unë ju garantoj ju se qeveria do të  përcaktojë fondet dhe mbështetjen e fuqishme tuajën, për intensifikimin e këtyre lidhjeve, sikundër në mënyrë të vendosur, ne do të financojmë, do të mbështesim kualifikimin tuaj në klinikat më moderne të Europës dhe të botës.

Reforma në shëndetësi mbetet qëllimi më madhor në të gjithë reformat e tjera , hapa shumë të rëndësishme janë bërë dhe po shkojmë drejt një faze vendimtare të instalimit të sistemit të ri të financimit.  Së shpejti nis zbatimi i një programi, i cili do të vendosë sistemin tonë  shëndetësor tërësisht mbi bazat dixhitale, si një nga premisat më të rëndësishme për menaxhimin e suksesshëm të tij dhe të të gjitha burimeve.

Ne  duhet të bëjmë gjithçka, me ambicien më pozitive të arrijmë me vendosmëri të madhe standardet më të mira, të diagnozës të mjekimit. Duhet të bëjmë gjithçka të nxisim kërkimin shkencor. Një organizim i ri, është bërë nga grupi që bën  reformën,  ky organizim do të mund të kurorëzohet me sukses  të plotë, duke inkurajuar kërkimin shkencor në çdo klinikë, në çdo pavijon,  në çdo laborator dhe në tërësi.  Kërkimi shkencor,  është jetik për tu mbajtur  ju, në kërkim të kufijve të rinj, horizonteve të reja, niveleve të reja. Unë kam besim të madhe, se siç keni dëshmuar deri më sot, shumë prej jush kanë publikime në revistat më prestigjioze të Europës dhe të botës.  Do të vazhdoni më me ambicie, më me agresivitet në kërkimet tuaja në mënyrë që reputacionin tuaj, të klinikave në të cilat ju punoni, ta bëni gjithnjë edhe më të njohur.

Dhe njëherë ju përgëzoj për këtë spital, që  e meritoni plotësisht ju,  e meritojnë të sëmurët.  Ju garantoj se do të modernizojmë çdo spital të Tiranës dhe rajoneve të tjera dhe qeveria ka përparësi absolute madhore, mbështetjen tuaj, konsolidimin në Shqipëri të një sistemi shëndetësor, që tu garantojë të sëmurëve cilësitë më të larta të shërbimit.

Faleminderit


17/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›