Kryeministri Berisha referon zhvillimet e Shqipërisë në Konferencën “Bota në vitin 2025”
Kryeministri Berisha mori pjesë në konferencën “Bota në Vitin 2025” mbajtur në Vjenë. Në fjalën e tij, drejtuar politikanëve të lartë evropianë, pjesëmarrës në këtë konferencë, ai paraqiti një tablo të zhvillimeve të Shqipërisë gjatë viteve të fundit, në përpjekje për të realizuar standardet për liberalizimin e vizave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Zonja dhe zotërinj!
Është një nder i madh dhe një kënaqësi për mua të marr pjesë në këtë aktivitet dhe t’i drejtohem kësaj audience prestigjioze si dhe të ndaj me ju projektin madhor të Shqipërisë për integrimin evropian. Integrimi i Shqipërisë është për vendin tim, brezin tim dhe gjithë jetën time qëllimi më i madh. Është një koincidencë e bukur që ky takim ndodh në 20 vjetorin e rënies së murit të Berlinit. Kjo ishte ngjarja më e madhe në historinë e njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore. Është momenti i hapjes së dyerve për zgjerimin e BE-së dhe shpresat për t’u bërë anëtar i një organizate më të madhe. Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm për mua dhe qeverinë time. Ky është në të vërtetë udhërrëfyesi i vërtetë për procesin e reformave. Fatmirësisht mbështetja për integrimin në BE në vendin tim është 95%. Ky mbetet akoma projekti ëndërr i Shqipërisë. Dhe për mua është një avantazh i madh, një mundësi për të bërë më të mirën e mundshme. Integrimi në BE dhe integrimi në NATO është për të gjithë rajonin forca drejtuese që do ta ndryshojë rrymën në drejtim tjetër nga konfliktet apo luftërat civile dhe drejt bashkëpunimit, miqësisë dhe një të ardhmeje të përbashkët. Në këtë kontekst, Deklarata e Selanikut në samitin e BE-së ishte me një rëndësi themelore sepse i jepte një perspektive Evropiane vendeve Ballkanike. Dhe kjo perspektivë për vendin tim dhe rajonin po shkon përpara. Dy ditë më parë Komisioni Evropian publikoi Progres-Raportin mbi rajonin dhe vendin tim. Raporti përmbante një lajm shumë të mirë për Kroacinë dhe falë progresit të bërë Kroacia merr premtimin të bëhet një anëtar i plotë në 2010-ën. Dhe ky është një lajm i mirë edhe për të gjithë rajonin. Gjithashtu, është premtuar hapja e bisedimeve për një marrëveshje hyrëse me Maqedoninë. Ndërkohe, Shqipëria është në pritje pasi ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE. Pra, të gjitha vendet tona po punojnë drejt një të ardhmeje të përbashkët. Unë shpresoj që ky proces do të jetë i favorshëm për ne. Kjo do të ishte në interesin më të mirë të qytetarëve tanë. Vendet tona duhet të ecin pasi qëllimi është i përbashkët, të bashkohen me ju, me zonën e demokracisë së konsoliduar. Këtë vit ne kemi shënuar arritje të mëdha. Këtë vit ne zhvilluam zgjedhjet më të mira me teknologjinë më të lartë si listat elektronike të votuesve, gjendjen civile të dixhitalizuar, procesin e numërimit të votave që u filmua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ne siguruam procesin më transparent.
Unë mbetem shumë i angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe do të bëjmë çdo përpjekje kundër tij. Ne e nxorëm administratën publike nga konflikti i interesit. Ne gjithashtu morëm masa për të mos lejuar përdorimin e parave publike për qëllime të tjera private. Dhe falë kësaj, qeveria ime ka arritur të shkurtojë shpenzimet operative me rreth 5% të PPB-së. Ne kemi punuar edhe për të shkurtuar procedurat. Kështu në vendin tim funksionon e-customs. Në Shqipëri nuk përdoret më asnjë lloj prokure përveç prokurimeve elektronike. Privatizimi është një rrugë e mirë për të luftuar korrupsionin. Gjithashtu administrata ime është zvogëluar dhe sot mund të them se Shqipëria ka gjysmën e administratës së Maqedonisë. Qeveria e vogël funksionon, qeveria në dietë jep rezultat. Lufta kundër korrupsionit është vendimtare, por penalizmi i atyre që bëjnë korrupsionin është thelbësor. Për këtë arsye, qindra zyrtarë në Shqipëri janë dënuar për korrupsion. Dhe ky progres është pasqyruar edhe në shkallën e renditjes së vendeve me korrupsion.
Krimi i organizuar ishte një problem për vendin tim pasi ne u ndeshëm me një problem të madh siç është trafikimi.
Aktualisht, Shqipëria është bërë një vend shumë i mirë për investime dhe shifrat janë inkurajuese. Në 2008 ne kishim një rritje ekonomike prej 8%. Në 2009 kjo shifër ka një rënie, por është akoma mbi 5%. Kujtoj fjalët e Sharl Dë Golit mbi Evropën të shtrirë nga Vladivostoku deri në Vankuver, Evropë e cila sot po ecën drejt zgjerimit të saj. Evropa nuk do të ishte e plotë nëse të gjitha territoret saj, të cilat po ndërtojnë dhe forcojnë të njëjtat vlera evropiane, nuk përfshihen në të, si në rastin e Turqisë. Është e vërtetë se Turqia është një vend me mendje evropiane dhe zemër aziatike por Kostandinopoja ishte djepi i qytetërimit tonë.17/10/2009