E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Drejtorin e ri të USAID-it në vendin tonë, Xhozef Uilljams.

27 janar 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë zotin Xhozef Uilljams, Drejtorin e ri të USAID-it në Shqipëri, i cili iu prezantua Kreut të shtetit nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Dr. Xhon L. Uithers II.

Pasi i uroi mirëseardhjen Drejtorit të ri të USAID-it, Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi lart kontributin tepër të rëndësishëm që ky organizëm i qeverisë amerikane ka dhënë për konsolidimin e standardeve demokratike në vendin tonë, për forcimin dhe rritjen e profilit të shoqërisë civile si dhe zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit në shumë fusha si ajo ekonomike, shëndetësore, arsimore, juridike, etj. Presidenti Topi nënvizoi interesimin e shtetit shqiptar për vijimin dhe rritjen e numrit të projekteve në këto fusha me rëndësi për zhvillimin e Shqipërisë dhe përparimin e saj të mëtejshëm në proceset integruese. Gjithashtu Presidenti i Republikës shprehu njëkohësisht edhe mirënjohjen për fondin e ndihmës së dhuruar nga USAID-i për banorët e zonave të përmbytura në veri të Shqipërisë dhe i uroi zotit Uilljams suksese në ushtrimin e detyrës së tij në vendin tonë.

Në vijim të bashkëbisedimit, Presidenti i Republikës bëri një ekspoze të zhvillimeve më të fundit e më të rëndësishme në vend, duke u ndalur sidomos në reformën e sistemin e drejtësisë, përmbushjen e standardeve integruese si dhe përpjekjet për të forcuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese apo siç e quajti “për të fituar betejën e ditës për demokraci”. Gjithashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanëshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë si në integrimin e saj në NATO, ku tashmë jemi aleatë dhe jo vetëm partner strategjikë, po ashtu edhe në konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve shqiptare.

Drejtori i ri i USAID-it në vendin tonë, Xhozef Uilljams shprehu mirënjohjen për takimin me Presidentin Topi dhe e siguroi atë për përkushtimin maksimal në përmbushje të misionit të tij në vendin tonë si dhe të projekteve në vazhdimësi të USAID-it në përforcimit e shtetit të së drejtës, ekonomi, bujqësi, etj.

Zoti Uilljams, vuri në pah vlerësimin për reformat e gjithanshme të ndërmarra në Shqipëri dhe arritjet e fundit të saj, ku përfshihet edhe anëtarësimi me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe theksoi se ruajtja dhe forcimi i institucioneve të pavaruara, konsolidimi i shtetit të së drejtës, një ekonomi e zhvilluar si dhe një sistem drejtësie i pavarur janë të domosdoshëm për një vend demokratik, që aspiron të bëhet pjesë së shpejti edhe e familjes së madhe evropiane.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›