E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Presidentit Topi në veprimtarinë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës

26 gusht 2010

I nderuar Kryebashkiak i Tiranës, zoti Rama,
I nderuar President i Bashkimit të Paqes, zoti Kosta,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,

Si sot, njëqind vjet më parë, lindi Gonxhe Bojaxhiu, bija më gjeniale e popullit shqiptar, ajo që me veprën e saj të papërsëritshme “si laps në duart e Zotit”, u shndërrua në Nënë Terezën e Popujve. Në historinë e botës dhe në atë të shqiptarëve diçka ndryshoi përgjithmonë, duke e bashkuar atë përjetë me emrin e Nënë Terezës!

Jam i bindur që çdo shoqëri e emancipuar dhe demokratike, çdo komb e shtet që ka si ideal dhe synon të mirën e paqen, që dëshiron të mposhtë të keqen, që drejtësia të mbretërojë për qytetarët e vet, të mundë varfërinë, përbuzjen, diskriminimin racor dhe social duhet që këto ideale e synime të udhëhiqen nga modeli i përkryer për t’u ndjekur, që e ka emrin Nënë Tereza!

Ajo lindi dhe jetoi në një shekull konfliktesh të shumta e të pashpirt! Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, Lufta e Ftohtë, diktaturat e të gjitha ngjyrave dhe kaheve, konfliktet rajonale etnike e ideologjike, tranzicionet sociale dhe sfidat e shumta të globalizmit karakterizuan historinë e shekullit të njëzetë dhe natyrisht në këto ngjarje dhe evolucione spikatën një sërë personalitetesh që lanë gjurmë të mëdha.

Pikërisht në këtë mozaik ngjarjesh dhe personazhesh të botës së madhe, Nënë Tereza u bë fuqia morale më e spikatur që do të ndikonte në vetëdijen e kohës sonë me filozofinë e dashurisë, të cilën e ngriti në një doktrinë triumfuese, duke i dhënë veprimit vlerë intelektuale dhe shpirtërore.

Nënë Tereza ishte zëri i miliona fëmijëve, grave dhe burrave të varfër e të braktisur në të gjithë globin, që nga skajet më të largëta të rruzullit e deri në zemër të metropoleve. Njerëzit e epokës sonë kanë mbetur të mrekulluar me atë çka ajo mundi të bëjë në lagjet e Kalkutës ku mbretëronte dhimbja që shkaktonte mjerimi e më pas, në të gjitha zonat me konflikte e realitete sociale tragjike. Dashuria dhe besimi hyjnor ishin armët e saj dhe dhembshuria njerëzore shërbeu si forca shtytëse madhore e shpirtit të saj.

Nënë Tereza gjithmonë ka kërkuar t’u shërbejë të tjerëve dhe jo të jetë e shërbyer. Me përkushtim rendi në kërkim të lirive dhe të drejtave njerëzore, sepse i konsideronte ato të patjetërsueshme, me mundime të parrëfyera, me dashuri të pamatë dhe këmbënguljen e një gruaje shqiptare që u ktheu dinjitetin miliona njerëzve të zhytur në errësirën e mjerimit, sëmundjeve dhe harresës.

Me një kurajë emocionuese ajo njohu dhe pranoi për bij e bija të saj gjithë të varfrit. Ajo predikoi pa predikuar, sepse shërbimet e saj flisnin vetë. E veshur me rroba indiane dhe sandale, e varfër në mes të të varfërve, gjithmonë duke ecur pa u lodhur, gjithmonë në kërkim, këto ishin gjestet e shenjtores shqiptare që ushtonte më shumë se zëri vetë, duke prekur ndërgjegjen e botës.

Murgesha shqiptare që nga fëmijëria e saj përcolli në kujtesë traditat shqiptare të mikpritjes, besës, bujarisë së lidhjes së pazgjidhshme të shtëpisë së shqiptarit me mikun dhe Zotin dhe ndërtoi një strehë të ngrohtë për të gjitha krijesat e deformuara nga e keqja, ku çdonjëra prej tyre të ndihej e mikëpritur dhe nën mbrojtjen e Zotit. Nënë Tereza sakrifikoi jetën e saj për të tjerët pa e përjetuar këtë fakt si një sakrificë, pa e reklamuar kurrë këtë sakrificë! "E çfarë tjetër mund të ishte kjo sjellje, veçse shenjtëri", do të pyeste pak ditë pas vdekjes së saj i madhi Indro Montaneli! Edhe ne ashtu mendojmë e jemi të bindur se do jetë e afërt dita që edhe de jure, e lumja Nënë Tereza, të shpallet shenjtore.

