E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton në spital, Leka Zogun

Kryeministri Berisha vizitoi sot paradite, Leka Zogun, i cili prej dy ditësh ndodhet në trajtim intensiv në repartin e reanimacionit të spitalit të Neurologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Kryeministri Berisha, pasi u njoh nga ekipi i mjekëve për gjendjen shëndetësore dhe ecurinë e trajtimit intensiv, pati një komunikim të shkurtër me Leka Zogun. Kryeministri i uroi shërim të shpejtë dhe e siguroi për mbështetjen e qeverisë për kapërcimin e gjendjes shëndetësore.

Më pas, Kryeministri iu përgjigj interesimit të medias në lidhje me këtë vizitë:

“Një gërshetim patologjie komplekse, por gjendja dhe parametrat në tërësi, siç më njofton ekipi që ndjek në mënyrë permanente Madhërinë e Tij, Leka I, ka shenja të qarta përmirësimi. Ajo që mund të them është se komunikova shumë mirë me të, e gjeta optimist se do ta kapërcejë këtë situatë, uroj që të dalë sa më shpejt dhe shërim të shpejtë nga situata për të cilën erdhi në spital Madhëria e tij. Mjekët po bëjnë gjithçka. Qeveria është e vendosur të japë çdo lloj mbështetjeje, në mënyrë që të kapërcehet kjo situatë shëndetësore, të përmirësohet e të vazhdojë aktivitetin e tij.”


17/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›