E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr pjesë në promovimin e librit “100 familje autoktone tiranase”

16 nëntor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot pasdite në promovimin e librit “100 familje autoktone tiranase” të organizuar në ambientet e Hotel Tirana International.

Aktiviteti u çel me prezantimin e përmbajtjes të librit nga vetë nismëtarët dhe ideuesit e hartimit dhe botimit të këtij vëllimi të parë studimor, ku përfshihen një pjesë e familjeve autoktone tiranase, si një iniciativë dhe vlerë e shtuar në panoramën e punimeve shkencore e gazetareske të kryeqytetit shqiptar, për të pasqyruar jo vetëm historikun e familjeve të hershme të Tiranës, por dhe për të treguar vlerat social-shoqërore dhe intelektuale të qytetarëve të saj.

Në vijim, e mori fjalën Presidenti Topi, i cili, duke përshëndetur iniciatorët për këtë përpjekje të parë e të rëndësishme në evidentimin e vlerave historike, kulturore, intelektuale dhe atdhedashëse të tiranasve autoktonë, u shpreh: “Të dashur bashkëqytetarët e mi!

Sigurisht që për mua është shumë e vështirë që të gjej fjalën e duhur sot, sepse emocionet në auditorë të tillë, padyshim që bëjnë punën e vet. Unë ju falënderoj për ftesën për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni promovimi të një libri mjaft të rëndësishëm për qytetin tonë të përbashkët. Dhe nuk e di, a ishte ndonjë rastësi apo ishte ndonjë gjë e paramenduar që, pikërisht sot më 16 nëntor, që është Dita e Tolerancës Botërore, vjen dhe promovohet një libër për një qytet dhe për një popullsi, e cila shquhet së pari, dhe së pari edhe njëherë e them, për tolerancën e vet.

Fakti që ky libër është shkruar nga çifti Hanxhaku, i cili nuk është tiranas autokton, por përmetar, padyshim që i shton vlerat këtij libri, sepse askush nuk mund të thotë që tiranasit po shkruajnë për veten e tyre. Fakti që gjatë viteve janë shkruar mjaft libra, por së fundmi, këto libra vijnë dhe realizohen nga qytetarë që vijnë nga qytete të tjera, tregon që Tirana ka vlera jo vetëm për tiranasit. Tirana ka vlera për të gjithë shqiptarët, bile për shqiptarët jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe për shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, kudo në diasporë. Tirana, sikurse është thënë nga të gjithë, sot është Metropoli i të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë. Dhe natyrisht që nuk janë pak. Sigurisht, kalkulimet, vlerësimet janë nga më të ndryshmet, por nga ato që i afrohen më shumë realitetit, janë rreth 15 milionë sot në botë. Dhe kudo ku flitet shqip, mendohet që qendra e tyre, pavarësisht se ku kanë lindur, kanë lindur në jug të Shqipërisë, në veri të Shqipërisë, kanë lindur në Tiranë, kanë lindur në Maqedoni, kanë lindur në Kosovë, në Mal të Zi, epiqendra është Tirana. Dhe kjo është një kënaqësi e veçantë dhe është një vlerësim i veçantë që vjen nëpërmjet këtij përshkrimi. Unë atë libër, me thënë të drejtën, e kam përshkuar sot në mënyrë shumë të shpejtë, sepse pata mundësinë që të më dhurohet ai libër, dhe padyshim që pashë atje që ishte shkruar jo vetëm me dashuri, por konceptuar shumë bukur. Ne, sigurisht që na kalojnë vitet. Na kalojnë vitet dhe sa citohet një familje e caktuar e Tiranës, ja duke filluar p.sh. nga Bimbashët, nga Rrelët, nga Këlliçët e me rradhë, pa dashur tani të bëj një diferencim, patjetër në memorien tonë, vjen vendndodhja e këtyre familjeve, për ata që kanë lindur në Tiranë, që vazhdojnë me kujtimet e tyre, dhe është një respekt i jashtëzakonshëm për këto familje, të cilat kanë nxjerrë njerëz shumë të nderuar, pa diskutim.

Historinë e Tiranës, ju i dashur Rushit, e përcaktuat si fillimin e një zhvillimi urbanistik në 1614-ën. Tirana duhet parë një çikë më gjatë dhe më në thellësi të historisë. Unë e kuptoj që ju e keni parë në një sens, por mjafton të shkojmë vetëm 7-8 kilometra në të gjitha drejtimet në lindje të Tiranës, në Tujan, 7-8 kilomentra në jug të Tiranës, në Petrelë, në Ndroq, në Prezë, pra, në të gjitha drejtimet, do të shihni atje një moment që tregon qytetërimin e lashtë, që daton edhe më shumë se sa 2-3 mijë vjet më parë. E kam thënë, ndoshta është pika më e bukur e referimit, janë ullinjtë që rrethojnë Tiranën, që sipas vlerësimit të biologëve, janë më të vjetër se 3 mijë vjeçarë. Pra, Tirana është shumë e vjetër. Memoria e qytetit vjen e rritet si puna e rrathëve koncentrikë. Asnjëherë nuk duhet bërë dallimi që kjo familje ishte e para apo kjo familje e fundit, sepse dimensionet e qytetit të Tiranës nuk kanë përfunduar. Tirana nuk është vetëm e tiranasve autoktonë. Unë këtë mesazh e jap edhe si President i Republikës. Tirana është e të gjithë qytetarëve që e duan Tiranën për të jetuar, për të punuar dhe për t’i dhënë vlera asaj. Dhe jam i bindur, që me kalimin e kohës, do të ezaurohen vazhdimisht libra, libra, do të kemi shumë libra. Por është shumë e rëndësishme që të mos harrojmë historinë e këtij qyteti, që për hir të së vërtetës, këto vite na e kanë dëmtuar shumë. Vjen nëpër Tiranë për të identifikuar ku janë veprat monumentale. Shumë prej tyre nuk ekzistojnë më, sepse jo gjithmonë janë zhvilluar dhe janë ndërtuar me dashurinë që ka pikërisht ai që ka jetuar në këtë qytet. Është prishur Pazari i Vjetër, janë prishur monumente, të cilat ishin pjesë e një memorie autentike të Tiranës. Dhe sot e kemi të vështirë të dallojmë. Kjo është arsyeja që shumë njerëz, shumë familjarë, shumë qytetarë, në ambientet e familjes së tyre kanë filluar të vendosin fotografitë bardhezi të Tiranës. Sepse nuk është thjesht nostalgji, por është edhe identitet. Nuk është thjesht nostalgji, por është edhe një pasuri e madhe e brezave.

Kështu që edhe njëherë, mirënjohje për juve që e keni organizuar, mirënjohje për autorët, mirënjohje për të gjitha familjet e Tiranës që na kanë dhënë kaq shumë vlerë dhe krenari, me të cilat ne krenohemi sot!

Edhe njëherë të gjithëve faleminderit dhe urimet më të mira! Dhe paçi kurajë, por natyrisht edhe financat, dhe dëshiroj që t’u them të gjithëve që, që të gjithë duhet të kontribuojmë! Sepse kontributi për kulturën dhe historinë e një qyteti, është kontribut edhe për historinë dhe kulturën kombëtare! Faleminderit!”

Gjatë aktivitetit, Drejtori Ekzekutiv për Shqipërinë, i Shoqërisë Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, zoti Lulzim Brahja, i dorëzoi me këtë rast, doktor Flamur Topit dekoratën “Nënë Tereza për të Drejtat e Njeriut” me motivacionin: “Për kontributin e çmuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe për ndihmën e dhënë për popullin shqiptar në fushën e mjekësisë.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›