Nënë Tereza i përcolli botës mesazhe universale jetëgjata për historinë e Kishës Katolike dhe janë të shumtë studiuesit që e vendosin atë menjëherë pas Shën Françeskut, por veprimtaria e saj, filozofia që e mbante atë, i ka kaluar kufijtë e një religjioni, duke u shndërruar në simbolin më të dashur të humanizmit modern pa dallim feje e vendi, sepse ajo vetë u përkujdes njësoj për hindutë, myslimanët, katolikët, sepse tek çdo njeri ajo shikonte shembëlltyrën e Zotit.

Të nderuar miq,

Pas një sërë vlerësimesh prestigjioze në të gjitha anët e globit, në vitin 1979 Gonxhe Bojaxhiu u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, çmim të cilin e pranoi ekskluzivisht në emër të Zotit dhe të të varfërve. Nga ajo tribunë i kujtoi mbarë njerëzimit se çdo jetë është e shenjtë, se aborti është një rrezik i madh shoqëror, se ndërtimi i një paqeje të vërtetë mbi tokë duhet të fillojë nga respekti për çdo jetë njerëzore, se varfëria, padrejtësitë, përndjekja mund të përjashtohen nga jeta jonë me vullnet të mirë, besim e tolerancë.

Kjo mirënjohje botërore i bashkëngjitet bindjes sonë: “Nënë Tereza është një figurë e dashur e gjithë njerëzimit dhe është njëkohësisht dëshmia se në çfarë lartësie morale mund të ngrihet njeriu shqiptar dhe kjo nuk është një rastësi. Kjo është një dëshmi se me çfarë kulture të lartësuar është i pasur populli shqiptar, i pasur jo vetëm me inteligjencë të rrallë, me kurajo të jashtëzakonshme, por edhe me virtyte të mëdha njerëzore, me humanizëm të thellë, me ndjenjën e fisnikërisë e mëshirës në kuptimin më të madh të kësaj fjale”.

Muaj më parë, duke i paraprirë kësaj dite të madhe, me një ide jashtëzakonisht e fisnike të Presidentit të Unionit të Paqes, zotit Xhanfranko Kosta, e ndarë edhe me kolegë, vendosëm t’u drejtoheshim në emrin tim personal dhe në emër të popullit shqiptar, atij populli ku doli e madhja Gonxhe Bojaxhi, të gjithë Presidentëve të botës që të kontribuonin me një memorie me emrin e tyre, në emër të popujve të tyre me një gur simbolik për të inauguruar pikërisht fillimin e një rruge që do të ketë emrin “Rruga e Paqes”.

Në këtë “Rrugë të Paqes” që do të ndërtojmë në nderim të Nënë Terezës do të vendosen shumë gurë që mbajnë firmën e shumë Presidentëve të mbarë botës si simbolikë e vullnetit të tyre për paqen dhe tolerancën, të cilët dëshiroj t’i falënderoj nga zemra që iu përgjigjen pozitivisht ftesës sime!

Jam i bindur që në kujtim të Nënë Terezës dhe veprës së saj, ne shqiptarët duhet të bëjmë më shumë se të tjerët, por kjo rrugë që do të ndërtohet dhe shumë veprimtari të tjera që institucionet shqiptare kanë zhvilluar gjatë këtij viti, më lejojnë të vë në dukje e të theksoj se jemi në rrugën e duhur.

Ky përvjetor, ne bashkëkombësve të Nënë Terezës na flet shumë që të mos harrojmë porositë që ajo na la, porositë që i la njerëzimit, të ecim në rrugën e paqes, harmonisë e bashkëjetesës si në të vetmen rrugë të përshkueshme. Kështu kemi më se të drejtë të krenohemi për shqiptarësinë e saj dhe të identifikohemi në botë si të sajët dhe ta quajmë me plot gojë e krenari atë si tonën.

Ju falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›